Home Kulture Albanologët shqiptarë qëndrojnë me dinjitet krah dijetarëve evropianë e botërorë

Albanologët shqiptarë qëndrojnë me dinjitet krah dijetarëve evropianë e botërorë

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti sot Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, i cili nisi punimet sot në Tiranë.

Në Kuvend marrin pjesë, përveç akademikëve, studiuesve dhe albanologëve nga Shqipëria e Kosova, edhe albanologë të njohur, nga universitete dhe qendra kërkimore të huaja që kryejnë studime për botën shqiptare.

Rreth 182 studiues shqiptarë dhe të huaj kanë mbërritur në Tiranë për kuvendin e madh të albanologjisë. Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës nisi sot punimet në hotel Plaza dhe do zhvillohet nga 25 deri më 27 nëntor 2021.

Në fjalën e saj përshëndetëse në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, Nikolla u shpreh se “para disa vjetësh, kur shkrimtari ynë me njohje botërore Ismail Kadare, pati një takim me përkthyesit e tij në afro 50 gjuhë të Botës, të ftuar nga Akademia e Shkencave për të nderuar 85-vjetorin e lindjes së tij, ndër të tjera tha se gjuha shqipe do t’ju jetë përgjithnjë mirënjohëse për dedikimin tuaj ndaj letërsisë dhe kulturës  shqiptare. Edhe unë mendoj se jashtë çdo diskutimi, gjuha, historia, kultura, identiteti dhe qytetërimi shqiptar do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës. Por edhe shteti shqiptar, duke e ditur mirë se ju i jeni kushtuar albanologjisë pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë reciprociteti, pa asnjë detyrim palësh, e ndien për detyrë të nderojë punën dhe kushtimin tuaj.Dhe kjo është një nga arsyet themelore pse unë jam sot këtu para jush, për t’ju përshëndetur dhe falënderuar që i jeni kushtuar një gjuhe dhe kulture pa vëllezër e motra, të vogël në dukje, por me një rëndësi themelore për studime të rëndësisë parësore në studimet gjuhësore dhe krahasuese”.

“Ne nuk na vjen keq kur na thonë se i jemi drejtuar albanologjisë për shkak të helenistikës, romanistikës, sllavistikës apo dhe orientalistikës. Në këtë rrugë kanë ecur albanologët më të shquar, prej themeluesve deri tek Eric Hamp.Ky është një pohim i sinqertë, që na bën të ditur se shqipja jonë dhe gjithçka që është ngritur mbi të: historia, identiteti, kultura, qytetërimi, janë të domosdoshme për të sqaruar edhe histori të të tjerëve. Kjo është bota e sotme globale, jo vetëm në aspektin tekonologjik dhe ekonomik, por edhe kulturor, vleror e të qytetërimeve. Ne nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.Kjo është hera e parë që studiuesit albanologë, përfaqësues të të gjitha shkollave dhe qendrave albanologjike në Botë dhe në hapësirën historike shqiptare, janë bashkë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të krahasuar, historizuar dhe objektivizuar faktet e burimet. Falënderimet tona i drejtohen para së gjithash Akademisë së Shkencave, Kryesisë së saj, akademik Gjinushit, që na ka mundësuar të njihemi njëherësh me kontributet tuaja mbi albanologjinë shqiptare, që nuk janë vetëm kontribute shkencore, por njëkohësisht kontribute për Shqipërinë.Këtu kam parasysh jo vetëm albanologët e huaj, por edhe për brezat e albanologëve shqiptarë, të cilët kanë qëndruar dhe qëndrojnë me dinjitet të krah të dijetarëve të shquar evropianë e botërorë”, tha ajo.

Po ashtu, Nikolla shtoi se detyra ime si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë është të kem gjithë kujdesin kushtetues për sovranitetin e vendit.

“Por sovraniteti sot është një çështje shumë relative. Në botën e sotme të konkurrencës së vlerave, pikëpamjeve, kulturave dhe qytetërimeve, sovraniteti lidhet gjithnjë e më shumë me identitetin. Kush ka identitet, ka sovranitet. Dhe identiteti, përurimi i brendshëm dhe i jashtëm i tij, brenda nesh dhe në botë, është krejt i kufizuar prej studimeve albanologjike. Prandaj ne e shohim të pandarë albanologjinë që zhvillohet në mjediset shqiptare prej albanologjisë që zhvillohet kudo në Botë, sepse nuk ka ndonjë fushë tjetër integrimi objektiv se sa kjo.Në emër të Kuvendit të Shqipërisë uroj që ky kuvend të diturish, të jetë një mundësi e artë që albanologjia si dije paradigmatike jo vetëm të paraqesë e konfirmojë arritjet e saj më cilësore, në një epokë privilegjesh që i ofron shoqëria e hapur; por edhe të verifikojë e stabilizojë tezat themelore të saj, si një dije me objekt, qëllim dhe metodë shkencore.Një gjysmë shekulli më parë, apo edhe katër dekada më parë, një kuvend si ky ishte i paimagjinueshëm. Receptimet stereotipike, për shkak të verbërisë ideologjike; si dhe refuzimet për shkak të parimeve sot nuk ekzistojnë më. Gëzojeni këtë privilegj të lirisë dhe presim më të mirën nga ju”, tha ajo.

vijon…