Home Dossier Banorët e Hamallaj: Prefekti i Durrësit autori numër një i skandaleve me...

Banorët e Hamallaj: Prefekti i Durrësit autori numër një i skandaleve me pronat

çertifikata_fiktiveNga Xhevo Gradica / Vetëm një ditë pasi prefekti qarkut të Durrësit Genci Alizoti ka pranuar të flasë për atë që tashmë ka hyrë në opinionin qytetar në Durrës dhe mbarë Shqipërinë si “Skandali pronave në Hamallaj”, banorët kanë reaguar menjëherë. Ata kanë rritur tonet e replikës në distancë me prefektin Alizoti duke shkuar deri në fajësimin e tij të drejtpërdrejtë në këtë skandal të shumëpërfolur për shkak se me tokat në Hamallaj dyshohen të mbërthyera interesa të funksionarëve më të lartë të shtetit. Banorët kanë shkuar deri atje saqë e kanë cilësuar Alizotin personin numër një që ka abuzuar rëndë me funksionet shtetërore me dëme të mëdha dhe me pasoja të pariparueshme sociale. Konfliktet në terren, në Hamallaj, sa vinë e acarohen pasi banorët që kanë në dorë tapitë e dhëna nga komisioni ndarjes së tokës dhe të nënshkruara nga hipoteka dhe kadastra e qarkut kanë vendosur të shkojnë deri në flijim për të mbrojtuar atë që ata e cilësojë si pronë të tyre të marrë me ligjet e shtetit shqiptar. Me t’u njohur me intervistën që Alizoti ka dhënë për gazetën “Bulevard” banorët kanë udhëtuar drejt Durrësit së bashku me shkresa të panumërta për të dhënë të tjera informacione që sipas tyre implikojnë drejtpërdrejtë prefektin Alizoti në grabitjen e pronave të banorëve për llogari të klaneve të kapura me kupolën e politikës. Çështja e konfliktit të mprehtë në Hamallaj, që tre vite më parë degjeneroi në dhunë nga ana policisë dhe forcave speciale ndaj banorëve, është më se e njohur për qeverinë, parlamentin, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit dhe diplomatët e huaj në Tiranë.

Akuza

Prefekti Durrësit Genci Alizoti është vënë nën akuza të ashpra të cilat lidhen në shfrytëzimin e pozicionit të tij shtetëror. Banorët kanë sjellë fakte të reja ndërsa kanë pohuar se shumë shpejt do të bëjnë të ditur edhe të vërteta të tjera shumë kompromentuese të cilat do e vendosin Alizotin në një pozitë mjaft dramatike. Banorët janë shprehur se Alizoti ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë skandal dhe se abuzimet e tij kanë nisur që kur ishte kryetar i qarkut. Gjithçka lidhet me vendimin numër 14, datë 21.3.2003 të këshillit të qarkut Durrës të nënshkruar nga Alizoti që asokohe ishte kryetar. Denoncuesit janë të sigurtë teksa thonë se një vendim i tillë nuk ekziston në asnjë institucion dhe se është shkruar nga ai jo në atë vit por shumë kohë më pas për t’u arkivuar vetëm në dosjen e tij me qëlliin e vetëm pë të favorizuar Gazmend Dibrën dhe të tjera pas tij. Banorët kanë kërkuar të mësojnë për këtë vendim në Ministrinë e Bujqësisë, në zyrën e regjistrimit të pronave të paluajtshme në Durrës, në bashkinë Sukth dhe gjithandej por nuk kanë ndeshur në asnjë protokoll marrjeje në dorëzim. Kjo ka bërë që banorët të lëshojnë drejtpërdrejtë akuzën se shkresa me vendimin fiktiv është edhe nyja problemit. Në këtë shkresë shkruhet se qarku ka marrë vendim që fshatit Hamallaj të ish NB-së Sukth t’i vihen në dispozicion për t’u ndarë parcelat e mëposhtme…(duke renditur numrin e parcelave). Edhe nëse shkresa do të ishte e efektshme në kohën për të cilën bëhet fjalë në këtë vendim, toka në Hamallaj ka qenë e gjitha e ndarë dhe banorët kanë pasur asokohe tapitë në dorë. Banorët pohojne se vendimi duhej të merrej para datës 01 tetor 1992, kohë që ka nisur ndarja e tokës. Komisioni i ndarjes së tokës në Hamallaj ka dorëzuar tek regjistruesi i asaj kohe në Durrës Vangjush Dako të gjithë dokumentacionin me datë 17 shtator 2004. Mbyllja e kësaj çështje do të thoshte se toka në Hamallaj ishte ndarë. Ndërkohë Alizoti me shkresë të datës 29. 10. 2004, pra një muaj e 12 ditë më pas, i kërkon zyrës së regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Durrës të zbatojë vendimin numër 14, datë 21. 3. 2003 thënë ndryshme të niste edhe një herë nga e para ndarja e tokës 8-9 vite pasi kishte përfunduar gjithëçka. Sipas shkresave që disponojnë banorët të përfshirë prej vitesh në konflikte gjyqësore me prefekturën e Durrësit, kjo e fundit me shkresë të datës 07. 10. 2009 i kërkon bashkisë Sukth të verefikojë nëse janë ndarë sipas ligjit parcelat e fshatit Hamallaj numër 1/2, 1/3, 1/4, 1/5 e të tjera, plot 18 të tilla. Banorët, të cilët kanë ndjekur me vëmendje të gjithë procedurën, kanë vënë re se 18 çertefikatat fiktive nuk kanë numër vendimi 1,2,…10 e kështu me rradhë porn ë zërin përkatës kanë të shënuar numrin e parcelës si në shkresën e prefekturës së datës 07.10.2009. Pra numri parcelës është shënuar si numër pasurie në këto çertefikata çfarë nxjerr në pah, sipas banorëve, bashkëpunimin në fiktivitet dhe fallsifikim të hipotekës me prefekturën. Skandali në Hamalle lidhur me tjetërsimin e pronave ka në qendër një vendim numër 2 të datës 19.9.2005 i cili ndonëse është kërkuar nga banorët nuk rezulton të ekzistojë. Saktësisht ky numër vendimi është marrë për pronat e familjes Qorraliu në tokat e Ishmit, në një kohë që është shfrytëzuar pa asnjë lloj ndryshime, shtese apo të dhëna të tjera edhe në tokat e Hamallaj. Banorët thonë se ka një dosje numër 2 por jo vendim numër 2 për Hamallen. Në bazë të këtij vendimi janë lëshuar 18 çertefikatat e mësipërme të gjitha të falsifikuara sipas banorëve. Prefektura e Durrësit ka tentuar ta kalojë përgjegjësinë tek bashkia Sukth e cila për kohën që është drejtuar nga kryetari i ndjerë ka pasur një korespondencë të rregullt dhe të saktë, duke mos lejuar shteg për abuzime. Kështu me shkresë numër 976 prot, datë 23.11.2009 dhe të nënshkruar nga kryetari Yrjan Hasani prefektura vihet në dijeni për listën e banorëve në fshatin Hamallaj deri me 30.9.1992 që mbyllet me numër rendor 284 banorë dhe listën e numrit të banorëve që janë trajtuar me tokë sipas ligjit 7501 dhe që mbyllet me numër rendor 419 punonjës. Hasani ka theksuar se lista është përpiluar në bazë të vendimit të KM numër 542 datë 17.10.1992. Gjithnjë mbështetur në atë që thonë e mbrojnë banorët prefekti Genci Alizoti është përgjegjësi kryesor që me dokumentet fiktive të dërguara në gjykatë manipulon të vërtetën. Janë 20 banorë të Hamallaj që presin vendimin e Gjykatës së Apelit për të marrë pronat e tyre. Por këta nuk janë të vemtit që rrezikohen nga humbja e të drejtës së pronës me vendim gjyqi. Të tjerë pritet të kenë të njëjtin fat pasi vet prefekti Durrësit ka bërë të qartë se shumë shpejt do të jenë edhe të tjera tapi që do të kalojnë në gjykatë për t’u shfyqizuar, një pjesë e konsideruar e tyre nën justifikimin se toka do të shërbejë si zonë e zhvillimit të turizmit. Ata e kanë apeluar vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor në Durrës pasi kjo gjykatë i dha të drejtë prefekturës. Sipas banorëve komisioni verefikimit të titujve të pronësisë me varësi të drejtpërdrejtë nga prefekti Alizoti, hipoteka e Durrësit dhe një pjesë e administratës së bashksië Sukth një ditë do të vendosen para drejtësisë për atë që ata e kanë cilësuar si bashkëpunim në vjedhjen e pronave të banorëve të Hamallaj përmes fallsifikimit të dokumenteve shtetërore. Nga 408 tapi, janë bllokuar 33 prej tyre dhe të gjitha lidhen me konfliktin mes tyre dhe familjes Qorraliu e cila, sipas banorëve, ka mbështetjen e prefekturës, hipotekës, administratës së bashkisë Sukth dhe qarqeve të lidhura ngushtësisht me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Bëhet fjalë për 30 ha tokë në afërsi të brezit të rërës në plazhin e Hamallaj e cila është bërë pjesë e lakmuar për ndërtimin e një fshati turistik. Toka aktualisht punohet dhe administrohet nga banorët të cilët e kanë marrë atë nga komisioni i ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, por që tapitë e tyre janë bllokuar duke mos përfituar dot kështu të drejtën e marrjes së çertefikatës së pronësisë. Banorët kanë thënë se kohët e fundit kanë shtënë në dorë një tjetër vendim që pretendohet se ka të bëjë me abuzimet lidhur me pronat në Hamallaj. Janë 20 emra të lakuar, mes tyre edhe persona që kanë marrë sipërfaqe në mijëra ha pa qenë as banorë dhe as punonjës të NB-së. Bëhet fjalë për vendimin me numër 1159, që pritet të zbardhë edhe implikimet e emrave shumë të njohur dhe të veshur me pushtet.

Previous articleBllokohet sistemi i printimit të faturave të energjisë në Durrës. Konfuzion tek qytetarët
Next articleRusia i “fal” borxhin Kubës