Filmat në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit janë pjesë e trashëgimisë sonë. Puna për restaurimin e filmave që janë në AQSHF po kryhet dhe përmes donatorëve. Kështu shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti, ndërsa vlerëson këtë trashëgimi filmike. “Falë donatorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë po punojmë për restaurimin e filmave të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet ministrja në një status të saj në Facebook.
Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e Kaluara”, “Nëntori i Dytë”, “Skënderbeu”, “Tana”, “Mimoza Llastica”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj. Në 1947 – 1996 arkivi funksionoi si një nga degët e Kinostudios “Shqipëria e re”. Më 1989 fillon ndërtimi i ri i godinës së re të arkivit, i cili përfundoi në fund të vitit 1990, kur filloi edhe transferimi i fondit. Më 1 prill 1997 AQSHF shkëputet nga “Alba Film”, ish Kinostudio “Shqipëria e re”, dhe hyn në radhën e institucioneve të tjera kulturore me përgjegjësinë që krahas librit, pikturës, muzikës e folklorit, shoqëria shqiptare të ruajë dhe të mbrojë edhe veprat e artit të shtatë. Në 2003 fillon digjitalizimi i fondit filmik sipas një projekti me institutin “Luce”. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre.