“Balkan Bordello” është një dramë për shoqëritë e traumatizuara. Personazhet e saj i nënshtrohen fatit. Drama është vepër e autorit të njohur kosovar Jeton Neziraj, me regji nga Blerta Neziraj. Teatri i famshëm nga Nju Jorku, La MaMa, sjell në Tiranë shfaqjen “Balkan Bordello” me artistë nga vende të ndryshme të botës, që më datë 6 nëntor do të jetë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
E bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, “Balkan Bordello”, përmes humorit të zi prek indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerr në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. “Balkan Bordello” shprehet autori Jeton Neziraj është dramë për shoqëritë e traumatizuara, që hanë vetveten. Sipas tij, një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar. “Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzive të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje- i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të ’90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tani””, shprehet Neziarj.
Por ai thotë se në të vërtetë pak gjëra kanë ndryshuar që nga vepra e Eskilit e shkruar në Greqinë Antike e deri më sot. “Asgjë nuk mund tu japë një shpjegim të arsyeshëm tragjedive njerëzore të shkaktuara nga njerëzit dhe në këtë kuptim “Balkan Bordello” e adreson këtë pakuptimësi me anë të një humori specifik që ne e njohim mirë”, shpjegon Jeton Neziraj.