Home Opinion Anonimët “lepuj dushku” dhe zagarë që kuisin e qajnë !

Anonimët “lepuj dushku” dhe zagarë që kuisin e qajnë !

Nga Kristo Mërtiri

Pluralizmi ynë rrumpallë dhe abuzimi paradoksal me fjalën dhe lirinë e saj, solli edhe mjaft rrëkera e përrenj të qelbur në media. Për këtë flet qartë deti i anonimëve gojështhurur që hiqen trima e zbrazin dufe, të shara e të palara, zilira e këllira, shpifje nga më monstruozet, inate të vjetra e të reja, të përdredhur e të tredhur në fatin e tyre të zi. Kompjuterin e kanë tjetërsuar në një shpellë vetmie nga ku derdhin cdo lloj jashtëqitjeje morale, politike, gjuhësore e sociale.

Në monizëm shpërndaheshin e merrnin dhenë me zarfa (jo si ato letrat e “Jovan Bregut” hokatar e dembel, rol që Roland Trebicka i paharruar na e la aq mjeshtërisht të pavdekshëm, bashkë me autoren e talentuar të komedisë ,Adelina Balashi, që përfundoi refugjate fatgremisur buzë Egjeut !). Përse i kujtoj hidhur ditët e para të punës, 47 vjet më parë, në RTSH ?

Pa marrë ende emërimin zyrtar, botova një shkrim kritik nga Universiteti i Tiranës. U krijua një tollovi jo e vogël deri në vilat e Bllokut, ku dy pedagogët e kritikuar faleshin përditë për të mësuar fëmijët e pashallarëve të velur e hipokritë të regjur (kjo histori mafioze me ngjyra të errëta,ndoshta meriton një shkrim të posacëm në të ardhmen). Shefi i redaksisë në Televizion e njëkohësisht sekretar partie, më thirri në zyrë dhe filloi të hapte si me përtesë një kasafortë  metalike të madhe që të kallte frikën. Mblodhi ca letra të mbërthyera me zarf dhe i tundi në dorë: -Janë për ty, more djalë ! Kanë ardhur dorazi nga Universiteti. Kujdes dhe ruhu mirë, udha e gazetarit shpesh është e minuar, nuk është fushë me lule. Shumica e këtyre sojsëzëve nuk janë shahitë, por jallan shahitë !…

Tani vonë mësova se ata të paemër, më paskan shoqëruar me letra edhe në gazetën “Bashkimi” e nëpër rrethe. Madje, gjatë pushtetit të fundit të PD, njëri arriti të marrë kolltuk zëvendësministri ?!…Por unë nuk u mora kurrë personalisht me ta. Të them të vërtetën, anonimët e letrave përvëlimë e flakëvënëse i neverisja gati deri në urrejtje. Ndërsa disa nga ata që vendosnin emrin e tyre, i përshëndesja dhe as që më shkoi mendja kurrë për kritika hakmarrëse e cinike në shtyp. Me ndonjërin u bëra edhe mik ! Pa hyrë te saktësia e fakteve, e quaja një lloj sinqeriteti të vecantë e pse jo njerëz me një farë shtylle kurrizore. Dhe mërmërija frashërlliun e madh, bilbilin e Gjuhës Shqipe : “Dhe Parajsa dhe Skëterra,/ Edhe ëngjëlli dhe djalli,/ Edhe gjithë c’ka të tjera,/ Janë brenda tek i gjalli”…

Në këtë jetë të gjatë profesionale, kam parë e kam dëgjuar shumë. Jo të gjitha thuhen publikisht, sidomos për karakteret e fëlliqura që bartin pa pushim djallëzinë e pabesinë. Këtu hyjnë e dalin “Ethebutët” që ndoshta jeta u ka shkuar e u shkon si në vaj. Dhe mund të kenë grumbulluar  thasët e kilogramët me flori e pasuri, por s’kanë asnjë gram dinjitet ! Nuk shëmbëllejnë hic me “ethet e gushtit” në trupin e Polit(h)ikës pa moral. Dhe as me “ethet e provimeve” e të vjeljes së parasë pa pikë djerse e sakrifice. E aq më pak me ethet e lindjes, me ato malarike të kënetave ose me ato të lopës e të dosës që duan të mbarsen etj.

Tipa të tillë janë ethe e butë, e më shkoqur “thëngjij të mbuluar” me hirin vezullues e mashtrues të intrigave e të tinzarllëkut ulëritës.Dinë si vërtisin paranë, por dinë mirë si e ku ta hedhin helmin e smirës, të shpifjeve të sofistikuara e të trainuara nëpër gjirizet e ligësisë së pashoqe. Këto lëpitka plot jargë fitimprurëse para pronarëve, parallinjve e qeveritarëve të cdo ngjyre, cuditërisht janë shtuar pa hesap. Ata zakonisht nuk shohin sy më sy dhe as se ku fle lepuri ! I tremben tmerrësisht të vërtetës. Një vërsniku im nga Lazarati, shpesh i quan “rrush lepuri, Kjo mizëri me anonimë të tredhur nuk ua heq kurrë dushkun fjalëve. Dhe nuk është llafi se “zuri qeni një lepur” tek flinte syhapur në dëllinjë…

Ka kohë që ndonjë ekran televiziv me e pa emrin tronditës “kombëtar”, nuk lëshon live asnjë pikë loti për fukaranë e hallexhinë. Por ama, jo për qentë ! Megjithse një kanal na sqaroi publikisht se “prodhimi i lotëve tek qentë ndihmon në krijimin e lidhjeve më të forta midis njerëzve”(?!).

Kjo corbë mediatike përballë qytetarëve lexues, shikues e dëgjues, shpesh lidhet fët e fët me “lirinë” e fituar gjatë 32 viteve të fundit. Lanë mënjanë e në zhdukje disa profesione jetike në shërbimet e përditëshme ndaj njerëzisë dhe përqafuan rrufeshëm ata “që merren me edukimin dhe trainimin europian të qenëve të tyre”. Kohë të krisura marrëzie ! Pasi kuisin e derdhin jargë pas gardhit për të tjerët, na këshillojnë të tregohemi të kujdesshëm në zgjedhjen e formës së dënimit (?).

Dhe më tej, kur pushon kuisjen anonime “mund të shpërblehet aty për aty qoftë edhe me një biskotë”! Sepse shpifja e shoqëruar me “lotë krokodili” mund të zerë vend të lakmuar dhe herët a vonë bën prokopi në plëng e pasuri. Mirëpo, atje ku arrijnë t’i shesin krundet për miell, lëndojnë e plagosin poshtërsisht mjaft njerëz të ndershëm e idealistë, bëjnë dëme reale në shoqëri. Vërshime të tilla rrokopujë në internet e ekrane, kuisin e lëshojnë një zë të hollë si me të qarë (pa u rrahur!).

Të mos harrojmë : Nuk janë “shoqëri anonime a shoqëri aksionere” në kapitalizmin shqiptar ! Nga ato që nuk mbajnë emrin e asnjërit nga pjestarët e saj. Dhe as janë “lepuj të shurdhër” që dhjamosen përgjithësisht në veshka, sic thotë me të drejtë inxhinieri i vjetër Petro Done.

Shkurt, pa groposur aksiomën e mocme : Atje ku hidhet e zë rrënjë, gënjeshtra shpesh e mbyt miqësinë e vërtetë ! Vetëm sinqeriteti e shpëton. Përndryshe, mund të bëhen “mullarë me dushk”, si zahire për bagëtinë në dimër. Shpifarakët e mbyllin jetën tamam si një gjellë e prishur…

Previous article“Zelensky është terrorist i NATO”, në Serbi vendosen postera kundër presidentin ukrainas
Next articleKëto sekrete mbi jetën personale nuk duhet t’i ndash me asnjë