Home Politike Belind Këlliçi flet ndryshe nga Berisha: Kishim edhe ne problemet tona, qytetarët...

Belind Këlliçi flet ndryshe nga Berisha: Kishim edhe ne problemet tona, qytetarët na braktisën

Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka pranuar se përveç manipulimeve të PS-së në zgjedhjet e 14 majit, puna çaloi edhe tek opozita. Ndryshe nga Sali Berisha që flet vetëm për manipulime, Këlliçi tha në një intervistë në Klan News se pritej që reagimi qytetar të neutralizonte vjedhjet e shumicës, por kjo nuk ndodhi.

“Ne do të kemi mundësi të flasim për të gjitha parregullsitë, intimidimin, shkeljet, abuzimin, blerjen e votës, të gjitha problematikat e këtij procesi zgjedhor që vetëm një proces i rregullt nuk ka qenë. Por kjo nuk do të thotë që edhe ne nuk kemi problemet tona.

Kjo nuk do të thotë që edhe ne nuk kemi gjëra që duhet t’i rregullojmë, që ne kemi pasur problematika të caktuara qoftë në aspektin organizativ, qoftë në aspektin e komunikimit me qytetarët sepse ajo valë e reagimit që pritej se do të duhej të neutralizonte këtë blerje vote, apo manipulim të procesit zgjedhor nuk ndodhi nga qytetarët. Pra, ka një ngërç. Kështu që edhe ne do të duhet të gjejmë gjuhën e komunikimit patjetër në mënyrë permanente me çdo qytetar, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë” – tha Këlliçi.

Ai kërkoi që edhe çështja e vulës së PD-së duhet të marrë fund duke mos pritur më që kjo çështje të zgjidhet nga gjykatat e kontrolluara nga Rama.

“Është mbajtur peng prej 2 vitesh vula e Partisë Demokratike. Vijon një debat absurd, nonsens me kush duhet të drejtojë Partinë Demokratike. Kjo çështje është e ezuruar. Demokratët kanë vendosur vetë. Unë nuk di ndonjë forcë tjetër në botë që t’i imponohet kryetari i partisë. Ka vendosur KQZ-ja apo Edi Rama se kush duhet të jetë kryetar i koalicionit “Bashkë fitojmë”. Ka pasur një tentativë për ta mbajtur të ngritur për mbi 2 vite debatin e brendshëm në Partinë Demokratike, tek çështja e vulës, e logos….

Ka një problem që duhet të marrë zgjidhje një orë e më parë. Unë nuk besoj se Edi Rama do ta lëshojë çështjen e vulës dhe ky është një problem shumë madhor. Çështja e vulës vijon të jetë e bllokuar për shkak të Edi Ramës, për shkak se ai e ka imponuar ndarjen brenda PD me forcë dhe i ka shërbyer në aspektin elektoral dhe unë besoj se ai nuk do të ketë ndonjëherë një gjykim racional për t’i dhënë fund pengmarrjes së vulës së PD” – tha Këlliçi.

Ai apeloi që demokratët duhet të ulen me njëri tjetrin duke filluar që nga drejtuesit.

“Në këtë moment do të duhet që gjithë lidershipi, nga kupola deri në celulën më të fundit të seksioneve të degëve të PD do të duhet të ketë një reagim për këtë situatë. Do të duhet që të ulen të gjitha palët me njëri – tjetrin për të parë të vërtetën në sy, për t’i lënë demokratët të vendosin vetë dhe për të pasur një drejtim të caktuar” – tha Këlliçi.

Previous articleRënia e importit të ushqimeve zbulon emigracionin e lartë dhe dobësitë në konsum
Next article“Nuk u vodhën zgjedhjet, ua lanë dopio gjashtën në dorë”, Noka sulmon gazetarin: S’ je në terezi ti zotëri, duhet të bësh “restart” se je bllokuar