Home Aktualitet Ben Blushi rrëfen historinë me Emiljanon: Ka gjithmonë nevojë për njerëz si...

Ben Blushi rrëfen historinë me Emiljanon: Ka gjithmonë nevojë për njerëz si ai që lehtësojnë bashkëjetesën mes tokës dhe detit

Emiljano shet sende plazhi. Shet edhe këpucë deti, plastike, që të mbrojnë këmbët nga gurët e detit. Është nga Elbasani, si shumica e atyre që shesin në plazh. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse një qytet pa det, shet kaq shumë gjëra që përdoren në det. Është njëlloj sikur vlonjatët të prodhojnë ski dëbore ose korçarët të gatuajnë sushi për drekë.

Megjithatë kështu është kjo punë. Elbasanasit bëjnë ca gjëra që korcarët dhe vlonjatët nuk i bëjnë. Emiljano nuk ka faj që është nga Elbasani. Ai ka një bos dhe sendet që ai shet në plazh janë të bosit. Emiljano merr një rrogë dhe e përshkon plazhin e zhuritur disa dhjetëra herë derisa dielli zhytet në det dhe ai shkon të flejë sepse njerëzit natën nuk blejnë sende plazhi.

Mua më pëlqeu portreti i tij i djersitur të cilin Emiljano e fshinte vazhdimishit me një peshqir pa ngjyrë. E thirra ti bëj një fotografi.

Emiljano ndaloi duke menduar se unë do blija diçka. I kërkova të pozojë dhe Emiljano pranoi, duke u fshirë me peshqir, siç bëjnë modelet që rregullohen para seancave fotografike. Kur ai iku, unë vazhdova të bëj fotografi në plazh dhe mendova se ka gjithmonë nevojë për njerëz si Emiljano që lehtësojnë bashkëjetesën mes tokës dhe detit, duke fshirë gjërat e tepërta me peshqir.

Previous articleUEFA i përjashton tifozët e Dinamo Zagrebit nga ndeshjet në udhëtim, pas vrasjes së tifozit grek
Next articleAfera me ‘sterilizimin’/ GJKKO del me vendimin urgjent ndaj kontratës koncesionare