Home Opinion A do të bëjë më homazhe PS në 21 janar?

A do të bëjë më homazhe PS në 21 janar?

SAMSUNGNga Ilir Gjermeni / Në fakt nuk më erdhi shumë e papritur ftesa e Edi Ramës drejtuar LSI-së. Një gjë e tillë flitej prej kohësh nën zë dhe mbi zë në ambiente të ndryshme brenda PS. Mbase nuk ja vlen që të zgjatem në analiza se pse nuk duhej të ndodhte një aleancë e tillë, sepse çdo socialist që e ndjek sadopak politikën e ditës e ka krijuar një ide nëse kjo është diçka e drejtë, e padrejtë apo edhe thjesht pragmatiste. Katër vite më parë kur përgatiteshin koalicionet parazgje-dhore gjithçka do kishte qenë më “gëlltitshme” me gjithë ndasitë parimore që ekzistonin, por sot 4 vite më pas kur Ilir Meta ka shërbyer për një mandat pothuajse të plotë si: “patericë e Sali Berishës” (cit. Edi Rama) ftesa për t’u bërë protezë e Partisë Socialiste tingëllon jo vetëm absurde por edhe thellësisht e ndikuar nga interesa të ngushta për pushtet. Në të gjithë Shqipërinë, njerëzit janë frymëzuar nga fjalët e kreut të PS –së për një qeverisje ndryshe nga ana e socialistëve, të cilët nuk do vinë në pushtet thjesht për pushtetin, por për të ndryshuar të ardhmen e vendit. E ç’duhet të mendojmë sot kur i bëhet një ftesë e hapur “ndjesë pastë LSI-së”, (cit. Edi Rama)? Nga një ngjizje e tillë mund të pritet vetëm një koalicion i vdekur pa rilindur ende, një feto morto politik. Me kënaqësi kam verejtur se idealistët në Partinë Socialiste janë të shumtë në numër, janë ata njerëz që mendojnë me shpirt se politika nuk duhet të jetë tregu i zi i pazareve të pista që luhen me parimet dhe me ndjenjat e njerëzve. Idealistët e majtë janë ata njerëz që u ngujuan për 3 javë në çadrat e grevës së urisë poshtë godinës ku Ilir Meta i jargavitej Berishës dhe nuk shfaqi asnjë lloj keqardhje për ish-shokët e tij të majtë. Idealistët e majtë janë ata që u revoltuan tek shihnin videon me pazaret e pista të zv/kryeministrit dhe zbritën lumë në bulevard ku dhe u rrahën e u vranë pa mëshirë nga eprori i Ilir Metës. Hendeku që ndan tashmë LSI-në e Ilir Metës nga PS-ja është i skuqur nga gjaku i 4 shokëve tanë që u vranë nga plumbat e një qeverie, një pjesë të së cilës në sot e ftojmë të na bashkohet. A do kemi të drejtë morale t’u bëjmë homazhe Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt, Aleks Nikës kur të jemi në një tryezë me simbolin e korrupsionit për të cilin ata protestuan dhe u vranë? Me keqardhje më duhet të them se këta idealistë të majtë, të cilët janë shumë më tepër se “83 000 zemra të majta të trafikuara djathtas nga Ilir Meta” (cit. Edi Rama), rrezikojnë të mos votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit të zhgënjyer nga lëvizjet e fundit. Unë nuk e di se me çfarë lapsi i ka bërë llogaritë kryetari socialist sepse edhe e parë me një sy të ftohtë pragmatist për të realizuar qëllimin (largimin e Sali Berishës) me çdo lloj mjeti (aleancë me aleatin e Sali Berishës) prapë rezultati është një bilanc negativ votash. Vërtet Rama mund të jetë aq mendjehapur sa t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit njeriut që në 2011 me lojën e tij përkrah Lulzim Bashës e nxorri nga godina e Bashkisë së Tiranës, por a do jenë po kaq të kuptueshëm ata punonjës që u hoqën përdhunshëm nga puna dhe u nxorrën për flokësh në rrugë, për t’u lënë vendin 20%-shave të LSI-së? Nuk po flas për hakmarrje, këtë karakteristikë nuk e kemi pasur kurrë. Po flas për një qeverisje të nesërme (në rast fitoreje), ku Partisë Socialiste do t’i duhet të tërheqë një gjyle që po lidh sot pas këmbe e cila do të peshojë shumë më tepër se 20% kosto politike dhe morale. Ne si socialistë prej kohësh mburremi me demokracinë e brendshme në partinë tonë. Tiparet dalluese nga partitë e tjera të spektrit politik janë konformizmi dhe udhëheqja nga parimet morale për një politikë të drejtë dhe të ndershme. Dhe janë pikërisht këto tipare që ne me forcë i kemi promovuar përballë elektoratit shqiptar, ndërkohë që sot i kërkohet publikut që të arsyetojë ndryshe dhe të harrojë për një çast të gjitha ato që u janë thënë dhe të mirëkuptojë ftesën e Partisë Socialiste drejtuar LSI-së. A nuk do ishte e udhës që vendime kaq të rëndësishmë politike të diskutoheshin në forumet e partisë në bazë dhe në të gjitha nivelet e vendimmarrjes? Si mund ta ndjejmë veten pjesë të një koalicioni në një kohë kur askush nuk na ka pyetur se çfarë mendojmë për këtë gjë? Si ka menduar kryetari ynë që të na motivojë për të punuar edhe më shumë në këtë përiudhë parazgjedhore dhe më pas në fushatë kur edhe nëse e rrëzojmë qeverinë Berisha maksimumi mund të arrijmë një sukses prej vetëm 80%? Po neve kush na siguron që Meta nuk do marrë sërish vota majtas (duke u reklamuar me të madhe si një i majtë që ka sakrifikuar pushtetin për idealin e tij) e më pas të largohet sërish në prehrin e Berishës? Tradhtia është një mëkat që rëndom përsëritet aq sa bëhet edhe i pëlqyeshëm. Ilir Meta ju përgjigj pozitivisht ftesës së PS (o Zot, ja ku erdhi dita që ne prisnim me ankth pergjigje nga ky njeri, kulmi!) por ai nuk do vijë në gjirin e së majtës si ai djali plangprishës i rrëfenjave të Jezusit. Në fakt ky djali ynë e ka shumëfishuar plëngun e tij dhe mund t’i shesi dëngla bashkë me çunat e LSI-së, Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, madje t’ua mbledhë herë pas here si të jetë nevoja me kërcënime për largim nga koalicioni. E gjithë kjo situatë do të krijojë kushtet e pafavorshme për implementimin e reformave që grupet e punës së Partisë Socialiste kanë hartuar me përkushtim dhe besim se ndryshimi do të vijë përmes Rilindjes. Unë personalisht jam kundër një aleance ndërmjet PS dhe LSI, jo sepse nuk e kuptoj rëndësinë e largimit të Berishës nga drejtimi i vendit. Por aleanca e vërtetë që PS duhet të bëjë është me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, ata që jetojnë e punojnë përditë kokulur dhe pa zë, e që ndihen një herë në 4 vjet më votën e tyre dhe jo me ata që luajnë zhurmshëm bllofin se kanë në dorë fatet e çdo qeverie të pas 23 qershorit. Kush është politikan vizionar dhe shpirtërisht i majtë duhej ta kishte kuptuar me kohë këtë gjë.

Previous articleXhaxhi militanti shpjegon ngjarjet e koalicionit dhe pengjet e Genci Alizotit
Next articlePrezantohet programi i rinisë të PS