Home Politike Besnik Mustafaj: Sjellja e Ramës po i bën dëm Shqipërisë

Besnik Mustafaj: Sjellja e Ramës po i bën dëm Shqipërisë

Vuçiç sot në Bruksel ishte indiferent pasi interesat e Serbisë nuk ishin në lojë, por ata që deri diku gabuan me sjelljet e tyre ishin kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski.” Kështu u shpreh analisti Besnik Mustafaj, i ftuar pasditen e së enjtes në “Radari Informativ” në ABC.

“Pozicioni i Serbisë ishte delikat, por duke pasur një avokat si Rama, gjeti diçka të rëndësishme…Sjellja e Ramës ishte e dyshimtë, sepse aty nuk kishte asnjë të drejtë që të hynte te tema e sanksioneve ndaj Rusisë. Nuk hynte pjesë e preokupimeve që duhej të kishte kryeministri i Shqipërisë. U fut aty për t’i bërë nder Serbisë, dhe për protagonizëm.”

Kurse, duke u ndalur te Ballkani i Hapur “brenda samitit” në Bruksel, Mustafaj thotë se sjellja e treshes Rama, Vuçiç, Kovačevski ishte karshillëk ndaj BE-së. Mustafaj thotë se truri pas “Open Balkan” është lideri serb ndërsa shton se dy liderët e tjera janë duke u përdorur.

“OB ka gjetur mbështetje vetëm nga SHBA me një formulë të qartë: t’i shërbejë intensifikimit të marrëveshjeve ekonomike. E qartë që truri i kësaj lëvizjeje është Vuçiç. Po i përdor. Por edhe ata bien se një farë interesi e gjejnë.”

Sa i përket sjelljes së Ramës dhe ironisë së përdorur prej kohësh tashmë, Mustafaj thotë nuk i bën aspak mirë imazhit të Shqipërisë që ka nevojë për miq.

“Nëse liderët evropianë do t’i merrnin seriozisht ironitë e talljet e Ramës…Ne, imazhit të Shqipërisë që ka nevojë për miq, i bën shumë keq. Egos së tij të shfrenuar nuk i interesojnë pasojat që kanë mbi Shqipërinë.”

Megjithatë, analisti bashkohet me gjuhën që përdori kryeministri për refuzimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kushtet janë plotësuar tashmë në Kosovë. Ka një lloj mallkimi që i pengon këto vende që t’ia bëjnë liberalizimin e vizave Kosovës. Mos harrojmë që janë edhe 5 shtete që s’e njohin. Mes tyre Spanja.”