Home Opinion Altruizmi i mazhorancës që po shpërdorohet nga opozita

Altruizmi i mazhorancës që po shpërdorohet nga opozita

Nga Altin Ketro

Kuvendi i Shqipërisë e dogji raundin e parë të votimit të kandidatit për President të Republikës, pikërisht sepse nuk pati një kandidaturë të tillë. Në një formë altruizmi të ofruar nga mazhoranca socialiste për opozitën, kjo e fundit nuk u investua shumë, të paktën deri tani, që të shpallte kandidatin apo kandidatët e mundshëm të saj.

Nuk ka kuptim që këtë respekt që mazhoranca po i ofron opozitës ajo ta djegë, pasi kalimi i ditëve do ta detyrojë mazhorancën që të futet njëanshmërisht me kandidatët e saj. Bile vetë mazhoranca ka detyrimin që të ofrojë edhe ajo kandidatët e saj përpara raundit të katërt e t’i hedhë në tavolinën e bisedimeve. Duke përfaqësuar 50% të elektoratit nuk mund t’i shmanget kësaj përgjegjësie, qoftë edhe sikur kandidati i saj të mos votohet më pas. Të paktën elektorati duhet të dijë se cili është vizioni i mazhorancës për kandidatin presidencial.

Gjithsesi, me apo pa opozitën, Shqipëria do e ketë presidentin e saj. E rëndësishme është që ai apo ajo që do kryesojë shtetin tonë, të jetë një person i denjë dhe që të imponon respekt.

Me këtë rast do të doja të ndaja disa sugjerime modeste për kriteret që duhet të ketë kandidati potencial.

Ai ose Ajo duhet të jetë jo më pak sesa 60 vjeç dhe jo më shumë sesa 65 vjeç. Kemi nevojë për një president që nuk është as i ri dhe as i vjetër në moshë. Moshe re krijon tendencën që në një moment të caktuar, kur i afrohet fundi i mandatit, ai të mendojë se është i aftë për karrierë të mëtejshme politike dhe presidenca e tij rrezikon që të shndërrohet në një paradhomë të krijimit të një partie politike.

Presidenti të ketë patjetër formim politik. Një kandidat pa eksperiencë të tillë e ka të vështirë t’i kuptojë palët politike dhe rrezikon të kompleksohet prej tyre. Natyrisht, kur them përvojë politike, çdokush mund të mendojë që edhe presidenti Meta erdhi në detyrë me eksperiencë të tillë, por e njollosi atë detyrë. Atëherë kundërargumentin po e sqaroj tek kriteri më poshtë.

Kandidati për president nuk duhet të ketë dyshime për akte korrupsioni në të kaluarën e tij. Dyshimet për raste të mundshme do e mbanin peng atë në detyrë dhe si e tillë presidenca e tij nuk do shërbente për unitetin e popullit, por si një koracë mbrojtëse ndaj organeve të drejtësisë.

Kandidati për president duhet të ketë pasur gjatë jetës së tij profesionale kontakte me botën e jashtme. Jo thjesht diplomatike po së paku pjesëmarrës në konferenca ndërkombëtare. Duke qenë se detyra e presidentit është e lidhur edhe me marrëdhëniet me jashtë, kjo eksperiencë do ta mbajë me këmbë në tokë kur të takohet me kolegët e vetë.

Kandidati për president duhet të ketë të ardhura monetare normale. Ai nuk duhet të disponojë pasuri të patundshme të klasifikuara si vila. Në këtë këndvështrim, po bëj një parantezë e cila duhet të parashikohet në ligjin për presidentin, ku të theksohet që presidenti i ardhshëm detyrimisht duhet të banojë me familjen në një vilë qeveritare. Këto populizmat ku presidenti banon në pallat me popullin, ku garda rrethon gjithë lagjen dhe ua vështirëson jetën banorëve përreth, duhet të marrin fund. Të jetosh me ligj në një vilë qeveritare nuk është luks, por komoditet i nevojshëm për një kryetar shteti. Gjithashtu, të gjithë anëtarët e familjes së tij (ai/ajo, bashkëshorti/ja dhe fëmijët), në rast se kanë biznese në pronësi, duhet t’i pezullojnë ato për aq kohë sa familjari i tyre është në detyrë.

Kandidati për president duhet të ketë aftësi të mira artikulimi kur flet me dhe pa letër në publik apo në ceremoni zyrtare. Ky mund të duket kriter periferik, por personalisht e shoh me shumë rëndësi pasi nuk është mirë që presidenti të bëhet meme në rrjetet sociale sepse nuk di të shprehet bukur. Për këtë arsye, kandidati duhet të jetë një person që ka dhënë prova që e zotëron një aftësi të tillë.

Në rast se kandidaturat nuk do liheshin për minutën e fundit, do preferoja që kandidati për president të deklaronte paraprakisht pasurinë e tij, me qëllim që vetë publiku t’i bënte një vetting përpara se deputetët të ngrinin dorën për ta votuar.

Kandidati për president duhet të ketë dashuri për sportin dhe artin. Të ketë frekuentuar stadiumet ose pallatet e sportit, kinematë, teatrot, muzetë, galeritë e artit, etj. Një kandidat që nuk ka shpirt të tillë artistik e sportiv, ka mungesë të madhe ndjeshmërie dhe nuk vlen për kryetar shteti.

Natyrisht që kandidati për president nuk duhet të ketë lidhje me ish organet e sigurimit dhe as me funksionet me pozitë në regjimin komunist. Por kjo nuk do të thotë që të kalohet në ekstremin tjetër dhe të sillet një antikomunist i tërbuar. Duhet një personalitet që nuk krijon ndasi të tilla.

Mund të thuhet se kriteret janë pafund dhe është e kotë të kërkosh përsosmërinë. Mjaftojnë gjëra të thjeshta si këto që parashtrova më lart, po edhe të tjera që nuk i përmenda për të mos u zgjatur shumë, ato që e bëjnë një president normal për të kryesuar shtetin tonë.

Si përfundim, opozita duhet të nxitojë që të mos i djegë edhe dy etapat që i kanë mbetur, sepse më tej i humb çdo e drejtë morale dhe politike për të propozuar kandidatë të saj apo për të kundërshtuar ata të mazhorancës.