Home Sociale Aborti është një problem social, ku gruaja është ajo që pëson, si...

Aborti është një problem social, ku gruaja është ajo që pëson, si eksperiencën e abortit po ashtu, nënshtrimin, etiketimin dhe përçmimin

Nga Lira Gjika

Aborti është një problem social, ku gruaja është ajo që pëson, si eksperiencën e abortit po ashtu, përdorjen, nënshtrimin, etiketimin dhe përçmimin. Kjo mënyrë e të përftuarit të abortit si një problem apo mëkat i gruas, është një mënyrë patriarkale dhe opskurantiste, ku gruaja trajtohet si një objekt nën urdhrat e një mentaliteti moralist, pa moral, ku ata, që nuk kontrollojnë dot veten, etiketojnë gruan dhe marrin vendime në kurriz të gruas. Marrin vendime, duke i mohuar të drejtën e saj, që të vendosë vetë për trupin e saj, se kur duhet të rrisë një jetë të re brënda trupit të sajë. Është e vërtetë që aborti është një vendim dhe veprim i rëndë, por në stadin ku është shoqëria njerëzore, kjo e drejtë e gruas, që duan tja mohojnë, është një arritje, është emancipim. Është emancipimi dhe edukimi i njeriut dhe shoqërisë, që do të influencojnë, që njeriu, femër dhe mashkull, të njohë trupin dhe veten më mire, të njohë vlerën e jetës dhe të dijë të veprojë pa patur nevojë për të përdorur abortin. Kur meshkujt të ndërgjegjësohen se sperma nuk është një “lëng fiziollogjik” por një masë e gjallë që duke u bashkuar me vezën e gruas merr “rrugë” jeta e re dhe kur gruaja të mos gjëndet më shtatzanë, por të vendosë ajo kur duhet të ndodhë shtatzania, atëhere kjo e drejtë nuk do të jetë më e nevojshëme. Pa u arritur ky nivel marrëdhënie, aborti do të jetë një e drejtë e gruas. Gjithë kjo propagandë antiabort, kur në të njëjtën kohë shoqëria me krenari dërgon djem dhe vajza të reja në luftë, për të mbrojtur ide apo vënde dhe këtë “gjë” e quajnë nder i madh, pra e legalizojnë vdekjen si nder e lavdi. Kur vjen puna për jetën dhe të drejtën e gruas, ngrihen moralistët dhe dhunshëm imponohen duke përdorur edhe pushtetin, që ti mohohet gruas kjo e drejtë. Kjo mënyrë të sjelluri është produkt tipik patriarkal, është pushtet mbi jetën dhe të drejtat e gruas si një person më vehte dhe e lirë. Këtë liri dhe të drejtë gruas, si një person më vehte dhe e lire, ky kontigjent kërkon tja mohojë.