Home Slideri Arjan Sheta: Jemi të gatshëm për betejat e kampionatit

Arjan Sheta: Jemi të gatshëm për betejat e kampionatit

sheta 2Kampi durrsak është i bindur se gjatë fazës së dytë Teuta do të prezantohet me një fytyrë të re, ndërsa shprehen se do ta rivalizojnë deri në fund Skënderbeun në luftën për titullin kampion. Një ndër lojtarët kryesorë të “djemve të detit”, Arjan Sheta, ka pohuar se skuadra ka marrë maksimumin nga faza përgatitore, ndërsa tashmë është gati për “luftë”. “Jemi duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve, prej të cilave skuadra u bë edhe më e fortë. Gjithashtu edhe prurjet nga merkato kanë ndikuar, duke qenë që janë afruar disa lojtarë cilësorë. Ne do të shfrytëzojmë çdo ditë për të punuar sa më shumë, në mënyrë që të kthehemi sa më të fortë gjatë fazës së dytë të kampionatit”, – ka pohuar fillimisht mbrojtësi me eksperiencë i skuadrës durrsake. Duke vijuar më tej, Sheta është në të njëjtën linjë me trajnerin Magani, kur shprehet se nuk do të rrinë duarkryq teksa Skënderbeu shpallet kampion. Sipas tij, Teuta i ka të gjitha mundësitë për ta rivalizuar Skënderbeun për fitimin e titullit kampion. “Ne kemi besim se gjatë fazës së dytë do të bëjmë një paraqitje më të mirë se në të parën. Këtë e them pa frikë, pasi me afrimet e reja skuadra është forcuar mjaft. Deri në fund të kampionatit është një rrugë shumë e gjatë dhe me të papritura, ku besoj se do të ketë edhe surpriza. Ne nuk i kemi prerë shpresat për titull, ndonëse duket shumë e vështirë, por jo e pamundur. Skënderbeu është shkëputur 10 pikë, çka është një diferencë shumë e madhe, ku duhet të mos humbim asnjë ndeshje për të përmbysur. Edhe korçarët do të kenë ditë të vështira, prandaj ne duhet të qëndrojmë korrent dhe të mundohemi të rikuperojmë në çdo moment që do të na jepet mundësia. Ndërkohë që me kundërshtarin kemi edhe ndeshje direkte, kështu që rruga është e hapur jo vetëm për Teutën, por pse jo edhe për skuadra të tjera”, – deklaroi Sheta. Teuta do të përballet më 2 shkurt me Bylisin, në kuadër të Kupës së Shqipërisë. Sa i përket kësaj, Sheta pohoi se e kanë përqendruar vëmendjen te kjo sfidë për ta nisur me fitore vitin. “Aktualisht jemi duke u përgatitur për ndeshjen me Bylisin, ndaj të cilit do të kërkojmë me çdo kusht fitoren. Fatkeqësisht skuadra është eliminuar nga kupa, por do ta respektoj këtë kompeticion deri në fund. Përveç kësaj ballshiotët ishin ata që na eliminuan nga Kupa e Shqipërisë dhe besoj se duhet t’ua kthejmë reston”.

Previous articleDuajini zotat dhe mendoni me dashamirësi për vdekatarët
Next articleMagani: Forca e Teutës qëndron tek grupi