Home Ekonomia Bankat “shpëtojnë” 2020-ën. Kreditë me probleme në rënie, aktivet prekin rekord

Bankat “shpëtojnë” 2020-ën. Kreditë me probleme në rënie, aktivet prekin rekord

Nga “Scan Intelligence Unit”

Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë mbi shëndetin financiar të sektorit bankar tregojnë se norma e kredive me probleme ndaj totalit të huasë gjatë dhjetorit ka prekur nivelin më të ulët që prej muajit qershor të vitit 2020. Norma fiksohet në 8.11%, në rënie të ndjeshme krahasuar me muajt paraardhës, kur ishte vënë re një tendencë e lehtë në rritje. Shifra rezulton gjithashtu ndjeshëm nën nivelin e dhjetorit 2019, pra para pandemisë, kur fiksohej në 8.37%. Ky tregues është ndër më të rëndësishmit për shëndetin financiar bankar, dhe ecuria e qendrueshme e këtij indikatori gjatë muajve të pandemisë sinjalizon jo vetëm një formë të mirë të sektorit, por edhe moscënimin e aftësisë paguese të bizneseve dhe individëve gjatë kësaj periudhe kohore.

Sa i përket treguesit të aktiveve të sektorit bankar, totali ka prekur nivelin më të lartë historik, në 1.58 trilionë lekë, çka përkthehet në afërsisht 12.7 miliardë euro. Edhe ky indikator është rritur në mënyrë të qendrueshme gjatë vitit të krizës, me përjashtim të tremujorit të dytë të vitit, kur ekonomia hyri në një fazë bllokimi thuajse totale. Gjatë vitit 2020, aktivet e bankave që operojnë në vendin tonë, 12 në total, janë rritur me rreth 106 mld lekë, ose rreth 855 milionë euro, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

SOURCEbulevard news
Previous article“Po vjen ndryshimi i madh”/ Milaim Zeka lëshon paralajmërimin e fortë: Edhe vet Edi Rama e pranoi!
Next article“Kjo është çmenduri! Jepini fund këtyre zakoneve!”, ja çfarë po ndodh në Divjakë pas ultimatumit të Erion Braçes