Home Opinion Argita me njollë

Argita me njollë

blendiNga Bledi Mane- Public Enemy /Nuk kanë as klasë, as etikë, as guxim dhe nuk ua mban të dalin me zë dhe me figurë tu shfaqen qytetarëve. Mjaftohen me ndonjë deklaratë që e lexojnë folëset e lajmeve dhe u duket sikur lajnë duart si Pilatër. Nuk ka rëndësi nëse janë të pasur apo barktharë si paraardhësit e tyre, detyrimi ligjor mbetet transparenca për taksapaguesit. Nuk pretendon njeri që fëmijët e kryeministrit të jetojnë me asistencë sociale e t’u kërkojnë prindërve ndonjë dymijë lekësh për kafet e mëngjesit por ia vlen ta dimë e të mburremi se a i kemi të pasur dhe a janë të zotë dhe qelibar në bërje pasurish. U mungon guximi t’i shfaqen publikut me zë dhe me figurë sepse nuk duan të acarojnë nervat e njerëzisë dyfish, boll na është bajatisur i ati i tyre tani edhe në Facebook. Guximi u mungon, por më tepër mundon atë Argitën ngaqë i urren kamerat. Veçanërisht teknologjia e re HD e 3D do e zhvishte krejt edhe sikur të mbulonte fytyrën me leshrat e kokës. Kohët e fundit është bërë më e pafytyrë duke parakaluar edhe Erlën dhe Majlindën e qëmoçme, madje po ta shikoni babain krenohet që pjella e tij e parë u rizgjua duke vënë në punë instinktin e fshehur të përçudnimit të kundërshtarit. Janari i ftohtë i ka nxehur topat e sulltanatit të pushtetit dhe futja në lojë e gjithë Familjes nuk duhet marrë aq seriozisht. Beteja e qershorit mbetet finalja për ta dhe të dyzuar e të frikësuar prej një fitoreje që nuk do u buzëqeshë kurrë, kanë zgjeruar frontin e sulmit duke nxjerrë partizane edhe Gitën edhe Xenin. Deklaratat e fundit të fëmijëve plangprishës kaq të drejtpërdrejta nuk mund të jenë kurrsesi thjesht spontane. Me shkrirjen e borës në Alpet e babit do të ngrihen edhe temperaturat në Tiranën e Lulit. Do të fillojë avazi i vjetër duke iu futur kundërshtarit edhe në krevat orë e pa orë.

Kurajo Linda!

E dashur Linda.Merre seriozisht këtë betejë, por me gjakftohtësi ama, pa prishur terezi për çfarë do dëgjosh. Ti ke punuar shumë vite kur Berisha i parë ishte president. Ke dhënë kontribute atëherë kur ekonomia e tregut dhe privatizimet në Shqipëri kishin nevojë për frymëmarrje. Jo thjesht se kam qenë studenti yt, por më duhet të besoj në korrektësinë dhe pasionin tënd të atyre viteve. Kur u martove me liderin e opozitës prej muajsh vendi oshtinte nga lajmet e komentet dhe besoj e mban mend, i vetmi që nuk pipëtinte e nuk shante ishte ai që sot “të ka vënë syrin”. Vitet 1992-1997 kujtohen për diktatin dhe egon perverse të presidentit Berisha, kryeministrit Berisha, kryeparlamentarit Berisha, shefit të ShIK-ut Berisha, kryeprokurorit Berisha, kryegjyqtarit Berisha. Informacioni, lajmi, intriga kalonte më parë nga ai dhe nëse ti e dashur Lindë do të kishe ngrënë pa dashje një lugë çorbë të prishur, Sali Berisha do kishte tellallosur vendin me sharjet dhe atakimet që vetëm ai di t’i bëjë. Sikur të kishte informacionin më minimal rreth ndonjë korrupsioni apo pazari nga ana jote, juve do u ishte prishur dasma, do u zihej në fyt gostia, media qeveritare do ua nxinte jetën dhe do mallkonit veten pse e bëtë publike lidhjen tuaj. Kristaq Ramës ia ka vdekur vdekjen dhjetëra herë me mallkime dhe shpifje prej zombi, Aneta Ramës ia shkurtoi pleqërinë e thinjur duke u munduar ta tjetërsojë si nënë, bashkëshorte dhe kolege, Matilda Makoçit ia plagosi vetminë aq poshtërsisht sa edhe Karl Jung-ut do të shokohej, miqësitë e kryeopozitarit i etiketon si epshe brenda të njëjtit seks ngaqë nuk ka dot kurajon t’ia shprehë Lulit as në inbox-in e Facebook-ut atë që po e gërryen. Përgatitu Linda dhe reago me dinjitet. Nuk ka për të të lenë kusur se janë orët e tyre të fundit. Po gërmojnë nga fëmijëria jote nëse kishe oreks e vogël, nga familja jote nëse kishit ndonjë komunist? Nga martesa jote e parë po gërmojnë dhe kanë për të dalë me konkluzione finale me shpifje dhe atakime deri te vajza jote e vetme. Gjakftohtësi dhe tendosje nervash. Maturia do të jetë më e vlefshme për ty. Nuk e nxjerrin dot Lirinë të të atakojë se korrupsioni autist i saj ia ka marrë gojën e s’flet. Liria duket gjyshe para teje dhe çfarëdolloj broçkullitje e saj do të zvenitej me rrudhat e moshës dhe të turpit që i palosen mbi fytyrë. Janë detyruar të luftojnë me Argitën si një “zonjë e parë”, por as kjo nuk shfaqet me figurë. Duket më e plakur se e ëma, më mëkatare, më me njolla turpi nga korrupsioni i babit dhe i mamit dhe me njolla matrikulle nga mami natyra. Xenin nuk e nxjerrin sepse ka frikë. Kanë ditë që e nxisin, por struket. Madje pardje bënte prova para pasqyrës me Jamarbër Malltezin dhe që të dy(ja) klithnin të dëshpëruar(a) nga pafuqia për të menduar vetë me kokën e tyre. Në lëmin e opozitës ti tashmë je gjahu më i freskët dhe më i pa sulmuar. Nuk ka ngelur njeri aty pa atakime dhe kërcënime, pa shpifjet e radhës. Gjithmonë kam këshilluar që këtyre lloj sulmeve tu kundërpërgjigjeshin me gjuhë jo të njëjtë, por më të egër, e më lënduese. Ndërsa krejt tjetër mendoj tani për sulmet kundër teje. Mos e prish aureolën dhe finesën që të karakterizon, kundërpërgjigju me indiferencë. Mos e prish thjeshtësinë dhe estetikën, kundërpërgjigju me një buzëqeshje ironike. Mos e prish feminitetin dhe staturën e seksit të dobët, por kundërpërgjigju me transparencë pranë institucioneve kushtetuese. Mos bjer në batakun e një azili pensionistësh, i cili pas qershorit mbyll dyert me kyçet e ndryshkur dhe nuk dihet nëse do të hapet sërish. Lëre atë derë të mbyllet. Besomë, nuk ka për tu hapur më, do hanë kokën me njëri-tjetrin. Si Nexhmija me Liljana Hoxhën do përfundojnë, ndërsa ne do i dëgjojmë duke tallur edhe veten pse i lamë kaq gjatë në pushtet.

Previous articleShtëpiakia perfekte? Bar Rafaeli
Next articleTë blesh qiell me monedha yjesh…