Home Slideri “Aron Quartet” hap ditët kulturore austriake në durrës, mozaik 2013, edicioni i...

“Aron Quartet” hap ditët kulturore austriake në durrës, mozaik 2013, edicioni i VI

per mail posteri-01.jpg mozaik 2013Nga Metila Dervishi / Një ‘dhuratë’ nga ambasadori austriak Florian Raunig në Shqipëri me rastin e mbarimit të mandatit. Vazhdojnë kontributet për muzikantët e rinj.

Mbrëmjen e së martës, më 7 maj në ambientet e shkollës së mesme artsitike ‘Jan Kukuzeli’, salla ‘Pjetër Dungu’, Durrës, u hap sipari i ditëve të kulturës austriake në Shqipëri, apo projekti i ashtuquajtur ‘Mozaik’, i cili bën vitin e gjashtë që realizohet në vendin tonë. Si gjithnjë marrim pjesë emra të njohur pedagoge, profesorë nga Austria, kryesisht nga qyteti i Vienës, të cilët, jo vetëm që prekin skenat për herë të parë në vendin tonë, por edhe japin një kontribut për muzikantët e rinj, nxënës e studentë me workshop-et që ato zhvillojnë gratis. Këtë edicion ‘miqtë’ e radhës ishin ‘Aron’ kuartet. Një kuartet vienez, i themeluar në vitin 1998, por tashmë me një karrierë të konsoliduar në mbarë botën, i mirëpritur që në fillimet e tij, si nga publiku ashtu edhe nga kritika. Kuarteti përbëhet nga : Ludëig Müller, Barna Kobori, Georg Hamann dhe Christophe Pantillon-i, ishin pikërisht këta katër muzikantë, këta personalitete të muzikës austriake, por edhe më gjerë, që hapën edicionin e VI të mozaik 2013. Duke interpretuar në mënyrë të mrekullueshme, plot stil e elegancë, si fillim kuartetin për harqe në Fa+, op.77/2 të ‘babait të simfonisë’ dhe ‘babait të kuarteti’ klasikut të madh, gjithashtu austriak, Joseph Haydn (1732-1809). Kuartet i kompozuar në vitet e fundit nga ai (1799). Kjo performancë e shkëlqyer u mirëprit nga publiku me duartrokite të zjarrta dhe u pasua nga kuarteti për harqe në lab+, op.105 i kompozitorit Çek Antonín Dvoøák (1841-1904), dhe ky një kuartet i kompozuar në vitet e pjekurisë së kompozitorit (1895), tingujt e të cilit mbyllën edhe mbrëmjen e parë të ‘ Mozaik 2013’. Mbrëmje ku spikatën vlerat, përkushtimi, serioziteti, përgjegjsia e profesionalizmi në shkallën sipërore. Një komponent i rëndësishëm e një nga protagonistet kyç të këtij aktiviteti, është edhe Emi Aliçka, ideatorja dhe themeluesja e këtij projekti që në fillimet e tij, njëkohësisht edhe një nga drejtueset e fondacionit ‘Uliks’. Ajo mbajti fjalën hyrëse, duke falenderuar jo vetëm Ambasadën Austriake për mbështetjen e vazhdueshme për këtë aktivitet dhe Raiffeisen Bank, por edhe shkollën e muzikës në Durrës për predispozitën e mbështetjen për të qenë pjesë e këtij aktiviteti; në veçanti drejtoreshën Nevila Kalaja, për dhënien në dispozicion të të gjitha ambienteve e mikpritjen. Emi Aliçka është një pianiste durrsake, por që zhvillon aktivitetin e saj në Vjenë, pasi është larguar që në moshë fare të vogël për të vazhduar studimet e pianos në Austri. Po përpos instrumentit, ajo i është dedikuar edhe projekteve artistike, të cilat kanë rezultuar gjithnjë të suksesshme e ndonëse veprimtaria e saj është jashtë vendit, ajo gjithnjë ruan një vend të veçantë për vendlindjen e saj dhe kërkon vazhdimisht të japë kontributin personal për gjeneratat e reja të muzikantëve. Ashtusikurse edhe në edicionet e mëparshme edhe këtë radhë u realizuan kurse muzike për nxënësit e muzikës, që këtë radhë u përqendruan në qytetin e Durrësit dhe të Shkodrës. Ndërkohë që surpriza e radhës qe realizimi i një koncerti edhe në Burrel, për të çuar tinguj muzikorë edhe aty ku muzika është e pakët e mungon…Ku fjalën e hapjes e mbajti ambasadori austriak Florian Raunig, duke u shprehur entuziast për realizimin e këtij koncerti në këtë qytet, pasi siç u shpreh dhe vetë ai ‘Edhe Burreli meriton një jetë aktive kulturore’. Projekti u konkludua, ditën e shtunë më datë 11 maj, me një koncert final nga nxënësit e shkollës së muzikës së durrsit nën drejtimin e katër muzikantëve vjenezë, ku u dhanë edhe certifikatat për pjesëmarrje. Sërish kontribut pedagogjik, sërish surpriza e sërish nxënës të rinj të talentuar që marrim impulse e nxitje të reja për të ecur përpara, për ta ndjerë vehten më pranë perëndimit, më pranë metodave bashkëkohore e më të sigurt për të ecur e për të vazhduar përpara rrugën e mundishme, por kaq të bukur të botës muzikore.

Previous articleOsmani: Pas ndeshjes me Norvegjinë do të vendos për të ardhmen
Next articlePrestigji sizifian i një Rilindjeje!…