Home Kulture Agim Janina: Artistët pamor janë në gjendje tejet të vështirë, ekspozitat janë...

Agim Janina: Artistët pamor janë në gjendje tejet të vështirë, ekspozitat janë shumë larg vëmendjes së Ministrisë së Kulturës

Artistët e artit pamor në aktivitetin e tyre përballen me probleme të ndryshme, jo vetëm mungesa e sallave për ekspozim, por mungesë vëmendjes së institucioneve për ekspozitat që ata hapin herë pas here. Shqetësimit të artistëve mbi gjendjen që ka arti pamor sot i bashkohet dhe studiuesi i artit Agim Janina. Studiuesi Janina, i cili është i pranishëm në ekspozitat që hapen herë pas here nga artistët apo grupe artistësh, thotë se Ministra e Kulturës duhet të krijojë lehtësira për krijuesit. Studiuesi i artit, që ka folur dhe më parë mbi prurjet artistike thotë se artistët janë në një gjendje të vështirë. Sipas studiuesit Agim Janina më shqetësuese është dhe fryma artistike që mungon. “Mungesa e mjediseve për ekspozim ka kohë që është problem i madh për artistët pamorë, por më shqetësuese është mungesa e frymës artistike. Të mbledhura bashkë ato krijojnë një ngërç ngecës”, thotë ai. Në Tiranë ka pak salla për ekspozita, pasi Galeria Kombëtare e Arteve është në rikonstruksion, ndërsa salla e Muzeut Historik Kombëtar ku më parë hapnin ekspozita artistët është me veprat e fondit të galerisë. Në këto kushte artistët e kanë parë problem mungesën e sallave nga institucionet kombëtare, por sipas studiuesit Agim Janina këtij problemi i shtohet dhe mungesa e shitjes së veprave të artit. “Në bumin e jashtëzakonshëm të ndërtimeve aspak nuk është menduar për ngritjen e sallave të ekspozitave. Shto edhe mungesën e një tregu shitjeje, artistët pamor janë në gjendje tejet të vështirë. Jo vetëm Ministra e Kulturës, por edhe Bashkitë në Tiranë dhe nëpër qarqe duhet të krijojnë hapësirat dhe lehtësirat e nevojshme. Kjo jo që nuk bëhet, por edhe ato galeri arti që janë nuk mirëmbahen, nuk shtohen në vepra arti dhe as që mendohet të shtohen hapësira të reja ekspozimi”, thotë Janina.

Ekspozitat larg vëmendjes

Ekspozitat që hapin vetë artistët qoftë ato individuale apo në grupe, sipas studiuesit të artit Agim Janina kalojnë pa analiza profesionale mbi prurjet, por dhe pa vëmendje nga institucionet në vend. “Nuk ka asnjë analizë, debat apo vlerësim për ekspozitat që hapen. Më keq akoma shumë ekspozita janë shumë larg vëmendjes së Ministrisë së Kulturës dhe bashkive të qyteteve ku ato hapen”, tregon studiuesi Janina për problemet që kanë artistët në artin pamor. Edhe më parë studiuesi i artit Agim Janina ka shprehur se artistët pamor nuk janë gjendur kurrë në këtë gjendje, ku hapësirat ekspozuese në vendin tonë janë rrudhur shumë. Sipas tij të gjitha ekspozitat pothuajse janë bërë nga vetë artistët me kosto të madhe shpenzimesh dhe kanë kaluar nën heshtjen e Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve përkatëse. Janina vijon se nuk ndan mendimin se është vetëm shteti ai që ndihmon e përkrah apo dhe vlerëson artistët, por sipas tij është edhe tregu, koleksionistët, galeritë privati dhe këtu shteti duhet të krijojë lehtësira.

Previous article“Beteja jonë është për një ndryshim të themeltë”, Meta mesazh nga Korça: T’u rikthejmë dinjitetin shqiptarëve
Next articleEdhe minjtë duan… kanabis