Home Editorial A janë OJF pasqyra e krizës që po përjeton shoqëria jonë?

A janë OJF pasqyra e krizës që po përjeton shoqëria jonë?

turiNga Artur Llana  / Pak ditë më parë një shoqatë në Durrës kishte organizuar shpalljen e dhjetë grave më të sukseshme në Durrës për vitin që kaloi. Mendova se është punë grash dhe fakti që gazetarëve burra nuk i kishin dërguar ftesë ma bëri edhe më bindës këtë fakt. Duke lexuar lajmin në një media kurioziteti më shtyu vetëm te emrat që plotësonin dhjetëshen e grave të suksesshme. Shumë nga ata emra i kam dëgjuar, disa nuk i njoh fare, po kishte dhe emra që i njihja mirë. U mendova të gjeja kriteret që kanë plotësuar ato për të qenë përfaqësuese të një qyteti me 200 mijë banorë, po nuk i hasa askund. U mundova të bëja lidhjen mes tyre po herë më krijohej lëmsh dhe herë më dukeshin si drejtëza paralele që nuk takohen asgjëkundi. Sinqerisht nuk kam asgjë kundra aktivitetit. Jam i lumtur që aktivitete të tilla mediat i pasyrojnë pak ose fare. Kjo të bën të ndihesh mirë. Do të rikthehem përsëri në këtë pike, por më parë dua të sqaroj përse janë bërë qesharake këto aktivitete të shoqatave të ndryshme, pa mohuar personalitete të veçanta. Dhe ajo që më shqetëson më shumë është fakti se a bëhen këto aktivitete vërtetë për të evidentuar vlera apo bëhen thjesht se shoqatat duke qenë jo fitimprurëse edhe duhet të fitojnë ndonjë gjë? A janë këto shoqata fytyra e vërtetë e krizës morale që ka mbërthyer shoqërinë tonë, e heshtjes dhe e tkurrjes që ajo ka pësuar duke pjellë shakara të tilla, ku më shumë shikohen sponsorizimet se sa vlerat? A kanë ata në fund të fundit përgjegjësi qytetare për të përfaqësuar shtresat dhe konuitetin në këto vlerësime? Do mundohem t’i jap shpjegime me tri shoqata këtyre pyetjeve. Së pari do ta nis me Shoqatën Durrësi, e cila duke dashur të propagandojë vlerat e qytetarisë i ka kthyer ata në një biznes që ka përfunduar te administrator i AMC apo Vodafon për të mos thënë që në periudha të rënda gjetjesh i janë rikthyer edhe për herë të dytë shumë emrave për ti vlerësuar. E them këtë jo se i paragjykoj për menunë e drekës, pra paçe dhe pilaf, po thjesht për atë që përflitet lart e poshtë ku njerëzit tregojnë si barcaleta edhe çmimet që duhen për të marrë një titull apo një vlerësim. ËShtë gjë e bukur të njohësh dhe të vlerësosh vlerat e qytetit tënd, po kur kjo bëhet mbi bazën e parave dhe pisllëqeve të tjera, neveria shkon për ata që i organizojnë qoftë dhe për të fituar në moshë pensioni ca lekë më shumë. Fjala vjen do të marrë vetëm një rast. A ka turp më të madh më se sa të kemi një qytetar në Durrës që quhet Arqile Durrsaku me titull të kësaj shoqate? Ky natyrisht do t’ja vlente edhe për paçe e pilaf, po jo për të marrë mbiemrin e një qyteti që është 3 mijë vjeçar. E dyta ka të bëjë me një aktivitet të organizuar pak kohë më parë nga një shoqatë ambjentalistësh që e sponcorizuar nga ish kryetarja e qarkut, tani e dalë në pension me urdhër dhe nga drejtori i portit që po me urdhër duhet të shkojë në burg, shpalli gazetarët më të mirë të qytetit. Këtu edhe pse menuja ishte shumë më e lartë, ku paçja ishte zëvendësuar me karkaleca dhe ata që morën pjesë aty shijuan nga dy racione kishte po të njëjtin nivel qesharak, aq sa pjesa më e madhe e gazetarëve e bojkotoi dhe aq më shumë se edhe këtu u fol për ca para që do të merrnin disa persona. Turpi shkoi edhe më larg ku vetë drejtuesit e pushtetit që janë çdo ditë në kontakt me gazetarët e bojkotuan këtë duke i dhënë padyshim sharlatanizmin më të madh. Në pjesën më të madhe ata që u shpallën pa asnjë kriter gazetarët më të mirë deri tani kanë bërë mrekullinë brenda tetë muajve duke falimentuar dy gazeta që janë në Durrës. Së treti, po rikthehem te aktiviteti i zhviluar në këto ditë të fundit. Nuk kam asgjë personale me organizatorët, po natyrisht ndjej detyrim para qytetarëve t’i informoj se ajo listë me përjashtime ishte më shumë se e turpshme. Do të merrem vetëm me një person, pasi ka disa të tillë. Ndër dhjetë gratë e vitit ajo që të bën përshtypje qëndron në faktin se është edhe drejtoresha e Sigurimeve shoqërore Monika Tahiri. E emërtuar vetëm katër muajt e fundit të vitit të kaluar në këtë detyrë ajo ka mundur të befasojë jo vetëm pleqtë që presin rradhën për dosjet e pensionit apo të sëmurët që presin të dalin në KEMP, po edhe vetë atë me siguri që duhet të mbajë tashmë moralisht vlerësimin e njërës prej dhjetë grave më të vlerësuara në Durrës. Prej disa numrash me fakte dhe lloqe, me denoncime dhe jo me sponcorizime, me venime gjykatash dhe anomalinë që ajo ka sjellë në instititucionin ku është emëruar gazeta “Bulevard” ka bërë të ditur jo abuzime, po skandale. E kërkuar me ngulm nga PD-ja lokale për t’u larguar nga ai pozicion, listimi i saj shkon më shumë se sa turp. Të paktën edhe për një kriter që duhet ta ketë një grua. Ajo nuk solli asnjë përgënjeshtrim apo replikë për shkrimet. Në vend të tyre ka sjellë ja 10-12 burra që një ditë do t’u vijë turp për atë që kanë kërkuar për të heshtur një gazetë. Natyrisht ashtu siç e thashë edhe më lart unë do t’i kërkoj ndjesë atyre dy tri femrave që e meritojnë vërtetë të jenë aty, në atë listë. Natyrisht që mund të ketë dhe pasaktësira dhe gabime të vogla. Ajo që të shqetëson është fakti se këtu në Durrës nuk promovohen vlerat, po sponcorizimet për kryetarët apo për shoqatat, për të mos thënë edhe më shumë se mund të jenë edhe në lojra të pista politike dhe sociale. Për sa kohë që sponcorizimet do të dominojnë vlerat, në podium do shohim përfaqësuese të tilla, ndërsa në sportele pleq që ulërasin për pensionet që ju mohohen, gjykata që prona dhe vendimet i kanë fikur jetën, oborre dhe klasa shkollash ku mësimi jepet me flamurin e PD-së.