Home Politike Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Grupin Parlamentar! Porosia e zv.ambasadorit: Jo dhunë

Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Grupin Parlamentar! Porosia e zv.ambasadorit: Jo dhunë

Në kulmin e akuzave nga mbështetësit e Berishës se është izoluar në selinë e Partisë Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha erdhi si çdo mëngjes në PD, por ndryshe nga ditët e tjera, dje ai nuk u ngjit në zyrën e tij, por u ul në një kafe informale me gazetarët që mbulojnë zhvillimet në PD

Për herë të parë dje, kreu i Partisë Demokratike pa në kohë reale nga oborri i kafes që ndodhet përbri selisë blu, momentet kur deputetët që janë pozicionuar pranë Berishës dhe të rinjtë kërkonin të futeshin në selinë blu. Ai nuk u largua edhe kur ata ndodheshin vetëm disa metra larg tij. Kreu i PD-së u ngjit në zyrën e tij vetëm disa minuta para se të priste në një takim zëvendësambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Demian Smith. Për të shkuar në zyrën e tij, Basha nuk përdori derën kryesore, por njësoj si administrata e PD-së, derën që ndodhet në anën lindore të godinës, aty ku më herë hyri edhe sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe nënkryetarja Jorida Tabaku.

TAKIMI ME ZV.AMBASADORIN

Vetëm pak minuta pasi Basha u ngjit në zyrën e tij, në oborrin e PD-së u shfaq makina që solli zëvendësambasadorin e SHBA-së, Demian Smith, me bashkëpunëtorët e tij. Edhe zëvendësambasadori shkoi në takim duke përdorur derën anësore, e cila duket se pas rikonstruktimeve, do të përdoret më shpesh për t’u futur në selinë blu. Diplomati amerikan mbërriti në PD rreth orës 13:00 ndërsa takimi me kryedemokratin dhe lidershipin zgjati për rreth 60 minuta. Pas takimit ai u largua duke respektuar kodin e takimeve të formatit të tillë.

Gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se tema kryesore e diskutimit ditën e djeshme mes lidershipit të PD-së dhe diplomatit amerikan u fokusua te protesta e lajmëruar më 8 janar nga Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së, që u krijua më 11 dhjetor 2021. Burimet konfirmuan se zëvendësambasadori pyeti kryedemokratin Basha nëse do të ndodheshin në seli gjatë kohës që do të zhvillohet protesta. Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit diplomati i SHBA-së kërkoi që të shmangej dhuna.

Ndërkohë, nga ana tjetër, mësohet se kreu i PD-së i ka konfirmuar z. Smith se ditën e shtunë ai, së bashku me Grupin Parlamentar dhe Kryesinë, kanë planifikuar mbledhje dhe do të jenë në seli në kohën që jashtë godinës do të jenë duke protestuar mbështetësit e Berishës. Po ashtu, kreu i PD-së ka bërë me dije se janë marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet. Në kushtet e një përplasjeje politike, ndonëse brenda familjes, vendimi i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar për të qëndruar ë bashkuar para protestuesve duket se është edhe një mesazh për të demonstruar se kush ka shumicën.