Policia belge ka arrestuar shtatë terroristë të dyshuar si xhihadistë gjatë një bastisjeje në rajonin e Flanders. Mediat e huaja raportojnë se sipas prokurorëve të shtatë të arrestuarit “dyshohen për përgatitjen e një sulmi terrorist në Belgjikë”.
“Akuzat e mundshme janë tentativë për atentat terrorist, pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist dhe përgatitje të një sulmi terrorist”, thanë autoritetet.
Të arrestuarit mësohet se janë me origjinë çeçene dhe tre prej tyre kanë shtetësi belge dhe i përkasin një grupi mbështetësish të Shtetit Islamik. Arrestimet u urdhëruan pas një sërë kontrollesh të kryera në qytetet Roeselare, Ostend, Wevelgem, Ghent dhe Menen, në kufi me Francën.
Kujtojmë se Grupi i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Belgjikë më 22 mars 2016 që synuan aeroportin e Brukselit dhe metronë e kryeqytetit, duke vrarë 32 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë. Çeçenia, një republikë në rajonin e Kaukazit të Veriut të Rusisë, ka një popullsi kryesisht myslimane. Ajo udhëhiqet nga Ramzan Kadyrov, i cili mbështet luftën e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.