Home Opinion Basha dështoi edhe me dorëheqjen

Basha dështoi edhe me dorëheqjen

Nga Enton Abilekaj

Dorëheqja si akt personal nuk mund të mos përshëndetet. Pavarësisht vonesës, pavarësisht pasojave, është gjithmonë një mundësi për një zgjidhje më të mirë, hap një rrugë, jep një shpresë.

Kështu dukej edhe ajo e Lulzim Bashës, kur pranoi pasojat e vendimeve te tij, kur foli për një parti më të përçarë, për një rezultat më të dobët dhe për një luftë te brendshme që i sherben Edi Ramës. Kështu dukej kur foli për rimëkëmbjen e PD- së, një fushatë pajtimi që do t’i paraprinte zgjedhjeve për kryetar.

Në fakt, Lulzim Basha nuk e arriti as solemnitetin minimal të dorëheqjes. Ikja e tij pasoi një paçavure politike të mbështetësve të tij, vazhdimin e një rruge qorre, që ashtu si pushtuesit e tokave që ndërtojnë pa leje, për tu legjitimuar ngre flamurin amerikan. Nuk do dukej si e Bashës nëse deklarata e gatshme e Alibeajt nuk do të përsëriste fjalë për fjalë tekstin e gatshëm të dorëheqjes.

Një skemë e qartë, të largohet Berisha nga vendimmarrja, të krijojet një grup i përbashkët me “deputetët e pezulluar”, të bëhet fushatë pajtimi që nënkupton të lëpijnë ato që kanë përshtyrë dhe të bëjnë garë.

Zgjidhja mungonte në tekstin e dorëheqjes së Bashës, jo pa arsye. Ajo u ishte lënë pasuesve të tij, që me një proces fals, të ribëjnë zgjedhje për të rizgjedhur problemin në krye të partisë. Me një deklaratë të gatshme, me lëvizjen e parë që e kishin gati sepse vetëm ata e dinin, bënë një votim fals për të filluar një proces fals që do ta rrënonte sërish opozitën sikur të vihej në zbatim.

Kjo sepse askush, as Ambasada Amerikane që përshëndeti dorëheqjen, as deputetët e vulës, nuk duan të pranojnë se janë në këtë situatë për shkak të zgjedhjeve të 6 marsit, për shkak të rezultatit të turpshëm të logos së PD-së. Nuk duan të pranojnë që i mundi ai që duan të largojnë me skema bajate që ofrohen nga diplomatë që, as e njohin Shqipërinë, as mbajnë përgjegjësi për gabimet, as vuajnë pasojat e vendimeve që imponojnë.

Këta nuk duan të kuptojnë që Berisha nuk fitoi vetëm se është lideri historik i PD-së, as vetëm se për 23 vjet e shndërroi PD-në në parti personale. Nuk fitoi se përfaqëson shpresën e opozitare për të mundur Edi Ramën, as shpresën e shqiptarëve për një qeverisje më të mirë se ajo që rrëzuan në 2013 me 1 milion vota. Ai fitoi përballë logos, strukturave të partisë dhe ndërhyrjes amerikane, sepse kishte me vete legjitimitetin. Që në ditën e parë të vendimit kundër tij, deri tek mohimi i firmave të delegatëve, injorimi i Kuvendit të 11 dhjetorit dhe më pas referendumit të 18 dhjetorit. Ai fitoi se iu mohua e drejta për tu gjykuar me votë, se u dënua pa gjyq.

Dorëheqja e Bashës duhet të ishte në shërbim të rikthimit të legjitimitetit, duke pranuar çfarë mohoi për 6 muaj, duke e njohur shumicën dhe duke i hapur partinë asaj për një zgjidhje unifikuese. Skemat e lodhura që diskretitohen sa dalin, jo vetëm që nuk e zhbëjnë dot shumicën, por janë shërbim për Edi Ramën. Ata deputetë që po përpiqen akoma sot të mbajnë dështimin në krye të PD- së, janë ushtarët e turpit që nuk e kanë problem shkatërrimin e opozitës, nëse hipotekojnë asetet e saj, qoftë edhe duke mashtruar publikisht.