Home Editorial A është vrastare e mediave PD-ja në Durrës

A është vrastare e mediave PD-ja në Durrës

turiNga Artur Llana / M’u kujtua një shprehje që është shumë e goditur për metalitetin shqiptar: Bëmë baba të të ngjaj! Në fakt ajo që më duket çudi është se ata që po e bëjnë nuk kanë as baballarët e tyre dhe natyrisht i kanë zëvendësuar me baballarë politikë. Unë jam nga ata njerëz që dua të komunikoj me lexuesin dhe aq më shumë kur ata kritikojnë revoltohen dhe reagojnë. Kjo është pjesa më e bukur e gazetarisë që ka të bëjë jo me tendera pushtetarësh, po me shpirtra rebelë që tenderohen për të gjithë qytetarët. Komunikimi me lexuesin nuk ka të bëjë vetëm se unë dua të hedh idetë e mija për një problem të caktuar, por që ata të jenë pjesë e imja në atë që kërkojnë dhe natyrisht këtë ja kam arritur mjaft mirë, jo nga tirazhi i gazetës, as nga reklamat që i ndalon i palari Doklead apo edhe sorollopi i tij, po me ndihmën e kryetarit të PD-së së Durrësit Igli Cara dhe ca fshatarëve të myzeqesë me emra shpendësh që e kanë mbledhur gazetën, e kanë blerë, e kanë lexuar dhe më pas e kanë djegur duke më bërë reklamën më të mirë që egziston për një media. Unë e vlerësojë shumë xhestin e Igli Carës dhe ai ka bërë të vetmen gjë që më ka bërë dhe Ylli Ndroqi. Kur sulmohet një gazetar, kur kërcënohet, kur i dërgon servila për ta takuar, kur pretendon se ja ke mbyllur gojën, i ke bërë reklamën më të mirë. Dy janë njerëzit që më kanë bërë më shumë reklamë, Ylli Ndroqi dhe Igli Cara, të dy nga një zonë shumë afër njëri- tjetrit dhe siç e kam deklaruar do t’u jem gjithnjë mirënjohës. Unë kam parimin jetësor dhe formimin për të pranuar se në një sistem kapitalist apo edhe aty ku çirren përse kemi demokraci, gjëja më normale është të ushtrojmë të drejtën e informacionit, të drejtë që na e jep kushtetuta dhe jo grupi i punës së halabakëve politik që emërojnë njerëzit e tyre për mbijetuar vetë. E kam paragjykuar shumë Igli Carën këto kohët e fundit me kompleksin që ka se nuk duhet t’i dalë emri në gazetë. E kam parë këtë si një lloj formimi fshataresk që buron nga një kinezeri me shprehjen më konsidero qofte po vetëm mos më ha. I kam mëshiruar të gjithë ata që për interesa të ngushta, herë miq e shokë të mij dhe herë servilë e njerëz që u ka mbetur vetëm mashtrimi i tij, pasi nuk ka asnjë dyshim se Igli Cara do të mbesë në historinë e PD-së së Durrësit, si kryetari mashtrues. Ai që të mohon biznesin, apo bukën e fëmijëve ka një ditë një ndëshkim. Po në rastin konkret ai që të mohon median nuk është gjë tjetër vetëm se një paranojak dhe të gjithë të tjerat që i vijnë nga pas nuk kanë asnjë vlerë. Igli Cara ka dërguar te gazeta “Bulevard” shkrime me shoferë, miq, servilë, batakçinjë dhe ata janë të botuar jo për prurësit po se ai është kryetari i PD-së së Durrësit dhe për mua ai është njeriu që duhet të jetë në faqet e gazetës. Të tjerat i di ai. Kohët e fundit Igli Cara, për të cilin nuk është koha të merrem personalisht, po me fakte dhe ja kërkoj këtë publikisht, ka nisur një fushatë me njerëz ordinerë duke folur lartë e poshtë se gazeta “Bulevard” mbahet me gjoba. E kuptoj sikletin e tij që ka tetë vite që e shikon këtë gazetë në treg, po ama e kuptoj dhe dëshirën e tij për të falur një gazetë që më shumë ngjan e sektit të Jehovait dhe më pak e selisë së PD-së në Durrës. Unë nuk kam asnjë reklamë shtetërore në Durrës, shumë pak reklama miqsh që më shumë i kam falas, por ama unë kurrë nuk e fal një gjë që e kam timen. Ai e fal se nuk e ka të tijën dhe e ka me para tenderash. Në tetë vite në Durrës janë hapur dhe mbyllur shumë gazeta. Pas tetë vitesh unë jam i hapur ende për Igli Carën, për Gazmir Bizhgën, për Eduard Ndreun, për Natasha Pacon e ku di unë se çfarë ka mbetur në këto parti. Frika për të qenë në këtë gazetë është e atyre jo e imja. Zotit Cara do t’i bëj një pyetje publike: Cili është shkrimi që ke dërguar ti apo njerëzit rreth teje dhe unë se kam botuar? Natyrisht formimi fshataresk i politikanit që erdhi nga rruga pa identitet nuk mund të japë një përgjigje. Ai të mohon si media dhe kërkon ta mohosh si emër. Deri këtu shkon ai pasi e di mirë që gazeta do të vazhdojë të jetojë edhe pasi të ketë ikur ai, me turp apo me cikël. E bëra të gjithë këtë hyrje të gjatë se nuk kam ndërmend të merem me një njeri, i cili ka frikë kur sheh emrin e tij në gazetë. E bëra të gjithë këtë hyrje për ti treguar lexuesit se Igli Cara nuk është ai djali i mirë i takimeve. Ai së bashku me një grup njerëzish rreth e qark kanë instaluar në Durrës, kuptohet te ata që janë servile, idenë se “Bulevardi” mbahet me gjoba. Sot kemi botuar emrat e 40 drejtorëve që unë i vendoskam gjoba. Le të dali ai që e ka ndjerë presionin tim për lekë. Nëse Cara nuk e bën këtë, të komandojë drejtorët që i ka vënë vetë, unë në numrin tjetër do të tregoj se kush janë të fortit që më kanë ndërhyrë për të mos shkruar për drejtorët e Carës. Igli Cara e di mirë që unë nuk i kam askujt gjobë, madje edhe më shumë se kaq as kam pranuar të bëhen shkrime me lekë. Unë nuk jam si ai që shfrytëzon pozicionin si kryetar për të kaluar kohën e lirë. Por qëllimi i tij është më larg. I klonuar në një ambjent bixhozxhinjsh, drogaxhinjsh dhe këtë ja vërtetoj nëse ka dëshirë për replikë, në një ambjent me vese dhe ambjent komunistësh, në një ambjent që njëri nuk di se ku e ka babain dhe tjetri tregon barcaleta për mamanë, Igli Cara po provokon rëndë duke lëshuar edhe pa dëshirën e tij thashatheme se botuesi i “Bulevardit” është gjobvënës. Ai po bëhet pjesë e një kupole të turpshme se për frikë më shumë ka ai se sa unë. Ai dhe ca njerëz të tij po përpiqen të krjojnë imazhin e gjobëvënsit ndaj personit tim për të justifikuar nesër atë çfarë mund të më ndodh mua nga rrugeçër apo drogaxhinj. Ka dashur të bëjë politikanin po në fakt rezulton se ka bërë policin. E gjithë kjo justifikon idenë time pse PD-ja e këtij qyteti demokrat nuk ka asnjë media dhe se mediat ja ka vrarë pushteti, po sidomos Teliti dhe Cara, të cilët duke dashur për të kontrolluar mediat me frymarrje artificiale, i kanë helmuar ato deri në mbyllje. Igli Cara është sjellë me mediat e Durrësit si ata që i kanë dhënë atij frymëzim komunist për ti luftuar gazetarët, me të fortë me qoka, me servilizma e deri edhe në marifete që nuk është moment për ti përmendur. Nuk është çudi që Durrësi, qyteti i dytë në vend për nga madhësia dhe rëndësia pas Tiranës nuk ka asnjë televizion privat. Kjo turpshëm kur kam marrë vesh se kishte TV Preza, një fshat i cili ka një kodër 400 metra për t’u ngjitur, po që për të shkuar atje duhen dhjetë km rrugë! Nuk po zgjatem këtu për të treguar se sa tv ka Vlora, Fieri, Lushnja, Kavaja etj. Po mbetem vetëm në konstatimin se në Durrës media është sulmuar më keq se askund. Në Durrës ekipi i kalcetës ka mobilizuar lloj-lloj rrugaçi, të forti, biznesmeni, shok dhe mik për t’ju kundërvënë medias dhe tashmë PD-ja është parti që përfaqësohet me një gazetë që falet dhe me korrespondentë që kërkojnë tollana nafte për t’i bërë kronika. Ky është turpi dhe në këtë drejtim PD-ja është vrastare në Durrës jo si forcë politikë, po me njerëz që kërkojnë të bëjnë politikë sit ë ardhur nga rruga apo më saktë rrugaçë politikë. Durrësi ka gjithsej rreth 40 drejtorë, ndërsa 20 prej tyre pej disa kohësh kanë marrë kujdestarinë e kategorive më lartë për të bërë presion për t’mos ja përmendur emrin. Unë kam 16 vite gazetar. Tetë vite kundra PS-së dhe tetë kundra PD-së. Ajo që më shqetëson është jo pozicioni im, pasi përsëri në një fitore të mundshme të Ramës do të jem në opozitë me PS-në nëse ata e konsiderojnë kështu pozicionin e gazetarit. Ajo që më tremb ka të bëjë me faktin se drejtuesit lokal të PD-së janë vrastar të medias. Ata kërkojnë ta bëjnë edhe këtë pjesë vetë, madje herë herë edhe të kontrollojnë titujt. Ata nuk kanë kuptuar vetëm një gjë se kur mer përsipër të bëhesh kryredaktor gazete me të fortë, rrugaçë apo biznesmenë, rriskun e kanë ata përsipër. Igli Cara është i mirëpritur së bashku me të gjithë të tjerët që aderojnë në atë parti që të bashkëpunojë me gazetën “Bulevard” për të mirën e qytetarëve. Fakti që ai mohon gazetën “Bulevard” dhe kërkon të mos i përmendet emri më tregon dhe sqaron shumë gjëra. Ai e di mirë që ka katër anëtar kryesie që më kanë mua lekë borxh dhe jo më t’i kem vënë unë gjoba. Duke mohuar gazetën, unë nuk kam ndërmend ta mohojë Carën.

Previous articleParalizohet proçesi ALUIZNI-t në Plazh dhe Shkëmbin e Kavajës
Next articleAflatoksina në qumësht hetim drejtorit AKU-së Genc Juka