Home Editorial A e dini sa puse nafte ka Shqipëria, kush i privatizoi dhe...

A e dini sa puse nafte ka Shqipëria, kush i privatizoi dhe sa rryshfet pagoi?

Nga Kreshnik Spahiu
– A e dini që puset e naftës tona mbulonin 40% të konsumit?
– A e dini se shekuj më parë….
Shenjat e bitumit ne Shqipëri janë përmendur nga natyralistët romake dhe greke me shume se 19 shekuj me pare
Historiku i kërkimit te naftës ne territorin Shqiptar nis qysh ne periudhën 1903 – 1913, kur AGIP kreu vrojtimet e para gjeologjike. Këto studime u pasuan me shpimin e pusit te pare rreth vitit 1918 ne afërsi te Drashovicës. Pusi i pare ne thellësi 200 m, pati rezultate shume interesante për kohen.
Me vone, shumë shoqëri aksionere të shteteve perëndimore u interesuan për të shtënë në dorë koncesione nga Qeveria Shqiptare, dhe duke filluar nga viti 1925 ato kryen kërkime për naftë dhe xeherorë në rajone të ndryshme të Shqipërisë.
Për naftën në vendin tonë është folur që nga historianët e lashtë, ata i kanë trajtuar produktet e naftës si zjarre shekullore që janë shfaqur në Apoloninë e Fierit. Por në fakt ato nuk kanë qenë në Apoloni, por është folur për të, sepse në kohën e lashtë Apolonia njihej, në të vërtetë bëhet fjalë për zjarre shekullore të shfaqur diku në Mallakastër, aty ku edhe më vonë është zbuluar edhe vendburimi i Cakranit dhe ai i bitumit të Selenicës, pra diku midis Mallakastrës dhe Selenicës. Kur thuhet zjarre shekullore, duhet nënkuptuar shpërthime të fuqishme zjarri në hapësirë, që në atë kohë interpretoheshin si dukuri nga perëndia. Që atëherë njihen shfaqjet e naftës në vendin tonë, por puna shkencore filloi nga disa shkencëtarë të njohur të cilët evidentuan disa shfaqje të naftës dhe të rërave bituminoze në vendin tonë.
Punë e mirëfilltë shkencore është bërë nga viti 1913 për të evidentuar këto shenja nafte dhe mundësitë që ka pasur vendi jonë për të pasur naftë dhe gaz. Nga italianët janë regjistruar daljet e naftës në perëndim të Kuçovës, në Selenicë, në Patos dhe rreth vitit 1914, gjeologët e ushtrisë italiane që ishte në Sazan vunë re në det shenja nafte dhe duke i gjurmuar këto shenja, se nga kishin ardhur vunë re se ato vinin nga lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë. Natyrisht italianët janë treguar mjaft të interesuar dhe në vitin 1914 vendosën të shpojnë pusin e parë, i cili u quajt Rexhina Maria në nderim të mbretëreshës së Italisë me të njëjtin emër. Pusi i parë është shpuar deri në rreth 200 metra dhe dha naftë shumë të mirë. Pas këtij rezultati italianët filluan të kenë një interes të jashtëzakonshëm dhe nga viti 1924, në një kongres ndërkombëtar u bënë të njohura shenjat e naftës në vendin tonë që ishin në Patos, Kuçovë dhe Drashovicë. Shqipëria, që ishte një vend i patrajtuar dhe i panjohur, u bë një vend me interesa shumë të mëdha për shkak të bindjeve për perspektivën e naftës. Në vitin 1925 kur ishte qeveria e Zogut në fuqi, qeveritë e shumë vendeve ato angleze, italiane, franceze, kanë ardhur dhe kanë kërkuar koncesione dhe iu është dhënë një sipërfaqe e konsiderueshme që nga Tepelena, Memaliaj e deri në Shkumbin, sipërfaqe në të cilën përfshiheshin edhe daljet sipërfaqësore të bitumeve. Në vitet 1930-1932 italianët morën në dorë të gjitha kërkimet e naftës në Shqipëri dhe deri në çlirimin e vendit ata organizuan dhe drejtuan të gjitha kërkimet e naftës dhe hodhën bazat e zbulimeve. Mund të thuhet se punimet e tyre kanë qenë mjaft të suksesshme dhe serioze. Në 1927 filluan shpimet e para në Kuçovë, ku ka qenë një gjeolog botërisht i njohur, Stanislav Zuber, polak me origjinë, por ishte i angazhuar nga shoqëria italiane e naftës. Ai ka zbuluar Kuçovën, e cila filloi të prodhojë që nga viti 1927 dhe në prag të çlirimit në vitin 1943, ky vend realizoi një prodhim maksimal të naftës 200 000 ton, më vonë pas kapitullimit të Italisë prodhimi ra, sepse u shkatërrua kantieri. Kuçova ishte i pari vendburim dhe nafta që nxirrej çohej në Itali. Në vitin 1943 italianët kishin shumë nevojë për naftë dhe u detyruan të ngrinin një uzinë përpunimi në Kuçovë dhe thuhet që plotësonin ato pak nevoja që kishin. Ndërsa para çlirimit kur ikën, italianët hodhën në erë gjithçka.
Pas çlirimit duhej ringritur i gjithë kantieri. Punimet janë drejtuar nga Zuberi, i cili qëndroi në Shqipëri, ka pasur edhe inxhinierë shumë të zotë shqiptarë siç ishte Sherif Toptani, i cili ka drejtuar punimet derisa u rimëkëmb gjithçka. Nga vitet 1950 prodhimi i naftës u rrit së tepërmi, u ndërtua edhe kantieri i Patosit dhe deri në vitet 1970-1975 u zbuluan mjaft vendburime nafte, tashmë nga shqiptarët. Në krahasim me paraçlirimin, sot janë shumë vendburime të zbuluara në ranor, në gëlqeror etj. Mbase janë njohur edhe njerëzit nëpërmjet flakës që kanë parë në qiell gjatë aksidentit në Drenovë të Mallakastrës.
Rezervat e naftës në vend gjykohet që janë rreth 400 milionë ton, prej këtyre janë nxjerrë rreth 45-50 milionë ton deri tani. Nuk bëhet fjalë për t`u krahasuar me paraçlirimin, sepse janë sasira kolosale të zbuluara nga gjeologë shqiptarë natyrisht duke përfituar edhe nga përvoja e të huajve. Prodhimi maksimal në vendin tonë është arritur në vitin 1974 prej afërsisht 2 milionë e 100 mijë ton në vit. Atë vit ka pasur një krizë botërore për naftë dhe çmimi i saj është rritur deri në dhjetëfishin e saj. Ky ka qenë prodhimi pik në vendin tonë. Deri në vitin 1990 nuk ka pasur shumë zbulime, sepse nuk ka pasur investime për kërkimet. Në vitin 1990 prodhimi i naftës shënonte 1 milionë e 100 mijë ton. Tranzicioni bëri që prodhimi i naftës të ulet shumë dhe sot ky prodhim shkon në 300-350 mijë ton. Nevojat e vendit kanë qenë rreth 500 mijë ton, ndërsa sot ato janë shumëfishuar dhe blerjet nga jashtë plotësojnë mbi 90% të nevojave të brendshme për karburante.