Home Opinion A do e ndjekë Sali Berishën në marrëzinë e tij, Ilir Meta?

A do e ndjekë Sali Berishën në marrëzinë e tij, Ilir Meta?

Nga Bledi Lumani

Më 6 dhjetor, ditën që në Tiranë zbarkojnë kryeministrat e Bashkimit Europian, një ngjarje e e rëndësishme kjo për një vend të vogël si Shqipëria, Sali Berisha ka premtuar se do të organizojë një protestë.

Ai thotë se me anë të kësaj proteste, kërkon t’i tregojë Europës fuqinë e opozitës shqiptare.

Me pak fjalë, të tregojë se edhe pse është shpallur “non grata”, ka ende fuqi të mbledhë njerëz e të shkaktojë trazira, ndaj BE duhet ta lërë të qetë në këto kohë të vështira për botën, ndryshe ai do bëjë gjëmën.

Por ndërsa Berisha po përgatitet t’i tregojë fuqinë e tij Europës, ditën që BE zbarkon në Tiranë, ajo që nuk dihet, është nëse Ilir Meta do e ndjekë pas në marrëzinë e tij.

Në daljet e fundit publike, Meta e ka shmangur përmendjen e protestës së 6 dhjetorit dhe për momentin nuk ka asnjë konfirmim nëse ai dhe partia e tij do të marrin pjesë.

Edhe pse aleatë të ngushtë, kur vjen fjala tek marrëdhëniet me ndërkombëtarët, Ilir Meta ka pasur një distancim të qartë nga Berisha kohët e fundit.

Mjafton të kujtojmë këtu takimet e “shpeshta” me Yuri Kim, vetëm pak muaj pasi deklaroi se ishte gati që të vritej nga amerikanët tek “Mali me Gropa”.

Apo pjesmarrja e tij në një pritje të Ambasadës britanike, vetëm një ditë pasi Sali Berisha kishte akuzuar ambasadorin britanik si të korruptuar, provat e të cilit ai do t’i publikonte së shpejti.

Ndryshe nga Meta, që ka moderuar në mënyrë drastike gjuhën ndaj ndërkombëtarëve, aleati i tij Berisha është bërë më agresiv se kurrë ndaj tyre, me akuza deri për korrupsion seksual.

Për të arritur tek 6 dhjetori, që është qartazi një protestë e paprecedentë kundër Perëndimit, nga partia që u krijua pikërisht si ajo që do na çonte në Perëndim, jo që do na përplaste me Perëndimin për fatin e Sali Berishës.

Ndërsa nga PD, disa deputetë të saj janë shprehur qartazi se kjo që po bën Berisha nuk është normale, madje një goditje e rëndë për demokratët, tani pritet përgjigjia e Metës.

Sepse 6 dhjetori, përveçse një protestë kundër Perëndimit, është edhe një provë për Ilir Metën, nëse do e bashkojë apo jo fatin e tij me Berishën deri në pikën kur pastaj s’ka më kthim pas!

Previous article“Do të ketë paqe kur të shkatërrojmë ushtrinë ruse”, ndihmësi i Zelenskyt tregon kushtet për fundin e konfliktit: Ndodh vetëm nëse rikthehen…
Next articleMenaxheri i VIP-ave: Ju tregoj këngëtaren më mendjemadhe në Shqipëri, që s’i flet njeriu