Home Kulture Biblioteka Kombëtare, një ekspozitë me autorët shqiptarë të botuar në Spanjë

Biblioteka Kombëtare, një ekspozitë me autorët shqiptarë të botuar në Spanjë

Biblioteka Kombëtare çeli ekspozitën “Autorët shqiptarë të botuar në Spanjë” in memoriam për Ramón Sánchez Lizarralde. Ekspozita u çel si homazh për përkthyesin e parë të letërsisë shqipe në spanjisht ndarë nga jeta në vitin 2011, me pjesëmarrjen zëvendësministres së Kulturës, znj. Meri Kumbe, nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, znj. Keti Luarasi, shkrimtarë, përkthyes, botues, personalitete të kulturës, pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, si dhe të ftuar të tjerë. Ekspozita në kuadër të Javës së Kulturës Spanjolle, ku drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Piro Misha, duke vlerësuar kontributin e Ramón Sánchez Lizarralde u shpreh se shqiptarët dhe kultura shqiptare i janë mirënjohës për përkthimet e tij mjeshtërore. “Si një dritare në njohjen e kulturës dhe të botës shqiptare në Spanjë”, tha ai. Në këtë rast të veçantë, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë i dhurohen nga bashkëshortja e të ndjerit Ramón Sánchez Lizarralde, znj. María Roces González, 155 libra të autorëve shqiptarë (Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Luan Starova, Mitrush Kuteli, Mimoza Ahmeti, Rudi Erebara, etj.) të botuar në Spanjë, që përbëjnë një kontribut të vyer në pasurimin e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare, por edhe si pjesë e kësaj ekspozite. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë publikun. Ramón Sánchez Lizarralde prej vitit 1990, i kushtohet tërësisht përkthimit letrar dhe bashkëpunimit me gazetat “El Mundo”, “El País”, me revistat “El Urogallo”, “Leer”, “Quimera”, “Libronet”, “Letra Internacional”, “República de las Letras”, “Revista de Libros”. Më 1993 nderohet me Çmimin Kombëtar të Përkthimit për veprën “El concert”, (Koncert në fund të dimrit) të Ismail Kadaresë. Drejtoi fondacionin që boton revistën “Vasos Comunicantes”, dedikuar vetëm përkthimit letrar. Drejtoi shoqatën e përkthyesve në Spanjë.