Home Opinion Berisha, i ‘amnistuari’ i përjetshëm nga drejtësia shqiptare!

Berisha, i ‘amnistuari’ i përjetshëm nga drejtësia shqiptare!

Nga Marin Nikaj

Nuk na shqiten nga mendja pamjet që kanë bërë xhiron e botës, të ish diktatorit të Kilit Augusto Pinochet dhe atij të Egjiptit Hosni Mubarak, të cilët dolën para gjyqit për krimet që kishin kryer ndaj popujve respektivë, të shtrirë me barelë.

Diktatori kilen që pas grushtit të shtetit drejtoi për 17 vite me radhë me dorë të hekurt vendin përmes juntës ushtarake, duke regjistruar mijëra vrasje dhe zhdukje të kundërshtarëve politikë, mes të cilëve dhe vrasjen në Presidencë të Presidentit socialist të Kilit, Salvadore Allende, erdhi një ditë që u gjend para drejtësisë.

Dhe Pinocheti në vitin 2005 kur u vendos të gjykohej dhe dënohej, ishte thuajse me gjysmë mendjeje, teksa e ‘ndiqte’ nga pas pas uturaku, për shkak të pamundësisë për të kontrolluar veten, i shtrirë në barelë mori dënimin që meritonte. Një vit më vonë u nda nga jeta.

Po kështu dhe presidenti jetëgjatë egjiptian, Mubarak, ishte me barelë dhe i mbyllur në kafazin gjyqësor në atë verë të vitit 2011, kur u gjykua dhe u dënua nga gjykatat e reja, që kishin ardhur pas “Pranverës Arabe” që çoi në rrëzimin e liderit 83 vjeçar në atë kohë të Kajros. Mori dënimin që meritonte për të gjitha krimet, me burgim të përjetshëm. Mubarak u nda nga jeta 9 vite më vonë, vetëm tre vite pasi ishte liruar nga burgu për arsye shëndetësore dhe kur një pjesë e akuzave kishin rënë. Por ama doli në gjyq dhe u dënua, dhe pse ishte tepër i sëmurë dhe vajti në sallën e gjyqit me barelë. Madje komunikonte me përkthyes shenjash me prokurorët e gjyqtarët.

Në fund të herës ajo që përmbyll këtë risjellje në kujtesë është se në këto vende sundoi më në fund ligji dhe kushdo para tij gjithkush ishte i barabartë. Pra, përballë akuzave një ditë gjithkush duhet të përgjigjet, qoftë dhe duke qënë me barelë apo në shtratin e vdekjes, sa kohë që kur ka pasur pushtet në dorë ka marrë jetë njerëzish apo ka shkatërruar jetë njerëzish më e pakta.

Pse po i sjellim këto dy shembuj me emra ish krerësh shteti që kanë krye krime kundër popullit të vet e janë dënuar nga gjykatat e tyre, qoftë dhe pse kanë qënë në shtratin e vdekjes?

Teksa risjellim në kujtesë se si ka vepruar drejtësia për Pinochetin dhe Mubarakun, gjuha shkon aty ku “dhemb dhëmbi më shumë”, tek qasja e drejtësisë sonë ndaj njerëzve që kanë qënë në pushtet apo të “fortëve” politikë në Shqipëri, gjatë ktyre 32 viteve post-komunizëm.

Pavarësisht se në “faturë” kanë krime nga më të rëndat, të shoqëruara me marrje jetësh njerëzore, pjesa më e madhe e tyre pa asnjë faj dhe pa asnjë lidhje me atë çfarë bëhej rreth tyre, drejtësia shqiptare, e vjetra jo e jo, por as drejtësia e re, nuk po merr mundimin jo t’i dënojë, por as që t’i pyesë me statusin e dëshmitarit apo të personit që ka dijeni. Madje nuk guxojnë t’u përmendin as emrin, por e fillojnë përgjigjien aty ky lë gazetari pyetjen, duke bërë si ato gratë e qëmotit, që nuk ia zinin emrin burrit, por thonin “ai”, “a e ndjeve”. Pra me përemër.

Për të mos u hallakatur dhe për të mos rënë dhe ne në pozicionin e drejtësisë shqiptare, aspak komod ky, po e themi me gojën plot se ish presidenti, ish kryeministri, lideri historik i PD dhe kreu aktual i grupimit më të madh në këtë parti “Rithemelimi”, Sali Berisha për 32 vite me radhë ka qënë ‘imun’ ndaj drejtësisë shqiptare.

Nuk është vendosur kurrë në bankën e të akuzuarve, pavarësisht akuza për krime dhe korrupsion që ka mbi shpinë, pavarësisht dosjeve që janë të kopsitura dhe s’kanë nevojë për asnjë verifikim, por që duan vetëm një trupë prokurorësh me këllqe për të vënë firmën në fund për këtë dosje dhe për t’i dërguar në gjykatë. Ku duhet sërish një trupë gjyqtarësh me këllqe, që të vendosin me drejtësi, nëse është apo jo fajtor për këto akuza që ka mbi shpinë. Akuza të bërë publike dhe nga aleatë të sotëm politikë të Berishës, që nuk kanë lënë gjë pa i nxjerrë njëri tjetrit gjatë tërë këtyre viteve, në ato momente kur kanë qënë të ‘adhnuar’ deri në indin më të thjeshtë ndaj njëri tjetrit.

Thirrja në SPAK e Aishe Haklajt, motrës 4 vëllezërve Haklaj, të vrarë të gjithë në Tropojë, sipas familjes për hakmarrje me urdhër të Berishës, na riktheu sërish në kujtesë të gjitha krimet që rëndojnë mbi Sali Berishën, liderin më jetëgjatë të politikës shqiptare, që ka provuar që të gjitha postet e mundshme më të larta në vend, duke pasur në dorë fate dhe jetë njerëzish. Motra e Haklajve është thirrur për t’u pyetur rreth padisë së saj për vrasjen e vëllezërve, padi që po bën gati dy vite që vërtitet nëpër tavolinat e drejtësisë shqiptare, pa ia hapur ‘kapakun’.

Sot me sa duket prokurorët e SPAK kanë vendosur të hapin faqen e parë të kësaj dosjeje, e cila si të gjitha dosjet e tjera për Berishën, pasi hapen “në faqen e parë” lihen për muaj e vite me radhë në atë pozicion. Ngec puna tek Berisha, “meket” drejtësia dhe nuk guxon ta thërrasë për të dhënë dëshminë e tij, qoftë dhe për të sqaruar veten dhe publikun, nëse ka të drejtë apo jo. Po të paktën thërritet njëherë dreqi e mori, dhe për të thyer një tabu 32 vjeçare, sepse besojmë, por dhe po paguajmë fort financiarisht si ne shqiptarët ashtu dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Madje dhe po e mbështesim fort dhe po i japim besim kësaj drejtësie të re, thjeshtë dhe vetëm për të dhënë drejtësi, një drejtësi të barabartë për të gjithë, ku të gjithë të ndjehen njësoj para ligjit. Nuk besoj se po kërkojmë shumë, apo gjëra të pamundura.

E themi këtë sepse Berisha nuk është thirrur as ku shkatërroi shtetin nga themelet, hapi depot e ushtrisë dhe shpërndau armët për të gjithë shqiptarët, në atë pranverë të tmerrshme të vitit 1997, kur ushtria e policia u dërguan për të goditur Jugun, pra popullin e vet dhe kur për pak shpërtheu lufta civile, pasi Berisha nxiti përplasjen Veri-Jug. U vranë mbi 4 mijë vetë në atë periudhë të shkurtër kohore, pjesa më e madhe të pafajshëm, për shkak të përplasjeve, plumbave ‘qorr’ dhe rioshet, në këtë çmenduri kolektive, të shkaktuar nga Berisha. Me ato armë po vriten dhe sot.

Kishte një akuzë të rëndë ndaj tij, “krime kundër njerëzit”, por asnjëherë Berisha nuk shkoi të dëshmonte, jo më të dënohej apo të burgosej për krimet, për të cilat akuzohej. Nuk u thirr as pas vrasjes së liderit të Dhjetorit Azem Hajdari, megjithëse brenda PD e kanë akuzuar se e nxori ai në pritë, nuk i thirr as për grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998, as për sulmin ndaj institucioneve në vitin 2000, tentativë kjo e dytë për të marrë pushtetin me dhunë.

Përkundrazi, jo vetëm që qëndroi jashtë ‘rrezes’ së përballjes me drejtësinë, por në vitin 2005 falë kalulimeve politike dhe përçarjes së PS pas krijimit të LSI, erdhi në pushtet për të qeverisur për 8 vite me radhë si kryeministër i vendit. Dhe kur një pjesë ishin të bindur se Berisha më në fund kishte zënë mend, ndodhi ajo që ndodhi. Filloi me aferën e rrugës së Kombit ku u zhdukën 230 milionë euro, vijoi me ngritjen e punishtes së vdekjes në Gërdec për demontimin e municioneve, akuzohet se ka qënë biznes i djalit të tij Shkelzen, dhe ku nga shpërthimi i të cilës humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm, një fëmijë mes tyre, dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Nuk u ndal këtu Berisha, por Garda e urdhëruar prej tij vrau në mes të bulevardit qëndror të Tiranës, përballë godinës së kryeministrisë 4 demonstrues së opozitës së atëhershme të drejtuar nga Edi Rama, sot kryeministër. Madje e ka pranuar vetë dhe Berisha vrasjen, por dhe skenarin për të vrarë me snajperat e vendosur në tarracën e kryeministrisë dhe vetë kreun e opozitës së atëhershme, nëse bënte një hap para drejt godinës. “Mbrojta institucionin”, thotë Berisha.

Berisha akuzohet se iu fut lekut rëndshëm përmes aferës së privatizimit të ish kompleksit “Partizani’, është nën akuzë dhëndëri i tij për përfitim të këtyre trojeve dhe ndërtimin e kompleksit të pallateve me vlerë miliona euro, përmes aferës së CEZ-DIA, ku shteti humbi afër 500 milionë euro, dhe aferave të tjera me rrugët, linjat e interkonjeksionit të energjisë dhe çfarë i zuri dora, deri tek taksa e suksesit ku akuzohet vajza Argitë se u vinte bizneseve vendase dhe të huaja për t’ua rregulluar me ‘babën” kryeministër, apo bizneset e të birit.

Ka dhe gjëra të tjera më të ‘vogla’, si falja e detit fqinjit tonë jugor Greqisë, marrëveshje e rrëzuar nga Gjykata jonë Kushtetuese, për cënim të territorit të vendit, zhdukja e floririt në Krrabë, apo dhe vila në Gjirin e Lalzit he banesa të tjera, të emër të fëmijëve ku jeton vetë Sali Berisha.

Pavarësisht se këto akuza, janë shndërruar në padi ndaj tij dhe gjenden të depozituara në SPAK, asnjëra prej tyre nuk është ftilluar, nuk jepet asnjë informacion se deri në çfarë niveli ka shkuar hetimi. Madje as nuk thirret Berisha për asnjë prej këtyre akuzave, për të dëshmuar tek drejtësia e re. Nuk i përmendet as emri madje nga drejtësia e re.

Me një fjalë hapet vetëm ‘fleta e parë’ e dosjes dhe kalojnë muaj e vite dhe nuk kalohet në fletën e dytë e më tej, që presupozon dhe thirrjen e të akuzuarit për të dhënë dëshminë e tij. Qoftë dhe për të dhënë argumentat e tij kundër akuzës dhe për të marrë pafajësinë, nëse s’është i fajshëm. Pasi qëllimi i askujt nuk është që të futet dikush pa faj në burg.

Nuk bëhet fjalë që Berisha të thirret nga ana e drejtësisë së re. Nuk ka asnjë ftesë në drejtim të tij për të dëshmuar. Madje dhe atëherë kur nis ndonjë proces, si ai i hetimit të pasurisë së tij, janë pikërisht elementë të kësaj drejtësie të re që e quajnë të panevojshme, të papërshtatshme hetimin e kësaj pasurie, duke luftuar fort dhe me kolegët e vet, për të mbrojtur “dinjitetin” e Berishës.

Megjithëse Berisha është ndëshkuar botërisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë nga SHBA, vend që e ka shpallur ‘non grata’, më pas e shpalli dhe Britania duke shtuar dhe ‘bashkëpunimin me elementët kriminalë’ si dhe po trajtohet nga vendet e BE dhe rajonit si person ‘non grata’, drejtësia jonë e re nuk u motivua për ta hetuar qoftë dhe për sanksionimin që i kanë bërë aleatët tanë të mëdhenj. Heshtje totale!

Praktikisht Berisha është i “aminstuari” i përjetshëm nga drejtësia shqiptare, dhe askush në këtë vend nuk beson që do të shkojë ndonjëherë përballë “togave të zeza” për të dëshmuar për akuzat që ka mbi kurriz dhe dhënë llogari për zullumet e këtyre 32 viteve në kupolën më të lartë të shtetit dhe të politikës në vend. As me barrelë nuk do shkojë, të jemi të sigurtë.

Përkundrazi, kjo ‘amnisti’ nga ana e drejtësisë për të, me sa duket i ka dhënë të drejtën që të rikthehet në politikën aktive në moshën 80 vjeçare e të na paraqitet si një ‘ofertë’ e re qeverisëse, në pushtetin qëndror dhe atë lokal. Këto janë pasoja të një drejtësie pa këllqe që lë pa hetuar dhe gjykuar “peshqit e mëdhenj’ të politikës shqiptare. Madje duke sfiduar dhe aleatët tanë, SHBA, BE e Britaninë. Thonë se “shpresa vdes e fundit” por për rastin “Berisha” kjo shpresë ka vdekur e para. Qofsha i gabuar!

Previous articleFOTO-LAJM: Taulant Balla i “merr” PD-së Andi Lilën
Next articleGazetari flet për zgjedhjet në Turqi: Ja çfarë tregojnë sondazhet e publikuara