Home Sport “Arena Kombëtare”, ja ndryshimet për finalen e Conference League

“Arena Kombëtare”, ja ndryshimet për finalen e Conference League

Stadiumi “Arena Kombëtare” është padyshim epiqendra e përgatitjeve për finalen e madhe të Ligës së konferencës më 25 maj dhe kompleksi i përuruar më 17 nëntor të 2019-ës po i nënshtrohet një sërë ndryshimesh në përputhje me kërkesat që parashtron organizimi i një finaleje kaq të madhe të veprimtarive kontinentale të klubeve.

Kështu, tribuna kryesore e Stadiumit, me një kapacitet prej afro 1,500 vendesh, ka humbuar afro 1/4-ën e vendeve të saj, pasi krahu i saj i majtë është pastruar nga ndenjëset dhe aty do të montohet tavolinat për gazetarët e medieve të akredituara.

Parashikohen të jenë të paktën 400 gazetarë, kryesisht të medieve të shkruara, elektronike e të tjera që do të vendosen aty, pa llogaritur edhe kaq që do të akomodohen në katin e dytë të tribunës, në llozhat e njohura ndryshe si “Sky Boxes”.

Edhe 1/3-ta e katit të parë të tribunës jugore të Stadiumit, ngjitur me kolonën që e ndan nga tribuna qendrore, është zhveshur nga ndenjëset dhe do të përdoret për ngritjen e disa studiove televizive.

Kështu, nga një kapacitet prej 21,690-vendesh, për shkak të këtyre ndenjëseve të hequra, por edhe të tjerave të hequra për arsye të tjera, si ato të sigurisë, shëndetësore, e të tjera, kapaciteti i Stadiumit për finalen e 25 majit është reduktuar në 19,000.

Ndërkaq, përveç ekranit të madh televiziv, që ndodhet në fasadën e tribunës, një tjetër ekran televiziv do të montohet në tribunën përballë.

Një detaj interesant është edhe vendosja e shkallën poshtë tribunës kryesore, që në fakt nuk ka qenë parashikuar në projektin fillestar të stadiumit.

Këto shkallë do të shërbejnë edhe si dalje emergjence, por edhe për t’i mundësuar, në rastin e finales së 25 majit, drejtuesve të UEFA-s për të zbritur në fushën e blertë për ceremoninë e dhënies së trofeut.