Home Kulture Arkeologë dhe studiues shqiptarë e italianë kërkime shkencore në zonën e Agorasë

Arkeologë dhe studiues shqiptarë e italianë kërkime shkencore në zonën e Agorasë

Në parkun arkeologjik Antigone, Adrianopol po kryhen kërkime shkencore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se është një projekt, i cili po kryhet në bashkëpunim me Universitetin e Maceratas-s dhe Institutin e Arkeologjisë. “Një skuadër shqiptaro-italiane arkeologësh e studiuesish po kryen kërkime shkencore në zonën e Agorasë në parkun arkeologjik Antigone, Adrianopol. Projekti, i cili po kryhet si një bashkëpunim i Universitetit të Macerata-s dhe Institutit të Arkeologjisë, synon krijimin e një harte të qartë të qytetit antik dhe krijimin e një brezi mbrojtës nga zjarri në Antigone”, shprehet ministrja e Kulturës në Facebook, që ka ndarë dhe foto nga kërkimet që po bëhen në këtë park. Studiuesit e Universitetit të Maceratës kthehen për të disatën herë në këtë sit arkeologjik. Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit. Vendbanimi brenda mureve fortifikuese të shekullit III ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha. Mbi vendndodhjen e Antigonesë ka pasur hipoteza të ndryshme deri sa kërkimet arkeologjike të viteve ‘70 dhanë dëshmi të sigurta për këtë. Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro. Qyteti fortifikohet me mure të fuqishme në fillim të shekullit III para Krishtit, ndërsa nuk përjashtohet që në atë vend të ketë pasur një vendbanim më të hershëm të riemëruar më pas nga Pirro. Qyteti dominonte Luginën e Drinosit, që ishte një zonë rurale e pasur dhe për të mbrojtur gjithë këtë territor kishte edhe fortesa të tjera periferike: fortesa e Leklit në veri, e Labovës në lindje dhe e Selosë në jug. Perimetri i mureve fortifikuese mund të ndiqet i plotë dhe fillon të vërehet që në hyrje të parkut. Në të djathtë të hyrjes, në pjesën veriore të qytetit ndodhet kodra e quajtur “Akropoli”.