Home Rajoni Aleancë evropiane për “shpëtimin” e Qeverisë maqedonase

Aleancë evropiane për “shpëtimin” e Qeverisë maqedonase

Partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë formimin e një aleance evropiane për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo, sipas drejtuesve të Qeverisë, mund të bëhet duke zgjeruar shumicën parlamentare dhe Qeverinë me partitë që duan të jenë pjesë e kësaj aleance.

Nevoja për një Qeveri të zgjeruar lindi për shkak të domosdoshmërisë për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Ky është detyrim, që del nga marrëveshja me Bullgarinë, e cila hoqi veton për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 2020.

Në rast se nuk përmbushet ky kusht, atëherë Sofja sërish mund t’i bllokojë bisedimet për kapitujt, por që të ndryshohet Kushtetuta nevojiten dy të tretat apo 80 vota në Kuvend, të cilat shumica aktuale nuk i ka, andaj synon rritjen e shumicës me 8 votat e Aleancës për Shqiptarët, që është në opozitë, por edhe me ndonjë votë të ndonjë partie tjetër më të vogël apo edhe të VMRO DPMNE-së.

“Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka shprehur gatishmëri politike për konceptin evropian të shtetit. Ka gjasa që ajo të jetë pjesë e Qeverisë, por se a do të ndodhë kjo, varet nga marrëveshja politike që ka dy aspekte, atë programor dhe tjetrin kadrovik. Dhe, derisa kjo nuk ndodh, nuk mund të flasim nëse shumica parlamentare dhe Qeveria do të ketë edhe një parti politike”.

“Unë edhe më parë e kam thënë se të gjitha partitë që janë për konceptin evropian të shtetit, tani është koha që këtë ta bëjnë pasi varet nga ne nëse do ta përshpejtojmë integrimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar të mërkurën kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një konferencë për mediat kushtuar integrimit evropian.

Deklarata e Kovaçevskit u bë një ditë pasi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, paralajmëroi formimin e aleancës evropiane, si domosdoshmëri jo vetëm për ndryshimet kushtetuese, por edhe për integrimin e shpejtë në BE. Integrimi në BE nga Ahmeti shihet si zgjidhje për zhvillimin e vendit, si dhe parandalimin e fenomenit të largimit të të rinjve nga Maqedonia e Veriut.

“Kemi çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe për të qenë të suksesshëm në këtë drejtim ne duhet ta kapërcejmë vetveten dhe t’i bashkojmë forcat. Po bisedojmë për formimin e një aleance të bashkuar. Motoja e takimeve me qytetarët është për Evropën e Bashkuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Nga Aleanca për Shqiptarët ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do të jetë pjesë e Qeverisë, por gjasat janë reale që kjo të ndodhë, bazuar në një prononcim të kryetarit të saj, Arben Taravari.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë zgjedhjet do të jenë të pashmangshme”, ka thënë ai.

“Nëse Aleanca për Shqiptarët nuk inkuadrohet në Qeveri, gjasat janë të mëdha që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Por, faktorët relevantë ndërkombëtarë na rekomandojnë që të mos ketë zgjedhje, andaj edhe ASH-ja po analizon këtë në kuadër të partisë dhe ka gjasa reale që të bëhemi pjesë e Qeverisë. Kjo do të bëhej në të mirë të qytetarëve”, ka theksuar Taravari.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur opozita maqedonase po përgatitet për mocionin e votëbesimit të Qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare. VMRO DPMNE-ja shpresonte edhe në votat e Aleancës për Shqiptarët, e cila më parë ka qenë pjesë e një mocioni të votëbesimit që kishte dështuar për vetëm një votë deputeti.

“Pyesim publikisht Arben Taravarin [kryetarin e ASH-së] kush është ai faktor ndërkombëtar, i cili i kërkon Aleancës të bëhet pjesë e Qeverisë?! Derisa Taravari hesht dhe nuk e tregon faktorin, kjo dëshmon se ai nuk është i sinqertë dhe ka arsye të tjera pse pretendon të bëhet pjesë e Qeverisë”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Opozita maqedonase ka thënë se aleanca evropiane nuk është gjë tjetër, pos përpjekje për shpëtimin e Qeverisë. Lëvizja Besa, një parti tjetër opozitare shqiptare, ka thënë se Aleanca për Shqiptarët, “mund ta shpëtojë qeverinë për dy-tre muaj”, pasi kriza sipas kësaj partie, do të thellohet edhe më tej dhe zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme. Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në vitin 2024, së bashku me zgjedhjet presidenciale./REL

Previous articleUnë filozofja, e virgjëra, banorja e lodhshme e Big Brother, që ju nuk e deshët!
Next articleBajram Begaj njeh Bashën si kryetar të PD-së, Tritani “tradhëton” Doktorin