Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës festoi 60-vjetorin e krijimit të tij. Qendra Kulturore, në varësi nga Bashkia e qytetit, zhvilloi një ceremoni përkujtimore, gjatë së cilës u nderuan aktorët pjesëmarrës të shfaqjes së parë, si dhe aktorë e regjisorë të tjerë që i dhanë emër këtij teatri në këta 60 vjet. Drejtori i Qendrës Kulturore, Bashkim Hoxha, solli në vëmendje shfaqjen e parë dhe Dosjen Nr. 1 të teatrit, “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, e vënë në skenë nga Pandi Stillu. Për të gjithë aktorët e shfaqjes së parë u shpërndanë certifikata mirënjohjeje. Një ndër ta ishte aktori Lutfi Hoxha, i cili është i vetmi nga themeluesit e këtij teatri ende gjallë. Drejtori i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Bashkim Hoxha, u shpreh se në këtë 60-vjetor trupa e teatrit është e motivuar dhe do të jetë shumë shpejt në nivelet e viteve të arta. Nga ana tjetër, ende teatri nuk ka statusin e tij si një institucion i pavarur, pasi është në varësi të qendrës kulturore. Një problem tjetër që Hoxha evidenton në këtë përvjetor, është dhe mungesa e fondeve, të cilat, sipas tij, mbeten të pamjaftueshme për të financuar projektet dhe shfaqjet. Lidhur me çështjen e statusit, kreu i Bashkisë së Durrësit ka pohuar se është Këshilli Bashkiak ai që e vendos, ndërsa fondet, ndonëse të pakta, do të jenë të njëjta edhe për këtë vit. Në kuadër të aktiviteteve të 60-vjetorit të teatrit, regjisori Haxhi Rama ka promovuar dy librat e tij “Bis plus, 5 komedi+1” dhe librin tjetër, “Bis, si një variete”. Më pas i gjithë aktiviteti u spostua në një drekë lokalin “Bleart” ku morën pjesë përveç artistëve të ardhur nga i gjithë vendi edhe drejtues të pushtetit vendorë dhe deputetë të Durrësit. Edhe këtu të pranishmit që morën fjalën vlersuan arritjet e këtij Teatri në vite dhe shprehen besimin se kjo trupë po vjen gjithnjë e në rritje. Ky aktivitet u sponcorizua nga z. Namik Sadiku, i cili si cdo herë mbetet një mbështetës i aktivitetëve të kulturës dhe artit.