Home Portret Artisti që u bë prift, At Spiro Katundi: Plotësova amanetin e babait

Artisti që u bë prift, At Spiro Katundi: Plotësova amanetin e babait

Këngëtari, kantautori dhe aktori, Spiro Katundi në vitin 1992, veshi rason e priftit ortodoks. Është i vetmi prift i kishës Autoqefale shqiptare, mbase dhe përtej kufijve, që vjen nga skena e teatrit dhe festivaleve.

“Më kanë thënë shumë nëse ka një prift që të jetë kantautor, kompozitor dhe krijues. Jo, në kishën ortodokse shqiptare jam i vetmi, por dhe në Ballkan nuk kam dëgjuar të ketë. Për besimtarët është e pranueshme. Ata e dinë që prifti i tyre dhe këndon.”, tha ai per ABC.

Rrugëtimi artistik i Spiro Katundit, ka filluar që në fëmijëri. Fillimisht tek Teatri Kukullave, më pas në qytetin e Cërrikut dhe Elbasanit, kur shkoi ushtar, për tu rikthyer më pas në qytetin e Korçës si solist profesionist në Teatrin e Estradës.

“Fillimisht kam dalë si aktor në Teatrin e Kukullave. Duke luajtur në Teatrin e kukullave, kishte dhe këngë që në qëndër kishte kafshët. Shumë nga këto këngë i këndoja unë. Duke më dëgjuar, më thanë, përse nuk këndon. Por unë nuk po e merrja ende insiativën për të kënduar. Dëshira ishte e madhe, këndonim lart e poshtë me shoqëri, por për në skenë ende nuk ndihesha gati.

Kur ika ushtar në Cërrik, aty po aktivizohesha. Cërriku në atë kohë ka qenë një qytet që ka prodhuar art më tepër se Elbasani. Pra nga grupet në ushtri, shkova në Elbasan dhe mora pjesë në dy festivale. Sapo përfundova ushtrinë, fillova menjëherë në Estradën e Korçës për 15 vjet rresht, nuk kam munguar në asnjë shfaqe të vendosur në skenë.”

Si këngëtar u bë edhe më I njohur, kur ju hapën dyert në festivalet e mëdha kombëtare nga viti 1983.

“Karriera filloi me marrjen pjesë në festivalin e interpretuesve, që bëhej në atë kohë. Merrnin pjesë 45 interpretuesë të këngës shqiptare. Përveç Vaçe Zelës, Tonin Tërshanës, Luan Zhegut merrnin pjesë dhe shumë të tjerë. Kam qenë pjesëmarrës në të 5 festivalet e interpretuesve dhe në 2 festivalet e dhjetorit.”

Ai ndan kujtime shumë të bukura nga pjesëmarrja në festivale. U miqësua dhe me shumë këngëtarë të mëdhenj me një pjesë të të cilëve mban kontakte dhe sot.

“Atmosfera ishte shumë pozitive. Gjithçka që krijohej, kishte një taban. Gjithçka bëhej për publikun. Sapo trasmetohej kënga, të nesërmen motivi saj ishte në gojën e njerëzve, pasi kishte motive popullore apo qytetare dhe kapeshin nga nga veshi dëgjuesve. Tekste shumë të bukura, përjashto ato të ideologjizuara dhe atmosfera midis kolegëve ka qënë shumë miqësore. Kam patur shumë miq nga këngëtarët, me të cilët i ruajmë lidhjet dhe sot, si me Bashkim Alibalin, Telembak Papapano, Luan Zhegun, Kozma Dushin, Liljana Kondakçiun, Mifarete Lazen, Alida Iskun, të gjithë atë plejadë këngëtarësh.”

Kur ndryshoi sistemi u hapën dhe kishat, Spiro Katundi vendosi të plotësonte amanetin e të atit, I cili shërbeu si klerik deri në vitin 1967.

“Familja ime rrjedh nga një familje besimtare. Gjyshi nga babai ka qenë prift edhe babai ishte prift. Nuk e arriti dot hapjen e kishave dhe e kishte peng që u mbyllën kishat dhe ma la amanet: “Po të hapen një ditë  kishat ose ti ose vëllai do bëheni prift. Kështu që u bëra unë”.”

Në vitin 1991 ju bashkua korri të kishës dhe një vit më pas nisi studimet në Akademinë teologjikë në Durrës. Gjatë kohës që studionte teologji u shkëput nga krijimtaria dhe nuk këndoi jashtë ambiente kishtare. Kur u gradua si prift nisi të kompozojë dhe shkruajë për fëmijë, që merrnin pjesë nëpër festivale.

“Shkëputje nga kënga pata vetëm gjatë viteve të shkollës teologjike, ku fillova dhe si klerik ortodoks. Më pas u riktheva muzikës, por si krijues. Fillimisht krijues këngësh për fëmijë. Për 25 vjet mora pjesë në Festivalin Kombëtar të fëmijëve, duke u vlerësuar me çmime të treta, të dyta dhe të para. Por jo vetëm kaq. Kam bërë dhe dy koncerte recitale për të rritur.”

Me nisjen e shërbesave në kishat e Korçës ngrit korre.

“Këngë të Krishtlindjes apo përshtatjeve që i kam bërë muzikës bizantine, në pentagram./Javanews

Previous articleNjë nga dy njerëzit e parë që shkeli në Hënë, martohet austronauti 93-vjeçar
Next articleMbyllet Machu Picchu, një nga ikonat e turizmit botëror