Kryeministri i Malit të Zi në mandatin e tij teknik, Dritan Abazoviç, është shprehur se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt, por beson se kjo duhet të ndodhë përmes një procedure ligjore e cila sipas tij duhet të jetë shkurtimi i mandatit në Parlamentin e Malit të Zi.
Dekreti i presidentit Milo Gjukanoviç për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve për 11 qershor, siç vlerësoi ai, nuk është në përputhje me atë procedurë, shkruajnë mediat malazeze.
Abazoviç, i cili po viziton Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), tha se me të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka diskutuar edhe për ngjarjet politike, në radhë të parë rreth raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të përfunduar së fundmi.
“Mendoj se Mali i Zi kaloi një test të madh demokratik. Shpresoj që raundi i dytë të përfundojë në një atmosferë të ngjashme. Jam i sigurt se do të kemi një president të ri dhe kjo do të shënojë një fazë të re në krijimin e kushteve për disa proceset e ardhshme politike në Mal të Zi, shpresoj të jenë shumë pozitive”, tha Abazoviç dhe tha se beson se së shpejti do të zgjidhet gjyqtari i shtatë i Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se në 17 mars, Milo Gjukanoviç, presidenti në detyrë i Malit të Zi caktoi 11 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Por kjo datë nuk pranohet nga Abazoviç i cili kërkon që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt.