Home Rajoni Asnjë “shenjë” nga Kosova, Vuçiç thirret në Bruksel nga krerët e BE,...

Asnjë “shenjë” nga Kosova, Vuçiç thirret në Bruksel nga krerët e BE, ja çfarë pritet të diskutohet

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka njoftuar gjatë një interviste të saj për televizionin Pink në Serbi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë kësaj jave do të udhëtojë për në Bruksel për të zhvilluar takime që kanë të bëjnë me situatën në Kosovë. Brnabiç nuk u tregua specifike se me kë do të takohet Vuçiç, përveçse tha që ai po shkon “që të vazhdojë betejën për ruajtjen e paqes”, duke iu referuar zhvillimeve në Veri të Kosovës. Nga Bashkimi Evropian nuk kanë komentuar ende lidhur me këtë vizitë të Vuçiçit dhe në çfarë niveli bëhet ajo. As nga Qeveria e Kosovës nuk është njoftuar nëse Kurti do të këtë vizitë të profilit të ngjashëm në Bruksel, apo edhe ndonjë takim eventual me presidentin serb. Takim që pritej pasi Kosova veçse ka pranuar hapat e propozuar nga Bashkimi Evropian për de-eskalim të situatës në Veri, duke ndërmarrë si hap të parë reduktimin e numrit të policëve të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut. Ndërkohë , njoftimi i fundit nga Bashkimi Europian, ishte ai i të dërguarit për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili njoftoi të dielën në mbrëmje se është duke punuar për organizimin e takimit mes shefit të Grupit Negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Ai u shpreh i lumtur se janë bërë hapa konkrete drejt çtensionimit të situatës në veri, pas disa muajsh tensione. “Biseda jonë u përqendrua në çtensionimin e situatës në veri të Kosovës në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor dhe punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Më vjen mirë që ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, theksoi Lajçak.

Previous articleHetimi ndaj Arben Ahmetajt, BKH kontroll në banesat në Gjirin e Lalëzi dhe në Tiranë
Next articleItalia vazhdon ta shohë Shqipërinë nga këndvështrimi kolonialist