Home Aktualitet Artisti i Popullit, Robert Ndrenika: Mos më kryqëzoni pse dua teatër të...

Artisti i Popullit, Robert Ndrenika: Mos më kryqëzoni pse dua teatër të ri bashkëkohor

I kritikuar së fundmi për faktin se kërkon një teatër të ri, Artisti i Popullit Robert Ndrenika ka reaguar këtë të shtunë përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku kërkon të sqarojë pozicionin e tij.

Me lutjen “për të mos e kryqëzuar” pse kërkon një teatër të ri, aktori i njohur i skenës shqiptare shpjegon se ky ka qenë mendimi i tij që në fillim të debatit, ndërsa thekson se meraku i vetëm që ka pasur ka qenë ai i mostjetërsimit të pronës së teatrit.

“I vetmi lëshim që kam bërë ditët e fundit është se kam pranuar PPP-në, me kushtin e vetëm që përveç godinës (teatër) që do të ndërtohet në favor të PPP-së, nuk do të lëshohet asnjë centimetër katror nga TOKA e TEATRIT KOMBËTAR!”, vijon më tej statusi i aktorit të mirënjohur.

Ndërsa, atyre që i thonë se e kanë gënjyer, Artisti i Popullit iu përgjigjet: Po besa e shqiptarit ku vete?

“Ju bëj të ditur se nuk jam JEZU KRISHTI, madje as BARRABA, dhe gojën nuk e kam vetëm për të ngrënë kos (pa yndyrë) dhe të pi ilaçe, por e kam edhe për të FOLUR!”, mbyll reagimin e tij Robert Ndrenika.