Home Slideri Berisha strehim politik për Armand Telitin dhe paralajmëron humbjen e zgjedhjeve

Berisha strehim politik për Armand Telitin dhe paralajmëron humbjen e zgjedhjeve

Armand Teliti  Kryetari i Keshillit te Qarkut DurresNga Xhevo Gradica / Prapaskenat brenda strukturavë të PD në Durrës e Tiranë kanë larguar me forcë kryetaren e qarkut të Durrësit duke e zëvendësuar me Armand Telitin, eksponentin e akuzuar rëndë nga politika shqiptare për manipulime të njëpasnjëshme dhe të dëmshme në listat e zgjedhësve. Eglantina Begteshi është detyruar të japë dorëheqjen për t’ia lënë vendin e kryetarit të këshillit të qarkut Armand Telitit pikërisht në kohën e startimit të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare në vend. Veprimi i papritur dhe i panjoftuar ka ndodhur nën skenarin e një puçi të dhunshëm ndonëse organizatorët janë përpjekur ta manifestojnë si një hap në kohë. Kanë qenë fare pak këshilltarë të qarkut të Durrësit dhe jashtë qarku të cilët kanë pasur dijeni se çfarë do të ndodhë me kryetaren Begteshi. Saktësisht vet Begteshi ka mësuar për atë që do të ndodhte me emrin dhe postin e saj vetëm dy-tri ditë para se ta largonin nga karrigia. Çdo gjë është bërë në saj të nisjes së fazës për të sistemuar në vende pune dhe disi të mbrojtura eksponentë të cilët akuzohen nga politika, drejtësia, Kontrolli i Lartë i Shtetit për korrupsione, fallsifikime, abuzime apo krime të llojeve të ndryshme. Kështu Teliti, emri i të cilit është ndër më të akuzuarit për prishjen e qëllimtë të zgjedhjeve të vitit 2011 kryesisht në Tiranë me përfshirje në listë të personave që nuk banonin në Tiranë, është një ndër ta. Kjo ka shtyrë kryeministrin e vendit Sali Berisha, që para se të mësojë për rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, t’i gjejë vend pune kësaj kategorie. Nxitimi për të sistemuar sa më parë Telitin në një pune të re, ndonëse ai nuk ka qenë i papunësuar, është lexuar në Durrës si një humbje e padiskutuar e së djathtës dhe përpjekje për të bërë të mundur zvarritjen e nxjerrjes para drejtësisë së personave nën akuza të rënda. Madje këshilltarë të pakënaqur ndër antarësinë e PD kanë shkuar edhe më tej duke pohuar se Berisha po i afronte strehim politik Telitit dhe po përgatiste humbjen e qëllimtë të zgjedhjeve të qershorit.

Largimi

Për largimin e kryetares së qarkut Eglantina Begteshi mësohet se ka pasur dijeni një rreth i ngushtë dhe konkretisht kryeministri Berisha, ministri Sokol Olldashi, kryetari PD Igli Cara të cilët edhe e kanë marrë këtë vendim. Ata janë kujtuar gjatë se ku duhej strehuar Armand Teliti i cili nuk mund të qëndronte më në pozicionin e drejtorit të gjendjeve civile pas gjithë atyre përfoljeve dhe akuzave lidhur me listat. Pasi është menduar gjatë kjo çështje, është gjetur Begteshi si mundësi e vetme për ta flijuar. Ajo është vënë në dijeni e fundit dhe i është kërkuar të japë vet dorëheqjen me pohimin se ka mbushur vitet për pension. Edhe pse kjo nuk ka bindur kryetaren e gruas së PD në Durrës, është vënë përballë një fakti të kryer, largimi me anë të kartonit. Këshilli i qarkut në Durrës ka 46 antarë dhe 30 prej tyre janë nën koalicionin e së djathtës. Përballë këtij fakti Begteshi është detyruar të pranojë duke mos mundur nga ana tjetër të deklarojë të vërtetën. Një zëvendësim i tillë, apo saktësisht largimi Telitit nga administrata qendrore në Tiranë dhe kalimi tij në qarkun e Durrësit nuk i është bërë e ditur as ministrit të Brendshëm Flamur Nokës. Veprimi mësohet të ketë iritur pa masë deputeten e Durrësit Albana Vokshi, ndërkohë që mësohet se nuk kanë pasur dijeni për këtë veprim as deputetët e tjerë të Durrësit Eduart Halimi e Osman Metalla. Burime shumë të besuara thonë se Vokshi fillimisht nuk e ka besuar. Ajo ka debatuar gjatë me Igli Carën dhe Sokol Olldashin duke u bërë të ditur se vetëm disa muaj më parë kishin larguar pa asnjë motivacion nga puna nënkryetaren e gruas në PD Durrës Violeta Neza dhe tani largojnë edhe kryetaren e gruas së PD Eglantina Begteshi, dy eksponentë të rëndësishëm të elektoratit femëror. Nga ana tjetër zëvendësministri Brendshëm Ferdinand Pone është deleguar në mbledhjen e njoftuar të qarkut për të marrë pjesë në diskutimin e projektbuxhetit të vitit 2013. Vet Pone është vënë në dijeni për atë që do të ndodhë një orë para se të niste mbledhja, kohë që lajmi më pas është përhapur edhe ndër anëtarë të tjerë të këshillit të qarkut të Durrësit. Qarku ka njoftuar mbledhjen me të vetmin rend dite atë të diskutimit të projektbuxhetit, kjo edhe për arsyen se Begteshi mësohet se nuk është bindur për t’u larguar në atë mënyrë. Thuasje në këtë mënyrë është larguar nga karrige e kryetarit të qarkut Seid Kërtusha të cilin pasi e lanë pa punë për disa muaj, i lidhën një rrogë në portin e Durrësit. Strategjia duket se ka pasur efekt edhe me rastin e Begteshit, ndonëse me të tjera formulime por që rezulton të jetë i njëjti klan brenda PD-së. Këshilltarët socialistë dhe të tjerë aleatë të tyre kanë bojkotuar mbledhjen duke mos u paraqitur fare sapo kanë marrë vesh skenarin e përgatitur nga PD. Realisht bojkoti të majtëve nuk ka ndikuar gjë në zhvillimet e mbledhjes pasi PS me aleatë ka 16 mandate në një kohë që e djathta me aleatë ka 30 të tilla. Për hartuesit e prapaskenës e cilësuar nga shumë kështilltarë si e pandershme dhe aspak dinjitoze, nuk ka pasur rëndësi çështja projektbuxhetit dhe duke përfituar nga mungesa këshilltarëve të majtë kanë nxjerrë në rend të ditës si pikë të parë largimin e Begteshit dhe zëvendësimin me Telitin. Madje projektbuxheti as nuk është diskutuar duke kaluar formalisht pa konsumuar pyetje dhe as diskutime. Kandidatura Telitit ka qenë pa konkurent dhe është votuar nga 30 këshilltarë të pranishëm. Mes atyre që kanë shfaqur miratim është edhe këshilltari LSI Vasip Habili dhe ai i PDIU Fatmir Valoti. Begteshi e ka votuar edhe vet largimin e saj në një kohë që vetëm një natë më parë ajo ka kërkuar ndihmën e disa antareve të PD të cilave u ka treguar shqetësimin lidhur me atë që do të ndodhte të nesërmen. Gjithësesi tani qarku në Durrës do të drejtohet nga Teliti, personi më i besuar i grupit të Sokol Oldashit por që ka sjellë shumë pakënasqësi ndër rradhët e antarëve dhe të militantëve në PD. Në kohën që PD ishte në kulmin e ngjitjes së saj, Teliti humbi thellë zgjedhjet për kreun e bashkisë së Durrësit në përballjen me Vangjush Dakon e PS-së në një kohë që vet PD ishte me disa mijë vota para PS. Vet Teliti e humbi betejën, në një kohë që subjekti PD mori rreth 4500 vota më shumë dhe kjo u gjykua si zgjedhje shumë e gabuar nga strukturat politike. Pas kësaj humbje të pamotivuar për elektoratin, Armand Teliti u lakua për t’u vënë në karrigen e kryetarit të qarkut të Durrësit disa vite më parë, pikërisht në kohën që një kandidaturë më vetë ishte edhe ajo e kryetares së gruas së PD Eglantina Begteshi. Përplasja mes kandidatëve që vinin nga prurje e grupazhe klanore brenda PD qe shumë e fortë dhe u reflektua deri në acarime të shumtë. Kryeministri Sali Berisha në atë kohë mori një sërë mesazhe në të cilat paralajmërohej se ardhja e Telitit në krye të qarkut do të kishte pasoja të mëdha elektorale. Kryeminstri Berisha duket se e vlerësoi shpejt situatën dhe dha miratim për Begteshin të cilën tani po e largon me justifikimin e afrimit të pensionit për ta zëvendësuar me të njëjtin emër të lakuar si krejt i papërshtatshëm, Telitin. Veprimi i fundit i Berishës për riciklimin e emrit të Armand Telitit në qark është lexuar nga anëtarësi e djathtë si dorëzim dhe kapitullim i hapur i Berishës para zgjedhjeve të qershorit 2013.

 

Previous articleVazhdojnë “reprezaljet” në Sigurimet Shqërore të Durrësit nga drejtoresha Monika Tahiri
Next articleBanorët ambasadorit amerikan: Ja si na ka vjedhur tokat mafia në Hamallaj