Home Sport Ansi Nika: Nuk e kemi frikë Skënderbeun, do të luajmë si të...

Ansi Nika: Nuk e kemi frikë Skënderbeun, do të luajmë si të barabartë

Ansi-Nika“Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë dhe këtë e ka treguar më së miri me faktin se qëndron 11 pikë nga ndjekësi më i afërt, por ne jemi gati t’i tregojmë se përpara do të kenë një kundërshtar të të njëjtit nivel, i cili pretendon të marrë maksimumin nga kjo sfidë”. Kështu ka deklaruar mesfushori i Teutës, Ansi Nika. Talenti shkodran I Teutës e ka cilësuar si ndeshjen e sezonit përballjen me korçarët, ku sipas tij pritet një supersfidë, e cila do t’i ketë brenda të gjitha. “Përballja Skënderbeu-Teuta po pritet me padurim nga të gjithë. Ne jemi duke punuar intesivisht për këtë ndeshje dhe e kemi vlerësuar atë sikur të jetë një finale. Nuk mund të ketë asnjë parashikim për këtë ndeshje, pasi të tria rezultatet janë në lojë, por e sigurt është që në Korçë do të fitojë futbolli. Pritet një ndeshje shumë e fortë dhe me mjaft rivalitet . Do të jetë një ndeshje e vështirë. Kjo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Luajmë përballë skuadrës kampione të vendit dhe normalisht që vështirësitë dihen. Ne do të udhëtojmë drejt Korçës ,vetëm për një rezultat pozitiv dhe e gjithë vëmendja jonë është përqendruar pikërisht atje. Jam bindur se në këtë transfertë s‘do të dalim pa pikë.”,- u shpreh fillimisht mesfushori. Durrsakët kanë prioritet të mbajnë edhe për këtë sezon vendin e dytë, çka u siguron atyre një biletë për në Europë. NIka thotë se për të arritur këtë objektiv, Teutës i duhet një paraqitje e shkëlqyer në javët e mbetura të kampionatit. “Synimi ynë është të ruajmë vendin e dytë, me qëllim që të sigurojmë një biletë për në Europë. Skuadra ka qenë në gjendje ta ruajë për një kohë të gjatë vendin e dytë, por tani që po i afrohemi fundit të sezonit, duhet pasur shumë kujdes. Nuk duhet të bëjmë asnjë hap të gabuar në javët në vijim, ndërsa të gjitha ndeshjet duhet t’i përgatisim si finale. Përpara na pret një kalendar shumë i vështirë dhe në kushtet që ndodhemi duhet të jemi të kujdesshëm”. Nën drejtimin e teknikut peqinas Gugash Maganit, skuadra durrsake,  ka nisur seancat stërvitore anti-Skënderbe. Të besuarit e Gashit janë të bindur se vetëm një rezultat pozitiv do t’i bënte punë ndaj kampionëve të vendit.  Ndaj kampionëve një lajm i mirë për trajnerin Gugash Maganin do të jetë pikërisht formacioni i plotë që do të udhëtojë drejt Korçës. Bregdetarët nuk do të kenë asnjë mungesë përsa i përket formacionit ndaj Skënderbeut. Edhe pse përpara disa javësh durrsakët kanë vuajtur mungesat e disa lojtarëve kryesorë, tashmë të besuarit e Maganit kanë luksin që të kenë të gjithë grupin e plotë për takimin e vështirë që i pret këtë javë. Nuk ka sesi të mungojnë as tifozëria, kur skuadra e tyre luan shumë mirë sidomos në transfertë. Tifo-grupi “Djemtë e Detit “kërkojnë që të jenë sa më të shumtë në numër, kjo përsa i përket transfertës së vështirë që durrsakët luajnë këtë javë ndaj Skënderbeut në Korçë.

Previous articleNjë ëndërr e bukur
Next articleHodo: Në Korçë shkojmë për të marrë pikë