Home Kulture Akademiku Bahri Beci ndahet nga jeta, një personalitet me veprimtari të shumanshme...

Akademiku Bahri Beci ndahet nga jeta, një personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare

Bahri Beci një emër i rëndësishëm i gjuhësisë shqipe u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, duke lënë pas një kontribut në historinë e shkencës dhe studimeve mbi gjuhën shqipe. Gjuhëtari Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndër të tjera shprehet se ishte personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.  “Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve”, thuhet nga ASH. Ndërsa Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite homazh për akademikun dhe gjuhëtarin Bahri Beci (1936-2023), i cili u nda nga jeta, sjell në vëmendje të publikut kontributin e tij shkencor në fushën e gjuhësisë përmes botimeve të rëndësishme në fushën e dialektologjisë, fonetikës, gramatikës, gjuhës letrare, si edhe të historisë së gjuhës, si: “Të folmet veriperëndimore të Shqipërisë dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës”; “Gramatika e gjuhës shqipe”; “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri”; “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre”; “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike”; “Fonetika e gjuhës shqipe”; “Historia e standardizimit të shqipes”; “Struktura dialektore e shqipes”, etj. Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës  në një telegram ngushëllimi dërguar ASH me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Bahri Becit shprehet se me studimet e tij dhe me punën drejtuese në institucionet e larta të shkencës në Shqipëri dha një kontribut të çmuar dhe la gjurmë të pashlyera në të gjitha fushat e veprimtarisë dhe të aktivitetit shkencor e studimor. Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare.

Previous articleEkspozita “Rrugëtim” e piktorit Zymer Mulliqi me piktura dhe grafika në Galerinë e Artit Tiranë
Next articleArsenali i mbijetoi Crystal Palace, Topçinjtë u mbrojtën fuqishëm me një lojtar më pak…