Akademia e Studimeve Albanologjike ka qenë e fokusuar në dy drejtime në vitin që lamë pas. ASA shprehet se së pari, në albanologjinë përtej nesh, pra në raport dhe bashkëveprim me të tjerët, me homologët në botë, për ta integruar shkencën albanologjike si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të rëndësishëm mbi kërkimin shkencor. “Marrëveshjet me universitetet e Ballkanit, të Evropës e më gjerë, po i japin mundësinë Akademisë sonë për të kontribuar dhe njëherazi përfituar në projekte ku identiteti shqiptar ka shumë për të treguar në mesin e identiteteve kulturore të popujve dhe qytetërimeve, të cilat diskutohen dhe analizohen në tregun e përbashkët të kërkimit shkencor”, thuhet nga ASA. Aspekti i dytë në fokus vijon ASA, kanë qenë çështjet e albanologjisë, që është reflektuar në konferencat mbarëkombëtare për çështje të gjuhës, historisë, antropologjisë, edhe për faktin se Akademia e Studimeve Albanologjike ka një shtrirje kudo ku flitet shqip, nga Tirana në Prishtinë, Shkup, Mal të Zi, Tivar, diasporë. “Si rezultat i kësaj strategjie që parashikohet të vazhdojë kështu, së paku deri në vitin 2027, dhe bazuar në Ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ASA po ndjek rrugën dhe mekanizmat e zhvillimit që e bëjnë këtë institucion lider në studime albanologjike. Me qëllim ndërkombëtarizimin e cilësisë së kërkimit shkencor, në vitin 2022, ASA ka nënshkruar disa marrëveshje ndërkombëtare, mbarëkombëtare dhe në nivel kombëtar”, thuhet nga ASA. Për vitin 2023 ASA shprehet se synon të ketë një rol aktiv lidhur me politikat arsimore mbi gjuhën, kulturën dhe historinë në Republikën e Shqipërisë, rajon e më gjerë; të bëhet një qendër ekselence për studimet ballkanike, një vizion që bazohet te kapacitetet akademike dhe organizative, si dhe te nevoja dhe dëshira për dije të thelluara dhe krahasuese mbi rajonin e Europës Juglindore.