Home Politike Beteja e re e PD-së në kuvend/ Në shtator Berisha me grup...

Beteja e re e PD-së në kuvend/ Në shtator Berisha me grup të vetin parlamentar! Krisja me Bashën, Bardhi negociata ta njohin kryetar

Shprehja shkoi vapa me gushtin nuk do të vlejë për demokratët, të cilët të ndarë në 3 kampe, rikthimin në parlament më 4 shtator do ta kenë me hallet e vjetra se kush ka dominancën në grupin parlamentar dhe sesi do të ndahen deputetët mes Sali Berishës, Lulzim Bashës e Gazment Bardhit.

Më të vështira, pozitat i ka Sali Berisha, i cili pas dy vitesh i përjashtuar nga grupi parlamentar, tashmë pas vetes me një grup deputetësh të përjashtuar po mendon të formojë grupin e tij në Kuvend.

Skenarët janë 2. Ose ai të formojë grupin parlament vetëm me deputetët e përjashtuar nga PD e të bashkojë rreth këtij grupi edhe deputetët e Partisë së Lirisë, ose të marrë edhe ata deputetë mbështetës të Rithemelimit, që aktualisht figurojnë deputetë të PD zyrtare.

Në çdo rast, grupi i Berishës pritet të drejtohet nga Oerd Bylykbashi, i cili është nënkryetar i Rithemelimit dhe sipas statutit, zgjidhet automatikisht kryetar i grupit parlamentar.

Lulzim Basha është më komod dhe më i qartë, pavarësisht se numri i deputetëve në krah të tij është reduktuar përgjatë viteve betejë në PD, e sidomos me krisjen e fundit me kreun e grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhin. Pavarësisht garës për deputetë, Basha ka devijuar prioritetin në nisje të sesionit të ri të Kuvendit, tek kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për fondet e IPARD.

Edhe pse Basha nuk ka dhënë sinjale se mund të zëvendësojë kreun e grupit të PD, Report Tv ka mësuar mbi negociatat që Gazment Bardhi po bën me të gjithë deputetët e dalë nga lista e PD në zgjedhjet e 2021 për të pasur një grup të unifikuar nën drejtimin e tij, duke tentuar të ruajë mbështetjen më të madhe në numra sesa Lulzim Basha. Megjithatë, deri më tani ai nuk pranon rikthimin e Berishës dhe pjesës së deputetëve të përjashtuar nga grupi pas dhunës në selinë e PD më 8 janar.

Shtatori në parlament me ndryshime gjen edhe socialistët, grupi të cilëve në sesionin e ri do të drejtohet nga Bledi Çuçi.

Ndërkohë zhvillime të rëndësishme palët presin edhe përtej oborrit të parlamentit.

PD nën drejtimin e Lulzim Bashës mbledh të shtunën e 2 shtatorit Këshillin Kombëtar ndërsa Edi Rama Asamblenë, ku me gjasë ndryshime do ketë edhe në kabinetin qeveritar./Shqiptarja.com

Previous articleForumi “Bled”/ Drejtoresha e e-Albania prezanton, transformimin digjital dhe inovacionin në shërbimet qeveritare shqiptare
Next article“Rama dyfishon çmimet e referencës së pronave”/ PD: Kundër këtij taksimi që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve