Home Kosova Albin Kurti zbulon emrin e ambasadorit që nxiti rrëzimin e tij nga...

Albin Kurti zbulon emrin e ambasadorit që nxiti rrëzimin e tij nga kreu i qeverisë: Ai është në dijeni për bisedimet sekrete mes Thaçit e Vuçiç

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për “Foreign Policy”, ku ka folur gjerë e gjatë për qeverinë e udhëhequr nga ai, mocionin e mosbesimit, opozitën, presidentin Hashim Thaçi dhe rolin e ambasadorit Richard Grenell në marrëveshjet e deritashme dhe ato që synohen të arrihen me Serbinë.

Kurti ka folur dhe për takimet me ambasadorin Grenell.

“E kam takuar ambasadorin Grenell menjëherë pas zgjedhjeve që i kemi fituar në nëntor të vitit të kaluar. Në atë kohë, ai thoshte se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe që Serbia duhet ta ndalë fushatën e çnjohjeve, me të cilën Serbia po lobon gjithandej nëpër shtete të caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe po vendos pengesa të ndryshme në parandalimin anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Më vonë, në janar ai erdhi përsëri në Kosovë dhe e ritheksoi të njëjtën gjë. Por, pasi u kthye nga Beogradi, ai filloi ta dorëzonte, pak nga pak, kërkesën që Serbia ta ndalë fushatën e tërheqjes së njohjeve. Ishte vetëm, “Ju [Kosova] duhet t’i hiqni tarifat””

Kurti është i bindur se pas kësaj, Grenell e ndryshoi qëndrimin e tij.

“Atëherë kur ambasadori Grenell nuk mund të më thyente mua, e filloi presionin mbi partnerin e koalicionit. Mesa duket vetëm duke i kërcënuar ata, por ndoshta edhe duke iu bërë ndonjë ofertë atraktive të radhës për udhëheqjen e qeverisë, që është ajo që në të vërtetë e duan ata. Duke i thënë “ju jeni nën hijen e z. Kurti. Nuk mund të vini në pushtet. Vetëm votojeni mocionin e mosbesimit. Hiqeni reciprocitetin” e kështu me radhë”.

Kurti vazhdon të mendojë se mes Presidentit të Kosovës dhe Serbisë e SHBA ka marrëveshje sekrete, ndoshta jo të shkruar deri në detajin më të vogël, por njerëzit janë të shqetësuar shumë për këtë.

“Njerëzit frikësohen që kjo fantazmë e ka gjetur ambasadorin Grenell dhe ai do të shkojë ndërmjet dy presidentëve për ta bërë shkëmbimin e territoreve, e që mund të jetë interesante këtë verë por sigurisht do të krijojë konflikte të reja dhe gjakderdhje të reja për shkak se asnjë fshat nuk dëshiron të përfundojë në anën e gabuar të kufirit”.

Megjithatë, shprehet falënderues për Grenellin. Thotë se ai ka ndihmuar në arritjen e disa marrëveshjeve në mes Kosovës e Serbisë lidhur me hekurudhat e autostradat dhe [në rikthimin] e fluturimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. “E unë mund ta imagjinoj se ai është i interesuar për nënshkrime në fund të marrëveshjes, e jo për tekstin mbi nënshkrime. Ngutja e tij e shtyn atë në të njëjtën anë me Beogradin, sepse nëse do marrëveshje të shpejtë, atëherë ushtron presion mbi palën e dobët. Mendoj se ai mund të mos ketë marrë pjesë nuk marrëveshjen në mes të Thaçit dhe Vuçiçit, por jam i sigurt se ai është në dijeni lidhur me bisedimet sekrete dhe se e di përmbajtjen e tyre. Atij i duhet një marrëveshje. Atij i duhet një marrëveshje, të cilën mund të tregojë se krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen paqësisht, edhe nëse nënkupton shkëmbim territoresh. Mendoj që shkëmbimi territorial shkakton më shumë refugjatë e më shumë konflikte dhe jo kufij të rinj ashtu siç mund t’i mendojnë ata. Mund t’i vizatosh në një copë letre, por pastaj në realitetin në terren, nuk mund të bëhen pa konflikt”.