Home Opinion Basha duhet të zgjedhë mes Amerikës së Philip Reeker dhe Amerikës së...

Basha duhet të zgjedhë mes Amerikës së Philip Reeker dhe Amerikës së “Vatrës” së Sali Berishës

Nga Mero Baze

Philip Reeker ka mbërritur në Tiranë dhe ka bërë kujdes të sqarojë publikun se ka diskutuar me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën dhe përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021.

Është fjala për sanksionin që ka prekur Sali Berishën për minim të demokracisë, shantazhim të sistemit të drejtësisë dhe përfitime personale dhe familjare nga pushteti.

Ka bërë kujdes të mos takojë dhe Ilir Metën, presidentin që u çakërdis para zgjedhjeve dhe u rreshtua me Sali Berishën në një vijë fronti edhe kundër SHBA.

Në të njëjtën ditë që Lulzim Basha pret në zyrë sekretarin e Shtetit në detyrë për çështje europiane, Philip Reeker,  Sali Berisha i ka shkruar një letër falenderimi një Berishe tjetër, që drejton atë që ka mbetur nga “Vatra” në SHBA, duke i shprehur mirënjohje që ata i kanë dalë në krah pas futjes në listën e zezë të SHBA, si minues i demokracisë në Shqipëri, si përfitues i parave prej korrupsionit dhe shantazhues i sistemit gjyqësor.

Berisha i Tiranës i shkruan Berishës së Bronxit, se SHBA-në e kanë marrë në dorë komunistët dhe po e manipulojnë kundër atyre që janë të persekutuar nga komunizmi.

Takimi me Lulzim Bashën është një ogur i mire, pasi dëshmon se SHBA është e vendosur të ruajë marrëdhëniet e mira me Partinë Demokratike, por është një lajm i keq për Sali Berishën dhe Ilir Metën, pasi është një sinjal se opozita duhet të zgjedhë mes të ardhmes së saj dhe të ardhmes së dyshes Meta- Berisha.

Por nga ana tjetër, është dhe një mallkim për Lulzim Bashën. Ai duhet të zgjedhë Amerikën e vërtetë, ose Amerikën e Sali Berishës.

Amerika e vërtetë sot është Philip Reeker dhe detyrat që ai la publikisht për politikën shqiptare, për t’u distancuar nga njerëzit që i prekin sanksionet e SHBA.

Amerika e Berishës është ai Berisha tjetër në krye të “Vatrës” në SHBA, e cila është e vetmja adresë që Sali Berisha ka kujt t’i dërgojë letra këto kohë dhe e vetmja adresë nga merr letra akoma.

Lulzim Bashës do t’i duhet për herë të parë të marrë vet një vendim në jetë, një vendim që mund ta fusë në konflikt me zyrat e PD, por ta bëjë politikan, ose ta mbajë aty për ta katandisur PD-në siç kanë katandisur disa ish- shofera Vatrën e Nolit dhe Konicës në SHBA.

Fatkeqësisht nuk është në dorë të tij ta shmangë këtë vendim.

SOURCEBulevard News
Previous articleLargime nga detyra/ Lëvizje të tjera në qeveri, lënë postin për karrigen e deputetit
Next articleHoroskopi ditor, e enjte 1 korrik