Home IN MEMORIAM Bashkim Kopliku, njeriu dhe politikani me identitet të lartë. Ai ishte më...

Bashkim Kopliku, njeriu dhe politikani me identitet të lartë. Ai ishte më i rëndësishëm nga sa mendonim

Bashkim Kopliku, ose raca në zhdukje e politikanëve që besonin tek logjika

Nga Mero Baze

Në vitin 1993, ende shumica e veshjeve ishte njësoj. Sidomos pardesytë, apo palltot e dimrit. Në pritjen për festat e nëntorit në vitin 1993, Bashkim Kopliku dhe Ylli Rakipi kishin pardesy të ngjashme. Bashkim Kopliku iku i pari nga pritja dhe i mori pardesynë Yllit. Yllit, jo vetëm që i ngeli pardesyja e tij, por nuk ishte në gjendje ta kuptonte e kujt ishte tjetra, pasi në xhepa nuk kishte asgjë. Pas një ore shoferi i Bashkim Koplikut e gjeti dhe i ktheu pardesynë, pasi gjeti dokumente të Yllit në xhepa. Ja kujtova më vonë duke bërë humor.

-Çfarë zëvendëskryeministri dhe Ministër i Brendshëm je ti që s’ke asnjë lek nëpër xhepa dhe asnjë letër.

U hutua shumë dhe u përgjigj shumë seriozisht.

-Po aq e kemi rrogën mor djalë, ku t’i gjej lekët.

Bëhej fjalë për një nga njerëzit me më shumë simpati politike në fillim të Partisë Demokratike dhe që i atribuohej fitorja e thellë e Partisë Demokratike në Durrës. Ai ishte ndoshta politikani më skrupuloz, më i pakorruptueshmi, më sherrxhiu, më i pakompromisi, dhe mbi të gjitha më i binduri se logjika e tregut të lirë dhe standardet e demokracisë mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga çdo krizë. Vinte nga profesioni i inxhinierit elektronik dhe në vitet  fundit kishte drejtuar si kryeinxhinier repartin e URT që prodhonte TV shqiptar “Butrinti” “Lura” etj., por kishte aftësinë të përfshihej në çdo betejë, duke u përpjekur të ishte logjik dhe të bindej për atë duhet të bënte. Aleksandër Meksi, i cili e kishte formalisht zëvendës, në të vërtet e kishte makthin e çdo mbledhje qeverie, ku ai mund të përmbyste gjithë debatet dhe për dy gabime ortografike në një vendim. Dhe në disa raste Meksi e gjente zgjidhjen. E lajmëronte mbledhjen e qeverisë në orën 10.00 dhe njoftonte gjithë ministrat të vinin më 9. 30 që kur të vinte Bashkimi t’i kishin miratuar VKM-të. Ai u largua nga Partia Demokratike pas zhgënjimit të vitit 1997 dhe nuk u tundua kurrë të kthehej më aty. Arsyeja ishte se e lidhte dështimin e Partisë Demokratike me Sali Berishën dhe derisa ndjente pushtetin e tij aty, nuk e pranonte atë, as si parti të djathtë, as si demokratike, por si një parti klanore në funksion të një njeriu. Nuk u tundua as nga truku i KOP-it i vitit 2005. E quante një “tualet për të zbukuruar një plak të shëmtuar”. Por ajo që e ndante Bashkim Koplikun nga PD e sotme ishte logjika. Rrallë kam ndeshur një politikan apo intelektual shqiptar, i cili dhe kur bisedonte për gjënë më banale me ty, donte të bindej me llogjikë. Dërgonte shpesh shkrime tek gazeta “TemA” dhe një ditë shkrimi i tij ishte spostuar më shpejt se zakonisht nga rubrika në faqen e parë, tek seksioni i rubrikës në fund. Më mori i shqetësuar se dikush ja ka hequr shkrimin, ngaqë ishte kritik me PD. I shpjegova që shkrimet nuk hiqen, por lëvizin automatikisht sipas parimit orar që ka blogu, ku shkrimi më i ri, shtyn poshtë shkrimin më të vjetër. Mu duk sikur u bind pasi e gjeti dhe shkrimin ndërkohë tek rubrika. Pas një ore më mori përsëri.

-E studiova blogun e Temës. Nuk është si thua ti. Aty lart tek rubrika “Kryesore” nuk shkojnë të gjitha shkrimet. Si e keni bërë algoritmin që i zgjedh blogu kush ka më shumë rëndësi? U dorëzova.

-Kjo nuk bëhet automatikisht, -i thashë. E përzgjedh kryeredaktori.

-E pra se më çmende,- tha. Kam një orë që e studioj blogun si lëvizin. Meqë u sqarova, ma kalo pak tek “Kryesore” atë shkrimin.

Aftësia e tij për të bërë betejë llogjike në politikë, në shoqëri, në tryezë, në kafe, në shtëpi dhe kudo, është në të vërtet identiteti i tij. Me atë mund të ndaheshe apo të bëheshe mik vetëm nëse thoshje diçka logjike. Dhe në një parti si PD, ku logjika është një pemë që nuk rritet në oborr të saj, ai nuk mund të afrohej më kurrë. Po shikoja mesazhet e fundit me të në fillim të muajit nëntor. Beteja  e fundit e tij, ishte një utopi më vete. Donte të përshtaste alfabetin e gjuhës shqipe me botën digitale ku jetojmë, duke i shpallur luftë gërmës “ç” dhe “ë”, pasi nuk i kanë tastierat. Edhe pse i krijoja idenë që është betejë e humbur dhe të mos më lodhte kot, ai ka këmbngulur duke më dërguar katër versione të studimit të tij për këtë çështje, se si mund të zëvendësojmë “ç” me “ch” dhe “ë” me “f” në pozicione të veçanta. Duket një lloj aventure, jashtë fushës dhe profesionit të tij, por brenda logjikës së një njeriu që donte të ndryshonte bashkë me botën. Shqetësimi i tij ishte se shqipja duhet të kishte një alfabet praktik në botën digitiale, ku çdo gjë shkruhet me kompjuter. Pastaj e kapi COVID dhe një nga miqtë e tij në Durrës që i qëndroi afër më tregoi dhe betejën e tij me mjekët, duke u përpjekur të bindej për çdo rekomandim të tyre. Më në fund ishte bindur që ata kishin të drejtë, por COVID ishte më i pabindur se ai dhe e mundi pa pikë logjike, duke lënë pas boshllëkun që lë një njeri me dinjitet, që donte të jetonte një botë, për të cilin të ishte i bindur dhe i qartë se çfarë ishte. Një njeri i vërtetë.

Bashkim Kopliku, njeriu dhe politikani me identitet të lartë

Nga Shpendi Topollaj

Tani që fati i trishtë i një kohe akoma më të trishtë, na ndau nga shoku e miku ynë, bashkëshorti, prindi, intelektuali e politikani Bashkim Kopliku, është rasti të kujtojmë fjalët që Edgar Degas artikuloi në varrimin e E. Manet në vitin 1883: “Ai ishte më i rëndësishëm nga sa mendonim”. Bir i një babai mjek, Bahriut dhe i Kadries, një mësuese që nuk i gjendej shoqja, ai u rrit dhe u edukua në një mjedis librash dhe kulturën që mori prej tyre e manifestoi në çdo hap të jetës së tij. E për më tepër, ai në formimin e tij qytetar, u orientua dhe zbatoi kulturën demokratike. Përherë i shkëlqyer në çdo shkallë arsimimi, pra ashtu si në gjimnaz në Shkodër, i tillë mbeti ai si në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua inxhinier elektrik, ashtu edhe më pas në detyrat që kreu kudo që e caktuan. U.R.T. – ja, ku ai me një vizion e largpamësi të admirueshme, punoi e drejtoi për vite me radhë, qe vendi ku Bashkimi demonstroi si vlerat e larta profesionale, ashtu edhe karakterin e tij të fortë e të pathyeshëm përpara tekave të diktaturës komuniste. Me korrektesën e tij karakteristike, me ndershmërinë dhe interesimin e tij të përhershëm për njerëzit në nevojë, ai fitoi me të drejtë respektin e të gjithëve. Këto vlera, ai i çoi më tej, gjatë kohës së shndërrimit të madh, ku ai përmes vështirësish, mungesash e pengesash pa fund, vuri të gjitha energjitë dhe mençurinë e tij në shërbim të konsolidimit të pushtetit të ri. Qytetarët e Durrësit e mbajnë mend mirë entuziazmin e këtij drejtuesi në krye të Komitetit Pluralist të Rrethit, këtij organizatori të jashtëzakonshëm i cili kudo ngjallte optimizëm dhe që nuk bënte dallime mes tyre. I kudo gjendur, si një tribun, ai u bë simboli i drejtuesit të përkushtuar dhe që udhëhiqej vetëm nga idealet e pastra. Po kështu veproi ai, edhe kur ju besuan detyrat aspak të lehta; ajo e ministrit të Brendshëm dhe më pas si zëvendës Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Fjalimet e tij të qarta e të guximshme, kur ai për dy legjislatura ishte deputet kur Parlamenti ishte Parlament, do të ruhen gjatë në kujtesë. Polemist i paepur dhe me gjykim rreptësisht të pavarur, ai tregoi një identitet që aq shumë na mungon sot, dhe nuk reshti së thëni fjalën e tij si në shkrimet e shumta që botoi, ashtu edhe intervistat televizive që dha. Tip kureshtar, por edhe me bindjen se kështu i shërbente të mirës së përgjithëshme, Bashkim Kopliku interesohej me kujdesin dhe këmbënguljen e një skrupulozi, edhe për gjëra në dukje pa rëndësi, si fjala vjen; ato të problemeve drejtshkrimore. Ai e donte shumë jetën, e kishte të shenjtë familjen, ndaj edhe bënte të pamundurën që të mos i shmangej asnjëherë kënaqësive të saj, brenda mundësive që koha krijoi. Ai iku kur të gjithë ne kishim nevojë për praninë e tij, dhe për këshillat e tij të zgjuara.Por historia nuk do ta harrojë kurrë Bashkim Koplikun, atë burrin e pashëm, dhe me shpirtin e bukur, atë politikanin e hekurt në bindjet e veta, atë debatuesin e palodhur, paçka se sikurse shprehej Enrico Emanuelli “Historia është koha që fluturon pa rregullar të mirat e pa realizuara dhe pa larguar të këqiat që ende kryhen”. Ai bëri gjithçka mundi, si për qytetin tonë ashtu edhe për të gjithë Atdheun, ndaj dhe do të kujtohet përherë me nderimin më të madh.

Ndarja nga jeta e politikanit dhe inxhinierit të njohur Bashkim Kopliku ka prekur jo vetëm familjarët dhe të afërmit, por dhe ata që e njihnin nga afër, miq, shokë e bashkëpunëtorë.

Përmes postimeve të ndjera në rrjete sociale ata shprehin dhimbjen për ndarjen nga jeta të Koplikut, i cili humbi betejën me Covid-19, ndërsa ishte në udhëtim drejt Italisë, për t’u kuruar atje. “Bashkim Kopliku, burri, shtetari e politikani dinjitoz, është ndarë nga kjo jetë. Qoftë për në parajsën e Zotit”  shkruan kreu i Task Forcës për Covid dhe njëherazi Inspektor i Përgjithshëm i ISHSH, Shkëlqim Hajdari.

“Te dashur miq, sonte u nda fatkeqesisht nga jeta para kohe kolegu ynë i nderuar, intelektuali i shquar, Ing. Bashkim Kopliku, i cili ishte nder intelektualet e parë që u bashkua me Levizjen Antikomuniste Studentore te Dhjetorit ’90 ndërkohe që ishte K/Inxhinier në Uzinën e Radio Televizionit në Durrës. Ing. Bashkimi shpejt u ngjit në lidershipin e PD-se duke u bërë anëtar i Kryesisë dhe i Keshillit Kombëtar, Deputet i Durresit, dhe pas fitores se PD-se me 22 Mars 1992, u emërua Zv. Kryeminsiter dhe Minister i Brendshem i qeverise se Aleksander Meksit. Bashkimi duke qenë karakter i forte tregoi personalitet, individualitet dhe dinjitet gjate mandatit se tij ne qeveri, duke u shquar gjithashtu edhe per ndershmeri, trimeri, patriotizem, perkushtim dhe profesionalizem. Per 100 dite ne mbare vendin u ri-vendos rendi publik nga puna e palodhur e Bashkimit dhe te gjithe stafit profesionist te Ministrise se Brendshme. Ne zgjedhjet e vitit 1996 Bashkimi u zgjodh deputet i Tropojes. U prehsh ne paqe Bashkim. Ngushëllime per familjen dhe miqte e Bashkimit! Humbem nje mik dhe koleg të mire!” shkruan ish-deputeti Aleksandër Biberaj.

“Iku një qytetar race. Bashkim Koplikun nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Kur ai ishte politikan aktiv, unë bëja shkrime gazetash, ndërsa pas vitit 1997 ndërruam rolet.Por kjo nuk më ka penguar ta respekoj në distancë për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar dhe qytetar, të cilin nuk e ndau deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse mund të mos kem qenë gjithmonë dakord me qëndrimet e tij, kam bindjen se Shqipëria humbi sot një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz, nga ata, që përherë e më tepër në këtë vend, fatkeqësisht, po konsiderohen si racë në zhdukje” shkruan Astrit Patozi.

Ndërkohë, një mik i hershëm i Koplikut, Engjëll Çeka shkruan ndër të tjera: “Do na mungosh miku im, njeriu i mire Bashkim Kopliku. Pushofsh ne paqe!”

“Lamtumire Bashkim Kopliku, njeri i mençur që Durresi do të kujtoj gjithmonë….ashtu e deshe jetën në udhëtim dhe në avion vdiqe! Me preve në besë duke me thënë:  Artur po iki…po me ike larg o mik!” shkruan Artur Llana.

Vdekja e Bashkim Koplikut, Rama: Do më mungojnë mesazhet e tij, u prehsh në paqe miku im

Postimi i Edi Ramës:

HOMAZH. BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes ëhatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.  Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë. Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.  Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im.

Vdekja e Bashkim Koplikut, Basha: Angazhimi i tij pas rënies së komunizmit mbetet i pashlyeshëm

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon në rrjet sociale për vdekjen e ish zv/kryeministrit Bashkim Kopliku, i cili ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit. Basha e vlerësoi Koplikun për kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe gjatë qeverisjes së parë të saj.

“Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku. Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Ruçi: Kopliku ishte një zë i fuqishëm dhe një parlamentar aktiv

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta pas infektimit me virusin që ka gjunjëzuar botën të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bashkim Koplikut. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka qenë në të njëjtën kohë me z. Kopliku në parlament dhe në reagimin e tij e cilësonte ish-Kryeministrin Kopliku si një njeri me dinjitet. Duke e cilësuar si model i qytetarit të angazhuar, Ruçi theksoi se Kopliku i shërbeu vendit si deputet e politikan aktiv. “Ndarja nga jeta e Bashkim Koplikut është një humbje e madhe për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Si deputetet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë periudhës 1992-1997, Kopliku ishte një zë i fuqishëm dhe një parlamentar aktiv. Bashkim Kopliku i shërbeu vendit si profesionist i spikatur, politikan, deputet e qeveritar aktiv dhe pas largimit nga jeta politike, edhe si një qytetar i angazhuar”, shkroi në mesazhin e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kopliku ka qenë pjesë e parlamentit të parë të zgjedhur përmes garës. Në qeverinë e parë demokratike ai ka mbajtur poste të rëndësishme si ish-Kryeministër kur kreu i qeverisë ishte ALeksandër Meksi dhe në krye të shtetit Sali Berisha. Po ashtu, ai ka mbajtur edhe postin e ministrit të Brendshëm.

Spartak Ngjela: Inxhinier i talentuar, dhe një burrë me kod moral të pacenueshëm

Para disa orësh u njoftova se, dje, ka ndërruar jetë Bashkim Kopliku. Ishte miku im i vjetër. Inxhinier i talentuar, dhe një burrë me kod moral të pacenueshëm. I talentuar, aq sa edhe i drejtë; intelekt i lartë, aq sa edhe me thjeshtësi në sjellje; ministër i suksesshëm dhe i pakorruptueshëm. Me veprimtari të madhe profesionale në Durrës. Bashkim Kopliku ishte themelues dhe drejtues i talentuar i Uzinës Elektronike në Durrës, që iu dha mundësi të gjithë shqiptarëve të dilnin nga errësira izoluese me televizorë të nivelit të lartë për kohën.  Bashkim Kopliku, ishte shkodrani i talentuar dhe intelektuali i nivelit të lartë teorik, që i dha shoqërisë së emancipuar durrsake, gjithçka për modernizimin e jetës së saj. Tani ai nuk jeton më, por, për burra si ky, gjithmonë i mbetet historisë që t’i lartësojë në faqet e saj. Ngushëllimet e mia familjes së tij, duke theksuar: marr edhe unë pjesë në pikëllimin tuaj.

Patozi: Iku një qytetar race

“Një politikan dinjitoz”. Kështu e cilëson koordinatori i “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi, Bashkim Koplikun, i cili ndërroi jetë dje pasi ishte infektuar me COVID-19. Në reagimin e tij Patozi shkroi se, ndonëse nuk e kishte takuar ndonjëherë, vlerësimet e tij për të ishin maksimale. “Bashkim Koplikun nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Kur ai ishte politikan aktiv, unë bëja shkrime gazetash, ndërsa pas vitit 1997 ndërruam rolet. Por, kjo nuk më ka penguar ta respektoj në distancë për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar dhe qytetar, të cilin nuk e ndau deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse mund të mos kem qenë gjithmonë dakord me qëndrimet e tij, kam bindjen se Shqipëria humbi sot një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz, nga ata, që përherë e më tepër në këtë vend, fatkeqësisht, po konsiderohen si racë në zhdukje”, shkroi Patozi.

Mungon mesazhi i Sali Berishës

Mungesa e një mesazhi ngushëllues dje nga ana e Sali Berishës, ish President i vendit në kohën që Kopliku ishte ish-Kryeministër, tërhoqi vëmendjen publike. Kopliku ka qenë pjesë e PD-së shumë herët bashkë me z. Berisha.

 

Kush ishte ish zv/kryeministri dhe ish ministri i Brendshëm, Bashkim Kopliku, që humbi jetën nga Covid 19

 

Ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 një nga figurat e rëndësishme të qytetit të Durrësit dhe jo vetëm. Bashkim Kopliku u lind më 15 korrik 1943 në Shkodër. Më 1962 – 1966 ndoqi Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Tiranës. Më 1966 – 1969 punoi si inxhinier elektronik në qendrën radiomarrëse të Kamzës, Tiranë. Më 1969 – 1970 u zhvendos nga Tirana në Shkodër për arsye politike. Ka qenë zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në 1996-97, anëtar i kryesisë së PDSH në 1991-97, i dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, kryetar i Bashkisë Durrës (Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës) në 1991-92, kryeinxhinier i URT Durrës në 1990, ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës. Krahas posteve dhe kontributit të padiskutueshëm, Bashkim Kopliku nuk do t’i shpëtonte dënimit të regjimit si punëtor për qëndrime “të gabuara” politike në 1975-76. Është autor i rreth 1000 shkrimeve opinion, në gazeta të ndryshme. Bashkim Kopliku ishte një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të gazetës Bulevard, stafi i Bulevard i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve.

SOURCEBulevard News
Previous articlePrej 8 ditësh i infektuar me COVID-19, deputeti i PS publikon foton dhe tregon si është gjendja e tij shëndetësore
Next articlePD lëshon thirrjen urgjente: Kjo ministre duhet të japë dorëheqjen, mijëra mesazhe të qytetarëve shprehin tronditjen