Home Kulture Artistët e Cirkut Kombëtar me shfaqje në qytete të ndryshme

Artistët e Cirkut Kombëtar me shfaqje në qytete të ndryshme

Artistët e Cirkut Kombëtar po vazhdojë këtë sezon vere me shfaqje në qytete të ndryshme. Së fundmi artistët e cirkut ishin në Sarandë. Cirku Kombëtar shprehet se artistët dhuruan emocione tek publiku që i ndoq gjatë kësaj shfaqje, që u zhvillua këto ditë vere. “Cirku Kombëtar mbrëmë në qytetin e Sarandës. Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku! Artistët dhe akrobatët emocionuan publikun e madh e të vogël të cilët i pritën me duartrokitje e buzëqeshje”, shprehet Cirku Kombëtar në faqen e tij në rrjete sociale, ku ka ndarë dhe disa foto të shfaqjes që u zhvillua për publikun e madh dhe të vogël në qytetin e Sarandës. Artistët e Cirkut Kombëtar ishin në Sarandë më 16 korrik, por më parë në datën 12 korrik ata gjithashtu dhanë një tjetër shfaqje në Velipojë. “Artistët dhe akrobatët emocionuan publikun e madh e të vogël të cilët i pritën me duartrokitje e buzëqeshje”, thuhet në faqen e institucionit. Cirku shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat, ku artistët kanë shfaqur aftësitë e tyre artistike.

Previous articleZelensky kërkon vazhdimin e marrëveshjes së drithërave pa pjesëmarrjen ruse
Next articleMurriqi e nis aty ku e la, dy gola në miqësoren e Mallorcas!