Home Bota Antony Blinken jep paralajmërimin: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të vijë...

Antony Blinken jep paralajmërimin: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të vijë në çdo kohë

Rusia ka dërguar më shumë forca në kufirin e saj me Ukrainën dhe mund të nisë një pushtim në çdo kohë, duke përfshirë edhe periudhën gjatë Lojërave Olimpike, tha Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

“Siç kemi thënë më parë, ne jemi në një dritare kur një pushtim mund të fillojë në çdo kohë, dhe për të qenë të qartë, kjo përfshin edhe Lojërat Olimpike.”

Ai ripërsëriti një thirrje të Departamentit të Shtetit drejtuar qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largoheshin menjëherë nga vendi.

“Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus, duke përfshirë forcat e reja që mbërrijnë në kufirin ukrainas”, tha Blinken në një konferencë shtypi në qytetin australian të Melburnit.

Rusia, e cila ka më shumë se 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, mohon akuzat perëndimore se mund të planifikojë të pushtojë ish-fqinjën e saj sovjetik. Lojërat Olimpike Dimërore do të priten nga Pekini deri më 20 shkurt.

Britania tha të enjten se përplasja e fuqishme mes Perëndimit dhe Moskës duket një gjë e pashmangshme, kjo pasi Rusia zhvilloi stërvitje ushtarake në Bjellorusi dhe Detin e Zi pas ngritjes së forcave të saj pranë Ukrainës.