Home Kulture Abigiela Voshtina merr drejtimin e TKOBAP, ikën Zana Çela

Abigiela Voshtina merr drejtimin e TKOBAP, ikën Zana Çela

Abigiela Voshtina do të drejtojë Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.  Këshilli i Ministrave miratoi violinistenVoshtina në këtë post, që zëvendëson Zana Çelën, e cila e mbajti këtë detyrë që nga gushti i 2016.  Kjo e fundit prej dy mandatesh drejtonte TKOBAP dhe rikandidoi sërish për një mandat të tretë. Shtatë kandidatët për drejtimin e TKOBAP ishin Zana Çela, Josif Gjipali, Adela Muçollari, Abigiela Voshtina, Kleanthi Gjika, Tomorr Kokona  dhe Arben Skënderi. Abigiela Voshtina në prezantimin e programit të saj i ka mëshuar ndër të tjera mungesës së një sezoni dy-vjeçar të Operas, si dhe bashkëpunimit edhe me Bashkinë e Tiranës. Më parë Abigiela Voshtina ka qenë drejtoreshë artistike e TKOB, ku në 2017 artistët e Orkestrës Simfonike kërkuan largimin e saj, duke bërë një peticion ku e akuzonin për përdorim të postit, shkelje të rregullores, etj. Komisioni për vlerësimin e shtatë kandidatëve i ngritur me urdhër të ministres së Kulturës Elva Margariti, që mbante datën 23. 5. 2022 përbëhej nga Meri Kumbe zëvendës ministre e Kulturës kryetare, si dhe anëtarë Elira Dani dhe Arian Avrazi drejtorë në ministri të Kulturës, Luigi Ferrari artist dhe ekspert i jashtëm dhe Gintautas Kevisas artist ekspert i jashtëm. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë. TKOBAP është institucioni i krijimit, prodhimit dhe interpretimit të repertorit më të mirë skenik gjithëpërfshirës, kombëtar e ndërkombëtar. TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik.