Home Opinion Avokati i dyfeqeve të 21 Janarit, denoncon Portin e Durrësit nga “Kulla...

Avokati i dyfeqeve të 21 Janarit, denoncon Portin e Durrësit nga “Kulla e Barit”

Nga Kristo Mërtiri

-Ore babam, unë nuk do marr malet e të cmendem pas “zbulimeve”(kupto: brockullitje e teorizime shterpa) të avokatit pa asnjë cipë dinjiteti e personaliteti në mbrojtje të vrasësve të 21 Janarit të zi,-na thoshte dje, një jurist jo dosido i moshuar.

-Mos u cudisni hic kur Halimi bilbilos dy faqe gazete për Portin e Durrësit, pasi ia kanë përkthyer nallbance ca copëza informative ndërkombëtare qysh një vit e gjysëm më parë ! Paska bërë edhe një farë libri-qitap me këshilla “speciale” për juristët e rinj (C’farë do mësojë Ana, vajza e Ziver Veizit, juristja më e re me master ?) dhe bën biznes duke ulëritur e derdhur lotë krokodili për pronat publike. Aq sa tek kullat binjake përballë Kryeministrisë(atje ku ka ngritur edhe selinë avokatore), herë pas here njerëzia kalimtare trishtohet thellë e mban këmbët duke dëgjuar “vajet” nga goja e një vajtojce të dalë boje…Fare pak metra larg gjakut të patretur të 4 burrave me duart në xhepa. Mbrojtësi kryesor i dyfeqeve shtetërore të Gardës(Kryetar Komisioni Parlamentar), ku edhe gazetarët i quajti “grup pucistësh”, dha prova të fëlliqura besnikërie e militantizmi të thekur provincial. Dhe i polli…mushka ! Befas iu dhurua posti “meritokratik”(jo shkërdhatokratik!) i ministrit të Drejtësisë ! Vur duart në kokë, po deshe, ose qepju malit të Dajtit dhe sokëlli për Shtetin e së Drejtës ! Eshtrat e 4 të vrarëve te shkallët e trotuaret ngjitur me selinë e Qeverisë së Halimit, me siguri u drodhën atje ku prehen padrejtësisht e përjetësisht. Raporti i tij i turpshëm do jetë ndryshkur nëpër sirtarët erë myk të Parlamentit “pluralist”, në tempullin më të lartë të Fjalës së Lirë e Demokracisë..

Nuk është rastësi që ai hyn e del jo si fanti spathi në debatin politik për projektin e Portit të Durrësit. Se vërtet tenton të kryejë detyrën e prokurorëve hetues, por edhe kapardiset e stoliset si ish ministër e avokat “qimexhel”. Dhe këmbëngul jo pak për të trainuar juristët e rinj fringo, por edhe lexuesit që mbyten nëpër fraza e citime megalomane e bajate, të shkëputura amatorce gjoja nga perëndimi, nga BE-ja dhe ndonjë studim i huaj që nga njëri vesh të hyn e nga tjetri të del. Thonë se magjistratët e rinj mbetën me gojë hapur e të shushatur nga leksionet e avokatit(deputet) të vrasësve të 21 Janarit, që u bë sa cel e mbyll sytë, jo shaka por Ministër (C)Drejtësie ! Të ofrosh modele të tillë përballë së ardhmes së jurisprudencës shqiptare, nuk të vjen vetëm për të vjellë rreth malit me hipokrizi të pashoqe. Dikur e tha bukur një miku im i vecantë: Ai ishte dhe mbeti një shishe bosh në “radhën e qumështit”! Prishi ndërgjegjen partiake e politike, por ndreqi ekonominë private dhe mbarsi llogaritë e veta financiare edhe kur lëshoi karrigen e deputetit, gjoja për “një projekt rajonal”(gënjeshtra me brirë dhe pa brirë). Pastaj zbuluan një post të padëgjuar nëpër forcat politike shqiptare: “Koordinator special për zgjedhjet në PD”(?!). Jo më kot rrëfejnë se mandatin e deputetllëkut nuk e dhuroi, por e shiti shtrenjtë te pasardhësi biznesmen. Pra, pehlivan që di të kërcejë tel më tel ! Vetë ngjitet si kulpër e me katapult nëpër postet qeveritare, ndërsa ortaku i tij provoi prangat e qelirat e burgut (?). Fjala vjen, kur ishte ende ministër (C)Drejtësie, durrsakët e mencur e dinjitozë(të cdo force politike), nuk e kanë kujtesën të shkurtër sa të harrojnë Halimin duke bërë karshillëk e pirë kafe si skuth me një ish të dënuar  me burgim të përjetshëm në mungesë. Por ama publikisht dhe me plot kurajo qytetare, i pari që ia bëri të ditur opinionit të gjerë, është Vangjush Dako. Askush nga Qeveria e Partia e tij nuk pipëtiu ndaj këtij denoncimi jo të lehtë e tepër djegës e domethënës. Në këtë rast, personalisht besova dhe besoj Vangjushin që elektorati ia besoi mandatin për disa legjislatura !

Mirëpo, pas kaq vitesh, Halimit po i “digjte” barku e shpirti “biznesmen” për Portin e Durrësit. Dhe na përrallis teorema dhe rrena për rrjetin e kompanive offshore e për parajsat fiskale që mund t’i ketë provuar praktikisht me milionat e veta tepër të dyshimta. Dhe tellallët e tij, vënë pëllëmbët rreth gojës e thërrasin se “ekasperti ligjor zbërthen skemën e mashtrimit duke paralajmëruar se përmes saj do të pastrohen paratë e lidhura me krimin dhe korrupsionin”. Asnjë emër e mbiemër, asnjë adresë që mund të ngrejë në këmbë të mirin e të ligun ! Dhe mbi të gjitha SPAK-un. Po të ishte kështu, do thërrisnim në kupë të qiellit:-Zotërinj Prokurorë, mos përtoni, mos dremisni e mos ëndërroni shumë, merrni denoncimin e ish ministrit me kolltuk të lyer nga gjaku i 4 qytetarëve krejt të pafajshëm ! Merreni denoncimin nga Deputeti Avokat i vrasësve të 21 Janarit ! Mos harroni, ka edhe një cikë përvojë nga shkolla policore shqiptare…Prandaj ligjëron i telikosur e i plevitosur si nga “Kulla e Barit”, atje, përballë gjakut dhe Kryeministrisë në Bulevard, në zyrat e shtrenjta luksoze të Kullave Binjake…

Unë si gazetar veteran, nuk jam plotësisht dakort me mendimin e një ish kolegu të tij jurist, që nxitoi t’i vinte kapak muhabetit:”Amani, more, më dëgjoni pak e ma bëni kabull ! Më duket se nuk e njihni fare Avokatin “qimexhel” Halimi. Ai “nuhat si zagar, përgjon si dhelpër dhe shtrihet si gjarpër”. Ja, më thoni, kush e ka mjelur më shumë “lopën” e PD-së me aq inteligjencë e kompetencë “juridike” e politike ?…

Megjithse pyetjet dhe përgjigjet parafabrikate të bëra me dorën e tij(në gati 2 faqe gazete), një profesionist i vëmendshëm e penëhollë në Gazetari nuk u lodh shumë për ta identifikuar këtë lloj rrëfimi ulërak e qesharak. “Pac fatin e kurvave politike e financiare !”, kaq tha kolegu ynë i ndershëm e modest tërë jetën. Dhe unë e të tjerë e besojmë shumë sot e kësaj dite. Prandaj kujtova menjëherë thirrjen pa ekuivoke e gjithnjë aktuale e qytetare, të Indro Montanelit : Mos i besoni një gazetari pasanik !

Tregojnë se në PD nuk është vetëm Doktori i kthyer në “Kullë Bari”, por edhe ky Halimi i qofteve e i supës së burgut ! Tundja dhe shkundja e dosjeve nga Doktori, nuk ishte thjesht një rit i lashtë e as një beze e kuqe përballë demave të vjetër e të rinj rebelë në politikë. Ky ves mbi 30 vjecar i detyroi mjaft “kundërshtarë” të iknin me bisht në shalë nëpër ca shpella dëshpërimi e hakërrimi, frike e përgjimi. Shkurt, u bënë me hije ! Prandaj ai u kthye në kullë bari, “brenda së cilës ndodhen thesare dhe relike për shumicën që deri dje ai i ka patur bashkëpunëtorë…”. Vetëm Halimkat milionerë me para e pasuri të pista, hynin e dilnin nga sqetullat erërënda të liderëve kalanderë…Se Halimi, avokati bërxhuk me shpirtin e zi sterrë, vërtet mund të mos ketë në dorë as celësat e saj të kashtës, por ama rikthehet herë pas here tamam si diversant (Beqir Aga i filmit të shumënjohur?) dhe “kërkon të shpërndahen trakte ku të thuhet “populli është me ne”. Pa lëshuar nga dora bombat Molotov apo urat e zjarrit primitiv nga vilat me disa oxhaqe e vatra përvëlake dhe me plot tualete për njerëzit, macet e qentë. Qenëria besnike e verbër, tashmë e di mirë se “popullin nuk e kanë me vete”. Ndërsa Halimi, avokati  “ekselent”  i vrasësve të 21 Janarit që pikon ende mjaft dhimbje, dëshpërim e pse jo zhgënjim të pasosur nga Drejtësia e rinovuar, fërkon barkun e duart dhe befas dëgjon aktoren e papërsëritshme, Drita Pelingu, tek shpërthen e flet prerazi:”-Jo, Beqir Aga, jo ! Nuk jemi aq budallenj sa na pandeh ti. Kulla e barit nuk do të digjet !…”.

Dhe ashtu i sfilitur e “qimexhel” i gazavitur, noton gjoja nëpër “ujëra ndërkombëtarë” duke shtrënguar fort kartat e “ekspertit”. Karta ende të padjegura as në Gërdec( për të cilin nuk i erdhi kurrë goja gjer më sot !) e as në “furrën” e sapondezur përballë Portit të Durrësit. Dhe pret e shpreson derëziu e punëziu për ndonjë kockë në “thertoren” e nesërme të pushtetit. Se është koha e të pabesëve të kamur e të dhjamur, që u “qan” shpirti për Besën dhe pasuritë e rrëmbyera falë Polit(h)ikës pa din e iman që nuk njeh hic “ndeshje alternativash”. E tha bukur dje, një miku im studiues serioz e publicist i mencur : “Jeta është aritmetikë, Olimbii”,-thoshte Nikollaqi…Fatkeqësisht, për gati një shekull, biznesi më fitimprurës në skërkat tona ka qenë dhe mbetet politika”. Këtë po e kupton përditë e më mirë edhe Halimka që mund të rreshtohet “vullnetarisht” te Aleanca e Rublave…

Previous articleMungesa e qumështit shtrenjton bulmetin; Çmimi i gjalpit arrin 1,600 lekë, ndikohet dhe nga kërkesa e lartë për bakllava
Next articleMijëra hektarë tokë nën ujë/ Si paraqitet situata në Shkodër, 482 banesa të përmbytura