Home Politike Berisha në selinë e PD: Basha, njeri pa një grimcë dinjiteti! E...

Berisha në selinë e PD: Basha, njeri pa një grimcë dinjiteti! E shndërroi selinë në bunker dhe e mbushi me kriminelë

Pasi dërgoi njëri pas tjetrit mbështetësit e tij që konfirmuan se dyert e selisë së PD janë të mbyllura, Sali Berisha ishte vetë sot i pranishëm në ‘shtëpinë e demokratëve’. Berisha nuk u mundua të hapte derën, teksa u ndal të hedhë akuza të shumta ndaj Lulzim Bashës.

“Prej disa ditësh shqiptarët po përjetojnë në mënyrë të pabesueshme zhvillime të denja si për romanet e Franc Kafkës, skenat e një njeriu i cili kalon nga skandali në skandal, nga aktet e turpshme në të tjera po kaq të turpshme, një njeriu që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë dhe një grimcë e integritetit moral dhe politik. A mundet kush të imagjinonte se një ish-lider i ri do të mbyllte karrierën e tij politike në vend të nënshtrimit të verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij në blindimin dhe shndërrimin në bunker të selisë së PD, bllokimin e saj, bllokimin e hyrjeve për deputetët e PD, mbushjen e kësaj selie me kriminelë që rëndojnë mbi shpatullat e tyre vrasje njerëzish, trafiqe kriminale, akte seriale, deri tek fanatizma dhe ekstremizma të dënueshme”, tha ai.