Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, cili vjen nga Vetëvendosja, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.
“Unë, Erden Atiç, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.
Atiç në këtë seancë ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiç nga radhët e komunitetit serb.
Të zgjedhurit përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe Vetëvendosjen në komunat me shumicë serbe, që janë drejtuar deri më 23 prill të këtij viti nga përfaqësues të partive serbe në Kosovë.
Ndërkombëtarët kanë bërë apel që të tregohet vetëpërmbajtje gjatë procesit të betimit të kryetarëve të rinj të komunave në veri të Kosovës.
Jeffrey Hovenier, kërkoi që të mos përdoret forca gjatë përpjekjes së kryetarëve të rinj për të hyrë në ndërtesat e katër komunave në veri.
KFOR-i ka deklaruar se do ta monitorojë situatën dhe do të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, por mbikqyrja e procesit i takon policisë së Kosovës.