Home Bota A është ky shteti që do të zëvendësojë Britaninë si një nga...

A është ky shteti që do të zëvendësojë Britaninë si një nga 3 superfuqitë e Europës?

Dikur ishin tre: Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë njohur gjithnjë si tre ekonomitë kryesore të Bashkimit Europian.

Por tani që Britania e Madhe ka zgjedhur rrugën e ‘Brexit’ dhe Europa gjendet para një krize të sigurt, Spanja – një shtet me një ekonomi të të njëjtave përmasa si Rusia – mund të jetë duke iu afruar kësaj tresheje të lakmuar për të zëvendësuar Britaninë.

Por, si do ta arrinte ajo këtë? Le të shohim më poshtë.

A mund të bëhet Spanja një fuqi evropiane e energjetikës?

Spanja ka ambicie të mëdha kur bëhet fjalë për furnizimin e Evropës me energji.

Sipas parashikimeve të shumë analistëve ekonomikë, ajo ka potencialin të kthehet në një nga shtyllat kryesore të transportit të hidrogjenit midis Afrikës dhe Evropës.

Por së pari, asaj i duhet mbështetja e Francës në përfundimin e një gazsjellësi pranë Pirenejve. Dhe Franca ka refuzuar disa prej tentativave të Spanjës për të nisur këto projekte të energjisë alternative, pasi burimi i saj kryesor i energjisë është ajo bërthamore – dhe çdo propozim i jashtëm për një burim të ndryshëm energjetik rrezikon të shihet prej saj si një kërcënim i mundshëm.

Por sulmi i fundit kundër gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2 e ka vënë Europën në një pozicion edhe më të vështirë për sa i përket sigurisë së saj energjetike.

Alternativat janë pikërisht ato që asaj i duhen në këtë moment.

Lidhjet historike ekonomike midis Spanjës dhe Lindjes së Mesme e Afrikën e Veriut, si dhe parqet e shumta të energjisë diellore dhe të impianteve të erës të ndërtuara në këtë vend, po tërheqin papritur vëmendjen e BE-së.

Spanja ka gjithashtu plot 6 terminale të gazit të lëngshëm (LNG) dhe një i shtatë është në ndërtim e sipër.

Vendi në Gadishullin Iberik tashmë gjeneron më shumë se 21% të konsumit bruto të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe – për rrjedhojë – ajo aktualisht nuk ka hasur probleme me furnizimin në një kohë kur Europa Perëndimore e sidomos Gjermania e kanë gjetur veten në telashe të mëdha.

Të gjitha këto shihen nga shumë analistë si një mundësi e artë për Europën dhe vetë Spanjën që mund të kthehet me shumë mundësi në një superfuqi energjetike dhe në një ekonomi konkurruese brenda për brenda BE-së.

Një rikthim tek hidrogjeni?

Spanja ka aplikuar për një grant prej 140 miliardë eurosh nga Fondi i Gjeneratës së ardhshme të Bashkimit Evropian për shndërrimin e gjelbër të ekonomisë së saj. Ky plan përfshin edhe prodhimin e hidrogjenit të gjelbër.

Ursula von der Leyen, kryetarja e Komisionit Evropian, pajtohet gjithashtu me këtë plan.

Mes të tjerash, ajo është e interesuar edhe në ringjalljen e projektit MidCat Pipeline një gazsjellësi që lidh Spanjën dhe Francën. Pas ndërtimit të 80 kilometrave të tubacionit në territorin spanjoll, puna në anën franceze u ndal në vitin 2019.

Nëse përfundon, gazsjellësi do të kishte një kapacitet prej 7.5 miliardësh metra kub gaz dhe mund të ishte fillimi i diçkaje më të madhe. Për krahasim, Nord Stream 1, i cili kalon nëpërmjet Detit Baltik, mund të transportojë rreth 55 miliardë metra kub gaz në vit.

Disa ekspertë e shohin të gjithë këtë si një dritare mundësish për Spanjën – por ka edhe të tjerë që janë më skeptikë ndaj mundësive reale të Spanjës për t’i arritur këto objektiva.

Sipas ekspertit energjetik nga Universiteti i Valencës, Roberto Gomez-Calvet, strategjia aktuale e qeverisë spanjolle – e cila në thelb sipas tij është e drejtë – do të marrë vite.

Ai beson gjithashtu se heqja dorë nga qymyri para disa vitesh ishte një lëvizje e gabuar, sidomos kur marrim parasysh situatën aktuale.

Spanja aktualisht ka 35% të rezervave të gazit të lëngshëm të BE-së.

Portugalia, e cila gjithashtu ka një terminal të gazit të lëngshëm, mbështet këto projekte të Spanjës dhe i është bashkuar gjithashtu nismës për të gjetur burime alternative dhe të rinovueshme të energjisë.

Të dy këto shtete kanë premisa për të mundësuar një ndryshim real ndaj situatës aktuale të krizës me të cilën po përballet BE-ja – në të njëjtën kohë, duke sjellë zhvillime pozitive edhe për ekonomitë e tyre respektive.

Previous articleZjarr në Levan të Fierit, digjen kodrat me ullishte, zjarrfikësit në vendngjarje
Next articleRama takon presidentin e FIFA-s Gianni Infantino