Home Aktualitet Audit i Gjiknurit, tre drejtues ne ndjekje penale

Audit i Gjiknurit, tre drejtues ne ndjekje penale

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve:1. Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
2. Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
3. Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD. Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.