Home Kulture Biblioteka Kombëtare, një ekspozitë kushtuar Ardian Klosit

Biblioteka Kombëtare, një ekspozitë kushtuar Ardian Klosit

Biblioteka e Kombëtare hapi ekspozitën “In Memoriam” kushtuar Ardian Klosit. Të pranishëm në ekspozitë ishin kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha, si dhe miq e të afërm të Ardian Klosit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se Ardian Klosi ishte një nga personalitet e spikatura. “Për ata që si unë e njohën Ardian Klosin për së largu, ai ishte padyshim intelektuali i pakompromis, një nga personalitetet e spikatura të përkthimit shqip, një selektor sqimëtar titujsh, që solli mes tonë autorë të shek. XX, për të cilët përpara viteve ’90 ishte e pamundur të flisje e jo më t’i lexoje”, shprehet Margariti. Për ministren e Kulturës Ardian Klosi ishte një nga figurat e shquara të publicistikës. “Herë-herë i hidhur, por me një synim të qartë në demokratizimin e mendimit shqiptar, sidomos kur bëhej fjalë për shembjen e idhujve. Plot 10 vjet pas ndarjes së tij nga jeta na mungon opozita qytetare dhe intelektuale e Klosit, me natyrën e tij të përmbajtur, por me një penë të mprehtë. E përkujtuam në Bibliotekën Kombëtare mes miqsh, përmes veprës, qëmtuar në një ekspozitë “In Memoriam”, që përfaqëson edhe qenien dhe misionin e tij”, pohon Margariti. Ardian Klosi (Tiranë, 9 korrik 1957 – 26 prill 2012) ishte publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist. U diplomua në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1981 me një tezë mbi përkthimin e Dickens dhe Thackeray. Prej 1981 deri më 1986 punoi si redaktor dhe përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, duke përkthyer autorë si Th. Mann, S. Zweig, H. Böll, M. Twain etj.  Solli mjeshtërisht në shqip përmbledhjen e plotë të veprës së Franc Kafkës në prozë të shkurtër, si dhe veprën “Kështjella”, duke i përkthyer nga gjermanishtja pas një pune të gjatë. Në përkthime përmendim dhe “Me syrin e një klouni” nga Heinrich Böll; “Adami dhe Evelina”, nga Ingo Schulze; “I humburi”, nga Hans Ulrich Treichel; “101 poezi dashurie”, nga Bertolt Brecht, etj.